Kajro, fillon samiti i fqinjëve të Sudanit të shkatërruar nga konflikti

July 13, 2023
1 minut lexim

Një samit i fqinjëve të Sudanit të shkatërruar nga konflikti ka filluar në kryeqytetin egjiptian Kajro, me qëllim për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës sudaneze që shpërtheu në mesin e muajit prill, transmeton Anadolu.

Siç raporton e përditshmja egjiptiane “Youm7”, presidenti egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi, në hapjen e samitit tha se kjo ngjarje po mbahet në një “moment historik”, si dhe bëri thirrje për ndalimin e të gjitha operacioneve ushtarake në Sudan.

Ministria e Punëve të Jashtme e Egjiptit tha se “zyrtarë të lartë” po marrin pjesë në samit, por nuk specifikoi emrat e tyre apo numrin e vendeve që marrin pjesë.

Megjithatë, burime diplomatike sudaneze thanë për Anadolu se në samit po marrin pjesë presidenti Al-Sisi, kryeministri etiopian, Abiy Ahmed dhe presidenti i Sudanit të Jugut, Salva Kiir.

Burimi, i cili kërkoi të mbetet anonim, shtoi se në samit po marrin pjesë edhe presidenti i Eritresë, Isaias Afwerki, presidenti kalimtar i Çadit, Mahamat Idriss Deby, kreu i Këshillit Presidencial të Libisë, Mohamed Menfi dhe presidenti i Republikës së Afrikës Qendrore, Faustin-Archange Touadera.

Që nga muaji prill, Sudani është shkatërruar nga përleshjet midis ushtrisë dhe grupit paraushtarak të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), në një konflikt që sipas mjekëve lokal ka marrë jetën e të paktën 3 mijë civilëve dhe ka plagosur mijëra të tjerë.

Disa marrëveshje armëpushimi midis rivalëve ndërluftues, të ndërmjetësuara nga sauditët dhe amerikanët, nuk kanë arritur t’i japin fund dhunës në vend.

Organizata Ndërkombëtare për Migracion (IOM) vlerëson se rreth 3 milionë njerëz janë zhvendosur nga konflikti aktual në Sudan.





MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Maqedonia rrezikon izolimin nëse nuk i pranon ndryshimet kushtetuese, thotë kryediplomati austriak

Story i radhës

Ministri i Kulturës tregon kulturë, shihni reagimin e tij gjatë përleshjes në Kuvend

Të fundit nga

ShkoLartë