Ja, historia e fortifikimit të jashtëzakonshë të Ushtrisë sonë në sitemin monist, shifra dhe fakte të pabesueshme

March 27, 2022
min lexim

Hysen Qendro, është një personalitet i njohur nga kuadrot e ushtrisë sonë të asaj kohe.

Karriera e tij ushtarake është brilante, për nga njohuritë e thella në fushën e ushtrisë e të mbrojtjes dhe për dorën e tij të artë. Prania e tij në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë sonë në atë kohë, si kuadër i planizimit luftarak, ka kontribuar në reformimin e ushtrisë, që u krye në vitet 1974-1981, nën drejtimin e ushtarakut dhe strategut  të madh, Mehmet Shehu.

Nga ky autor ushtarak, është i dukshëm  fakti që është angazhuar vendosmërisht të shkruaj për temën e ushtrisë e të mbrojtjes, jo vetëm për të kaluarën e ushtrisë, por edhe për çështje që i përkasin të tashmes. Me nivelin e një ushtaraku akademik, në shkrimet e tij ai ka ditur të kap çështje me interes kombëtar, që kanë vlera jo vetëm historike por edhe aktuale, duke bërë vlerësime e nxjerr përfundime të vlefshme.

Image

Hysen Qendro

zotin Hysen Qendro për informacionin e gjerë që na jep në këtë libër, për vlerat ushtarake, historike, arkitekturore dhe aktuale të fortifikimit.

Kol. Ismail Shulku

Ish- ndihmës i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe komandanti i Frontit verilindor.

Pse në atë system, fortifikimi, ishte domosdoshmëri e mbrojtjes sonë?

Në kohët e sotme, zhvillimi dhe shpërndarja me shpejtësi e informacionit, për të gjitha fushat e jetës së shoqërisë njerëzore dhe të natyrës, është një e mirë e madhe dhe një forcë lëvizëse edhe për fushën e mbrojtjes. Pasja e informacionit nuk vlen pa nxjerrë përfundime dhe detyra, gjë që nuk është e lehtë, përkundrazi, për të arritur përfundime të sakta e shkencore, lypset pjesëmarrja e organeve të specializuara dhe  specialistëve që kanë studiuar dhe punuar për një kohë të gjatë  në fushat përkatëse. Te ne ndodh një dukuri e veçantë: organet e specializuara dhe specialistët heshtin, flasin politikanët, shtetarët dhe mediat, që nuk kanë njohuritë e nevojshme për problemet dhe as që kanë punuar në atë fushë. Kështu, p.sh., për fortifikimin që është ndërtuar në vendin tonë, nuk flasin ushtarakët që e kanë ideuar dhe  ndërtuar atë, por ata që nuk njohin ligjet objektive të luftës dhe as parimet dhe rregullat e veprimeve luftarake, duke përhapur mendime dhe qëndrime të gabuara për këtë çështje.

Si ushtarak dhe si bashkëkohës i përgatitjes  së teatrit tonë të veprimeve luftarake, mendimet dhe vlerësimet e mia për fortifikimin, parë nga këndvështrimi i kërkesave të luftimit dhe operacionit mbrojtës, i rëndësisë taktike e operative të vendosjes së objekteve në terren, sipas drejtimeve të rëndësishme të tij ishin të domosdoshme.

Ndjej keqardhje për politizimin që u behet objekteve fortifikuese nga politikanë e shtetarë, dhe të atyre që qëndrojnë indiferentë, por për të ndikuar sadopakë në ndryshimin e mendimit dhe qëndrimit ndaj objekteve fortifikuese gjatë kohës në vijim.

Vendi ynë i vogël me numër të kufizuar forcash dhe mjetesh, me strategji të qartë për mbrojtjen e vendit të vetë, e ka të domosdoshme përgatitjen që në kohë paqeje të çdo elementi të mbrojtjes, ku një ndër  kryesorët është edhe  fortifikimi. Situatat reale ushtarake e diktonin domosdoshmërinë e fortifikimit të pozicioneve, rajoneve dhe brezave tanë të mbrojtjes, si masë shumë e rëndësishme e qëndrueshmërisë së saj.

Fortifikimi i përhershëm kërkon kohën e nevojshme dhe duhet kryer përpara fillimit të luftës, pra që në kohë paqeje, për të qenë i gatshëm për të mbrojtur forcat dhe mjetet nga goditjet e fuqishme të mësymësit në kohë lufte.

