Si sot 32 vite më parë në Kaçanik u mblodh Kuvendi i Kosovës dhe e shpalli kushtetutën e parë demokratike të Republikës. Pjesa e parë e dispozitave, ose parimeve të përgjithshme të asaj kushtetute përfshinë 16 nene. Në nenin e parë Kosova shpallet shtet demokratik i Kombit Shqiptar dhe i pjesëtarëve të kombeve të tjera dhe pakicave kombëtare, serbëve, myslimanëve, malazezve, kroatëve, turqve, romëve e të tjerëve që jetojnë në Kosovë.
Ndërsa, në nenet e tjera u miratuan përcaktimet e tjera të shtetit si institucionet drejtuese, gjykatat, përfshirë gjykatën kushtetuese, të drejtat e njeriut, ushtrimi i sovranitetit të popullit nëpërmjet zgjedhjes së përfaqësuesve dhe referendumit, kryeqyteti, stema, flamuri, himni, gjuha zyrtare etj. Karakteristika themelore e asaj kushtetute lidhet me disa elemente: Përcaktimi i shtetësisë, të drejtat e barabarta të të gjithë qytetarëve, përfshirë pakicat, përcaktimi i paprekshmërisë së territorit dhe të kufijve të Kosovës, legalizimi i pluralizmit politik e të zgjedhjeve të lira, të drejtpërdrejta, të fshehta e të ndershme, organizimi shtetëror dhe decentralizimi i pushtetit lokal. Aq mirë janë parashikuar këto elemente, sa nuk ka mundur t’i realizojë me atë lloj harmonie dhe ekuilibri as vet kushtetuta e 15 prillit 2008 e dalë nga dokumenti i pavarësisë së Martti Ahtisaarit.
Ndërsa, në kapitullin e tretë, në 37 kapituj, përcaktohen liritë e të drejtat e njeriut në detaje. Zor që të kishte asokohe në Evropë ndonjë vend që i përcaktonte këto të drejta e liri themelore në aq detaje, siç ndodh me Kushtetutën e Kaçanikut të Republikës së Kosovës. Liritë dhe të drejtat themelore të njeriut përfshijnë prej lirive politike e kombëtare të ushtrimit të kulturës, besimit e gjuhës e deri te liria e planifikimit familjar, liria e qarkullimit, lëvizjes, liria e shprehjes, e organizimit, e grumbullimit, protestës, pronës, të drejtës për zgjedhjen e vendbanimit etj. Ndërkaq në ekonomi përcaktohej se ekonomia e tregut dhe iniciativa e lirë janë themeli i zhvillimit të vendit e kështu me radhë.
Kushtetuta e Kaçanikut është kushtetuta e parë moderne e demokratike në Europën Lindore, ku për më shumë se 40 vite sundoi diktatura komuniste. Ajo ishte shprehja e vullnetit të popullit shqiptar që të ndërtojë një Kosovë të pavarur e me dinjitet në mesin e kombeve europiane. Ishte kushtetuta e parë në Lindjen komuniste që merrte në mbrojtje dinjitetin njerëzor dhe përcaktonte se çdo kush është i lirë të mendojë e veprojë pa asnjë kushtëzim e imponim, deri në cakun që nuk cenon liritë e një individi tjetër, liri të cilat i mbron ligji.
Shteti ligjor dhe i së drejtës është pikënisja dhe synimi kryesor i asaj kushtetute. Dhe kjo dëshmon se shqiptarët në Kosovë dhe lidershipi i saj me Ibrahim Rugovën ishin dhe mbeten dallëndyshja e parë e lirisë dhe demokracisë në Europë. Ajo kushtetutë i dha garanci bashkësisë ndërkombëtare se shqiptarët jo vetëm që kërkonin lirinë e pavarësinë e tyre, porse këtë do ta vinin gjithashtu në shërbim të pakicave të kombeve të tjera, përveçse shumicës shqiptare! Kushtetuta e Kaçanikut ishte në kontrast me Kushtetutën dhe ligjet diktatoriale të Serbisë. Kjo e bënte atë më të ndritshme në përpjekjet e shqiptarëve për shtetësi e liri.
Dhe së fundi, deputetët e Kosovës u mblodhën në Kaçanik në ilegalitet të plotë. Asnjë prej tyre nuk u bë spiun e të lajmëronte autoritetet e Serbisë për këtë akt. Ky Kuvend e kreu misionin e tij në kushtet e okupimit dhe sundimit të egër të Serbisë në Kosovë. Fatkeqësisht sot në kushte më të favorshme e në liri, Serbia informohet e para për çdo gjë që ndodhë në Kosovë e madje edhe në Shqipëri!
Kujdes spiunët!