Rezultatet fillestare të ekspertizës kanë treguar që ura Bellasica në Shkup mund të lëshohet për këmbësorët, çiklistët por edhe nga një korsi për makinat. Kështu deklaroi kryetarja e qytetit të Shkupit, Danella Arsovska. Ajo shton se siguria e qytetarëve është në rend të parë prandaj nuk do të nguten që ta lëshojnë për komunikacion urën në fjalë. Momentalisht është duke u zhvilluar ekspertizë e cila pritet të përfundojë brenda 20 ditëve dhe më pas do të dihet se a duhet sanuar e njëjta dhe për sa kohë do të jetë e mbyllur për qytetarët.
“Ajo që e kemi nga ekspertët nga analizat fillestare është se mund të lëshohet për këmbësorë, çiklistë dhe dy korsi për vozitje në nga një drejtim menjëherë, mirëpo po presim që të kemi informacionet precise dhe të sakta dhe më pas nëse duhet ndonjë sanim i vogël dhe nëse duhet ndonjë rikonstruim do të bëhet dhe do të lëshohet në përdorim.”- deklaroi Danella Arsovska – Kryetare e Qytetit të Shkupit.
Ndonëse ka kaluar një muaj që kur kjo urë u kaplua nga flakët, shkaqet dhe fajtori ende nuk dihen. E para e Shkupit apeloi te organet e rendit që të veprojnë më shpejtë në kapjen e fajtorëve dhe sanksionimin e tyre.
“Vetë institucionet duhet të veprojnë në drejtim të gjetjes së fajtorëve dhe të sanksionohen sepse përsëri pas shtatë ditëve kishim një rast të tillë, një tentativë për të shkaktuar fatkeqësi. Është patjetër në interest ë qytetarëve të gjitha institucionet relevante, para së gjithash MPB të merr masa për keqbërësit, një herë të kapen e më pas të sanksionohen.”- tha Danella Arsovska – Kryetare e Qytetit të Shkupit.
Ndryshe, mbyllja e urës Bellasica e cila lidh Stacionin hekurudhor dhe QT East Gate Mall po shkakton kaos të madh në komunikacion.
Burimi: TV21