Masat mbrojtëse për të përballuar zhvillimin e veprimeve luftarake të befasishme, kërkojnë forma të zgjedhura dhe konkrete për të siguruar suksesin, si dhe marrjen e një mori masash, që në periudhën përgatitore. Këtu përfshihet edhe fortifikimi i teatrit të luftimit.

Fortifikimi i ndërtuar sipas pozicioneve, rajoneve dhe brezave tanë të mbrojtjes, ka kushtuar vlera të konsiderueshme ekonomike dhe ka angazhuar fuqi të madhe njerëzore për një periudhë dhjetëvjeçare, dhe atje ku u ndërtua nuk cënon asgjë, përkundrazi, është një dëshmi e kohës dhe po të ruhet e mirëmbahet do të jetë i gatshëm për çdo rast.

Kur analizojmë dhe gjykojmë për vlerat e fortifikimit të mbrojtjes sonë, t’i shohim e t’i gjykojmë jo me gjendjen  e sotme politiko-ushtarake dhe të sistemit ekonomiko-shoqëror  të sotëm në vendin tonë, por me Shqipërinë e asaj kohe, me gjendjen, kushtet dhe sistemin ekonomiko-shoqëror të saj. Veç kësaj, atëherë dhe sot, lypset të  kuptojmë se Shkenca ushtarake me ligjet e saj kanë vërtetuar se terreni dhe fortifikimi janë aleatë të përhershëm. Ata janë “skena” ku kryhen veprimet luftarake, që përgatiten dhe pajisen me kohë, sipas planëzimit luftarak. Kjo është domosdoshmëri që nuk duhet e nuk mund të mohohet, sidomos për kushtet e vendit dhe ushtrisë sonë të vogël, të pozicionit gjeopolitik të Shqipërisë në Ballkan. Askush nuk na siguron se nuk do të ketë më nevojë për objekte fortifikimi. Ato janë të ndërtuara dhe duhet të ruhen.

Kur dhe si filloi fortifikimi i mbrojtjes sonë?

Fortifikimi i mbrojtjes sonë filloi pas një studimi dhe përnjohjeje të hollësishme të terrenit, nga kuadrot më të larta ushtarake, në bashkëpunim me komandat e njësive, sipas një plani të veçantë. Objektet fortifikuese u vendosën sipas koncepteve taktike, operative dhe strategjike të Artit tonë Ushtarak dhe drejtimeve përkatëse të mbrojtjes.

I ndërtuar në atë periudhë, fortifikimi e kreu funksionin e vet duke u treguar kundërshtarëve se ky vend kishte zot; se në rast sulmi ndaj tij armiqtë do të përballeshin me një mbrojtje që nuk mund të kalohej kollaj. Edhe ata e dinin, e merrnin parasysh, dhe i bënin mirë llogaritë, sidomos fqinjët tanë. Ndokush nuk është në një mendje me këtë që them, por ky ishte një realitet që nuk e zhbëri koha. Ishte organizimi ushtarak i përsosur, përgatitja e vijueshme ushtarake e të gjitha strukturave dhe kontigjenteve, fortifikimi i rajoneve dhe brezave tonë të mbrojtjes si dhe gatishmëria e lartë luftarake, të cilat synonin që mbrojtja e vendit të ishte e sigurt dhe e paprekshme.

Fortifikimi i vendit për kohë lufte, i shërben mbrojtjes së forcave dhe mjeteve, veçanërisht gjatë përpunimit që armiku mësymës do t’i bëjë dispozitivit të mbrojtësit, që nga vija e parë e në thellësi, duke e goditur me aviacion, artileri dhe raketa, për ta paaftësuar e mbajtur nën goditje të pandërprerë kundërshtarin për një kohë të gjatë, siç vepruan forcat e NATO-s kundër objekteve të forcave serbe në luftën e Kosovës.

Fortifikimi i ndërtuar në vendin tonë përballon në një masë të madhe jo vetëm goditjen e kundërshtarit me armët konvecionale, por edhe nga armët e dëmtimit  në masë. Objektet fortifikuese ishin të shumëllojshme. Siç ishin edhe llojet e armëve e të shërbimeve, për të siguruar mbrojtjen vetjake dhe të përbashkët të luftëtarëve dhe të popullatës së paaftë për luftë.

Duke e parë nga këndvështrimi i vlerave, që fortifikimi u jep veprimeve taktike dhe operative të trupave si dhe organizimit të sistemit të zjarrit, le të analizojmë disa nga argumentet konkrete si masë e domosdoshme e sigurimit luftarak.

