Prokuroria Publike ka ngritur kallëzime penale kundër ish-drejtorëve të Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik, Festim Halili dhe Kosta Petrov. Që të dy dyshohen se kanë kryer vepër penale keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe se kanë mundësuar pagesa joligjore të granteve. Rastet përfshijnë tre projekte të dyshimta sikurse “Green Hojo”, “Frotirka AD Dellçevë” dhe “Sekreti i romakëve – Pinsa Romana”, me çka dëmi financiar tejkalon 23 milionë denarë, transmeton Alsat.
Ish drejtori i Fondit, Festim Halili, për Alsat i hedhë poshtë si të pavërteta akuzat e Prokurorisë. Thotë se derisa ka qenë drejtor, Fondi ka punuar në mënyrë transparente dhe gjatë çdo thirrjeje, aplikimi dhe realizimi të projekteve, janë respektuar të gjitha procedurat.
“Të gjitha kompanitë që aplikojnë duke përfshirë edhe kompaninë që është aluduar, kalojnë një proces para seleksionimi i zbatuar nga tre ekspertë vendas nga 22 fusha të ekspertizës. Projektet vlerësohen sipas kritereve të përcaktuara ku si kritere merren shkalla e inovacionit, cilësia e projektit të përgatitur, potenciali i tregut, kapaciteti i aplikantit, si dhe ndikimi i projektit në shoqëri. Të gjitha projektet që marrin një notë mesatare prej 51 pikë vazhdojnë në fazën tjetër. Përzgjedhjen përfundimtare e bënë komuniteti i miratimit të investimit”, tha Festim Halili – Ish drejtor i FIZHT.
Tentuam ta kontaktojmë edhe ish-drejtorin Kosta Petrov, por pa sukses. Ai akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e dytë, për projektin “Frotirka”. Bëhet fjalë për projekt të papërfunduar ndërsa pagesa është realizuar dhe nuk ka pasur asnjë reagim nga Petrovi. Rasti i tretë ka të bëjë me një recetë për picë, e cila është prezantuar se është rreth 2000 vite e vjetër. Marrëveshja ishte nënshkruar më 28 dhjetor 2021, përmes grantit për shoqëri të reja të themeluara.
Përndryshe edhe muajin e kaluar, drejtori aktual i FIZHT, Nikolla Dodov, paralajmëroi se do të ngrejë kallëzime penale për shkak se me vite janë thithur mjete për kompani të afërta me ish kreun e LSDM-së, Zoran Zaev si dhe liderin e BDI-së, Ali Ahmeti. U përmendën rreth 60 kompani me projekte të çuditshme dhe të dyshimta.
Burimi: alfax.mk