Juventus e ka nisur sezonin aktual në mënyrë të shëmtuar teksa të besuarit e trajnerit Massimiliano Allegri nuk po gjejnë vazhdimësinë dhe mbi të gjitha, duket të vakët në krijimtari, një pjesë që ndikon drejtpërdrejtë edhe në golat e paktë që shënon ekipi.
Në shtatë ndeshjet e para të kampionatit, “Zonja e Vjetër” e ka gjetur rrugën e rrjetës në vetëm nëntë raste ndërsa të gjitha rivalet e saj si Milan, Inter, Napoli, apo edhe Lazio, Udinese e Atalanta (përveç Romës) shënojnë më tepër se torinezët.
Këto statistika kaq të dobëta në sulm, Juventus nuk i regjistronte prej sezonit 2008-2009, në kohën kur ekipi drejtohej nga trajneri Claudio Ranieri. Tashmë, Allegri duke e njohur “thembrën e Akilit” po mendon të ndryshojë vendosjen e lojtarëve në fushë dhe nga ndeshja e radhës, atë ndaj Bolognas në shtëpi, pritet që ta rreshtojë ekipin me skemën 3-5-2, duke hedhur në fushë njëkohësisht Milik dhe Vlahovic.
Gjithesi, më shumë se sa skema, te Juventus mbetet për t’u parë manovra dhe mënyra si ekipi e kërkon rrugën e rrjetës, pasi aktivizimi i Vlahovic dhe Milik nuk garanton golat apo suksesin, duke qenë se dyshja ishte në fushë edhe në sfidën me Benficën, por në fund italianët dolën të mposhtur prej portugezëve.