Përvoja e veprimeve  luftarake në vija të fortifikuara dhe ajo e stërvitjeve me trupa e ushtrisë sonë, tregojnë se probabiliteti i goditjes së ushtarit, që lufton nga qendra e zjarrit, është shumë më i vogël sesa kur lufton në terren të hapur. Për ta vërtetuar këtë, në vitin 1988 në krye të një grupi oficerësh, efektivë të batalionit artmitralier të Çerenecit, në Peshkopi, kam kryer eksperimentin me qitje reale për të xjerrë treguesit konkretë  sesa plumba mund të hynin në frengjinë e qendrës së zjarrit dhe sa goditje mund të merrte ushtari kur lufton brenda saj.

Batalioni artmitraljer i Çerenecit ishte i vendosur fare pranë kufirit shtetëror, përballë qytetit të bukur të Dibrës së Madhe, që shtrihet në rrafshnaltën, rrëzë malit të Radikës, 6-8 km larg në vijë ajrore nga ish qendra e batalionit. Ndërtesat me çatitë e tyre të mbuluara me tjegulla të kuqe, duken bukur që këtej.

Batalioni ishte vendosur në rajonin e caktuar të mbrojtjes, në bregun perëndimor të Drinit të Zi, pranë kodrave të buta, që shtrihen deri afër malit të Kaptinës së Martaneshit. Ai kishte kushte të plota nga çdo pikëpamje për të jetuar e luftuar edhe në kushte rrethimi. Rajoni i mbrojtjes përfshinte sistemin e lartësive pranë brezit të kufirit, përfshi edhe lartësinë 802 m.

Vendvendosja e batalionit ishte një luginë e vogël, e kthyer në një qytezë ushtarake, e lulëzuar nga duart e ushtarëve dhe kuadrove të atij reparti shembullor. Kodrat përreth ishin të mbjella me pemë frutore të zonës, si mollë dhe qershi. Nën ato kodra shtrihet fshati Gjorica e Sipërme dhe e Poshtme, me njerëz shumë të mirë dhe atdhedashës, që e kompletonin atë repart.

Ku u krye eksperimenti?

Eksperimenti u krye mbi një qendër zjarri, që ndodhej në pjerrësitë e lartësisë 802, pesqindë metra larg lapidarit të partizanit, Tercilo Kardinali, hero i LANÇ-it, efektiv i batalionit partizan “Antonio Gramshi”. Më poshtë paraqiten: qendra e zjarrit dhe kushtet e eksperimentit.

– Qendra e zjarrit ishte me një frëngji, e tipit “M-22”;

– përmasat e hapësirës së jashtme ishin: 120×40 cm;

– përmasat e hapësirës së brendshme ishin, 40×20 cm;

– arma me të cilën u krye qitja, mitraloz “Gorjanv”;

– sasia e fishekëve, 150 copë;

– qitësi, ushtar i vitit të dytë, me përgatitje të mirë si qitës;

– koha, e mirë, në orët e pasdites;

– pozicioni i qendrës së zjarrit dhe i transhesë, ku ishte vendosur mitralozi, pa shumë disnivel;

– distanca e qitjes, 150 metra;

– për të parë numrin e goditjeve, jashtë dhe brenda frëngjisë, në secilën hapësirë u vendos nga një tabelë kompesate, të prera sa hapësirat përkatëse të frëngjisë;

– qendra e zjarrit ishte bosh.

Pas qitjeve me breshëri të shkurtra dhe të gjata, me të gjithë fishekët, numri i goditjeve në tabelën e jashtëme ishte 36, ndërsa brenda qendrës së zjarrit ishin vetëm 6.

Plumbat u gjetën në dyshemenë e qendrës së zjarrit. Përfundimi: nga gjithë ai vëllim zjarri, plumbat goditnin kupolën dhe vetëm gjashtë prej tyre e rrezikonin ushtarin. Kuptohet, kur luftëtari do të mbrohej në pozicion të fortifikuar, mundësia e asgjësimit është shumë më e vogël se sa  kur luftëtari vepron jashtë qendrës së zjarrit.

Fortifikimi i mbrojtjes e detyron kundërshtarin që të futë në luftim forca të shumta dhe me detyra të kufizuara. Edhe në luftërat e zhvilluara më parë, është vërtetuar se pala mësymëse, kur ka pas të bëjë me pozicione e rajone të fortifikuara e tepër të fortifikuara, për shkak të veçorive që marrin veprimet me grupe sulmi, grupe të mbështetjes me zjarr dhe të shkatërrimit; raporti i forcave kërkohej jo 2:1, si në mësymjen në rajone të pafortifikuara, por shumë më i madh, deri 3-4 e më shumë, në favor të mësymësit. Edhe gjerësia dhe thellësia e formacionit të luftimit dhe detyra e afërt dhe e largët janë të ngjeshura e më të kufizuara. Këto kushtëzime fortifikimi ia krijon plotësisht palës mësymëse, për palën mbrojtëse janë në të mirë të saj.

Si u veprua me përpara se të kalohej në prodhimin në masë të qendrave të zjarrit?

Fortifikimi edhe në pikëpamje teknologjike është studiuar dhe eksperimentuar për cilësinë e ndërtimit të objekteve të tij. Përpara se të kalohej në prodhimin në masë të qendrave të zjarrit, për të parë qëndrueshmërinë ndaj goditjeve të artilerisë, të raketave dhe të efektit të zjarrit mbi efektivin, që do të luftonte brenda dhe jashtë tij, në vitin 1976, në rajonin e Rëzomave të Delvinës u kryen qitje të drejtpërdrejta mbi qendrat e zjarrit të një garnizoni pesësh.

Rajoni i Rëzomave të Delvinës, në pikëpamje ushtarake, ishte një rajon tipik për vendosjen e forcave të skalioneve të dyta të mbrojtjes nga drejtimi bregdetar; por ajo ultësirë, e rrethuar nga lartësi, është shumë e përshtatshme, që kundërshtari ta përdorë për desantim, në ndihmë të forcave mësymëse që mund të veprojnë nga deti dhe nga drejtimi i Konispolit. Kjo ishte mbajtur parasysh në fortifikimin e atij rajoni.

Eksperimenti, në fjalë, u krye në pesë qendra zjarri, të lidhura me trashe, që i përkasin formacionit të një skuadre këmbësorie në mbrojtje.

Në eksperiment u përdorën kryesisht topa të artilerisë me qitje të drejtpërdrejtë. Ato ishin:

► Topi           75 m/m;

► Topi         107 m/m;

► Topi           85 m/m;

► Topi         100 m/m, i tankut “T-59”;

► Mortaja      82 m/m;

► Mortaja    120 m/m;

► Mortaja     160 m/m;

► Obusi       122 m/m;

► Top-obus 152 m/m;

► Makina luftarake reaktive 130 m/m.

Sipas këtyre kalibrave, mbi atë pozicion, u hodh kjo sasi predhash:

 Bateria e obusëve    122 m/m hodhi    120 predha;

 Bateria e T/obusëve 152 m/m hodhi     60 predha;

 Bateria e mortajave    82 m/m hodhi   300 predha;

 Bateria e mortajave  160 m/m hodhi     60 predha;

 Makina luftarake       130 m/m hodhi    19 predha;

 Topi   ………………. 75 m/m hodhi    10 predha;

 Topi ………………  107 m/m hodhi    10 predha;

 Topi………………… 85 m/m hodhi    10 predha;

 Topi………………   100 m/m hodhi    10 predha.

Mbi atë pozicion të fortifikuar u hodhën gjithsej 719 predha. Sistemi i ndërlidhjes ishte nëntokësor, i groposur në thellësinë 1,2 m e i mbuluar me dhè.

Largësia e pozicioneve të zjarrit të artilerisë, sipas kalibrave dhe pozicionit të fortifikuar ishte:

 Mortajat              120 m/m   – 3    km;

 Mortajat              160 m/m   – 3,5 km;

 Mortajat                82 m/m   – 2     km;

 Obusat                122 m/m    – 3,6 km;

 T/obusët             152 m/m    – 4    km;

 Makinat luftarake               – 3,5 km;

 Topat ………….. 75 m/m    -900 m;

 Topat ………….107 m/m    -900 m;

 Topat…………..  85 m/m    -900 m;

 Topat ………….100 m/m  -1100 m.

Me qëllim që qendrat e zjarrit të provoheshin për aftësinë mbrojtëse të tyre dhe shkallën e dëmtimit të forcave të gjalla nga zjarri i artilerisë, në to dhe në trashe, u futën kafshë eksperimentale. Në çdo qendër zjarri u futën: një qen; një dele ose dhi dhe një lepur. Në gojë u vunë  nga një shkop, për ta mbajtur të hapur, për efekt të krismave të predhave. Edhe në çdo element “E-4” u vendosën gjë të gjalla, si më sipër. Ndërsa në transhetë e qendrave të zjarrit, kafshët u vendosën çdo 6 metra. U vendosën dhe 20 figura në formën e pupaceve, me përmasat e trupit të njeriut.

Kjo ishte gjendja që u sajua për të matur qëndrueshmërinë e fortifikatave dhe shkallën e dëmtimit të gjallesave, që ishin brenda dhe jashtë tyre, të cilat u qëlluan fuqishëm nga zjarri i armëve të kalibrave të ndryshëm të artilerisë.

Në fillim u kryen qitjet me shënjim të drejtpërdrejtë, së pari me topin 75 mm, topin 107 mm, 85 mm dhe 100 mm. Pas tyre u krye qitja indirekte, me armët përkatëse, që përmendëm më sipër, duke filluar me baterinë e mortajave 160 mm, 120 mm dhe 82 mm. Pas këtyre dy lloj qitjesh, me bateritë e asaj artilerie, u krye qitja me zjarr të shpejtë me të gjitha bateritë njëherazi për pesëmbëdhjetë minuta mbi pozicionin e fortifikuar. Në fund u hap zjarr edhe me predha reaktive 130 mm.

Në qitjen e shpejtë, me të gjitha bateritë njëherazi, u hodh kjo sasi predhash:

 Bateria   82 m/m hodhi           100 predha;

 Bateria 122 m/m hodhi             24 predha;

 Bateria 120 m/m hodhi             24 predha;

 Bateria 152 m/m hodhi             24 predha;

 Bateria 100 m/m hodhi             24 predha;

 Makina luftarake 130 m/m hodhi 19 predha.

Brenda një kohe të shkurtër, drejt objektit u hodhën 215 predha.

Rezultatet e qitjeve u panë sipas kësaj radhe:

Në fillim u panë ato të qitjeve me topat me shënjim të drejtpërdrejtë, sipas kësaj ndarje:

   Pas përfundimit të qitjeve me mortajën 82 mm dhe obusin 122 m/m.

   Pas përfundimit të qitjeve me mortajën 120 m/m dhe top-obusin 152 m/m.

   Pas mbarimit të qitjes me mortajën 160 m/m.

   Pas mbarimit të qitjeve me ritëm të shpejtë me të gjitha bateritë e artilerisë.

Gjatë eksperimentimit mbi pozicionin e fortifikuar të një skuadre të këmbësorisë, që shtrihej në një sipërfaqe prej rreth 150 m², u hodhën 719 predha. Kuptohet, për pozicionin e togës i bie të hidheshin 3×719=2157 predha, gjë që flet për një vëllim zjarri të madh, që është mbi mundësitë reale në situatë luftarake.

Përpara eksperimentit u krijuan kushtet, që qitja mbi objekt të realizohej pa asnjë mangësi, duke bërë matje të sakta të largësive dhe përcaktuar me kohë koordinatat, gjë që në situatë reale luftarake  këto kushte zor se mund të krijohen. Gjithashtu, efektivi artiljer u stërvit me kohë në rajonin që do të zhvillohej ky eksperiment.

Qendrat e zjarrit dukeshin me pajime të plotë, ishin të pa maskuara dhe të pa rrafshuara me tokën. Në situatë reale do të jetë e vështirë të zbulohen, qendrat e zjarrit, dhe të goditen me aq saktësi, si në provën  eksperimentale që zhvilluam ne.

Në eksperimentin tonë i takoi 4,8 predha për m². Po të shumëzohet sipërfaqja që zë toga e këmbësorisë, 50.000 x 4,8, do të duhej të hidheshin 240.000 predha, që po t’i shumëzosh me peshën mesatare të një predhe, duhen 2660 tonë municion, vetëm për të përpunuar  me zjarrin e artilerisë pozicionin e fortifikuar të një toge të këmbësorisë në mbrojtje.

Kur të shkoni ndonjëherë në Sarandë, hidhni sytë nga ajo fushë, ku, do të shikoni disa njolla të bardha pulla-pulla. Ato janë copat e betonit që kanë mbetur nga shkatërrimi i qendrave të zjarrit në të gjithë atë sistem kodrash përreth fushës. Ato vulosin turpin e shkatërruesve të organizuar të qendrave të zjarrit, të cilët s’kanë të ndaluar edhe sot.

Harxhimi më i madh i municioneve të artilerisë, që njeh historia e Luftës së Parë Botërore, është ai i ushtrisë aleate kundër Gjermanisë. Gjatë kundërmësymjes që u zhvillua prej 13 deri më 26 gusht të vitit 1917, në një front prej 15 km, u hodhën 14.000.000 predha. Dukë pasur një gjerësi fronti 15.000 m dhe thellësi 1000 m sipërfaqja ishte: 15.000 x 1000 = 15.000.000 m², që i bie: 14.000.000 : 15.000.000 = 0.93 predha për m². Ose në betejën e Stalingradit, më 3 shkurt 1943, në 5000 garnizone u hodhën 70.000 predha, që i takon 140 predha për çdo garnizon.

Kjo sasi predhash, në qoftë se do të përdorej për të krijuar dendësinë që u arrit në eksperimentin tonë, do të mjaftonte  për të përpunuar me zjarr artilerie vetëm tre pikëmbështetje të fortifikuara toge.

Po kështu edhe gjatë luftës në Vietnam, ushtria amerikane, në vitet 1950-1952, mbi 400 garnizone hodhi 6.075.000 predha. Me këtë sasi predhash, në qoftë se do të arrihej dendësia e predhave të eksperimentit tonë, do të ishte e mjaftueshme për të përpunuar me zjarr artilerie 215 pikëmbështetje të fortifikuara toge ose 24 rajone të fortifikuara batalioni.

Përfundimet na vlejnë për t’u mbajtur parasysh gjatë përdorimit të artilerisë e të zjarrit të saj nga kundërshtari, për bllokimin e qendrave të zjarrit dhe të humbjeve të forcave që janë brenda tyre.

Në eksperimentin që u krye rezultoi: transhetë, që lidhnin qendrat e zjarrit me njëra-tjetrën, u dëmtuan aq sa nuk ekzistonin më, ndërsa hyrjet e qendrave të zjarrit ishin bllokuar me dhè.

Të pesë qendrat e zjarrit, të cilat kishin formë dhe cilësi të njëjtë teknologjike, nuk patën dëmtime të mëdha; vetëm nga qitja me topin 75 mm rezultoi i dëmtuar elementi “E-2”, për të cilin, pas eksperimentit, u prodhua një element përforcues, “E-6”, që iu montua përpara, për ta mbrojtur.

Eksperimenti tregoi se zjarri i artilerisë, që u derdh mbi atë pozicion të fortifikuar, asgjësoi plotësisht forcat e gjalla, që u vendosën në transhe, ndërsa ato që ishin future në qendrat e zjarrit, patën humbje shumë të vogla.

Ky eksperiment u ideua, u organizua dhe u udhëhoq drejtpërdrejt nga strategu ynë ushtarak me përvoja luftarake, Mehmet Shehu.

Me qëllim që të provohej veprimi i predhës që binte në afërsi të qendrës së zjarrit, sidomos pranë frëngjisë, për të parë ç’efekt kishte brenda në qendrën e zjarrit në kohën e plasjes, ç’masë dheu zhvendosej prej saj dhe pasojat mbi frëngjinë, u provua me një predhë mortaje 160 mm (predhë eksplozive). Ajo u vendos afër elementit “E-6”, përpara frëngjisë, u gropos në thellësinë 1,82 m, sipas llogaritjeve që bënë specialistët, në bazë të gropës që hap predha kur bie në tokë me fortësi mesatare.

     

 Qitja u presupozua se u krye nga largësia 3200 m.

 Mbushje e predhës 3.

 Pesha e përgjithshme e predhës, 41,14 kg.

 Gjatësia e përgjithshme e predhës, 1,120 m.

 Diametri i predhës, 0.160 m.

 Pesha e lëndës plasëse, 9,03 kg.

 Pesha e lëndës plasëse për shpërthim, 0,75 kg.

 Këndi i rënies 75°.

 Shpejtësia fillestare e predhës, 234 m/sek.

 Djegorja, me veprim të vonuar.

 Qendra e zjarrit “M-22”, e vendosur në terren kodrinor, në tokë të butë.

 Përmasat e frëngjisë:      Nga jashtë, 120 x 40 cm,

                                          Nga brenda,  40 x 20 cm.

 Largësia e vendosjes së predhës në raport me frëngjinë, 1.5 m.

Rezultati: – Zhvendosja e dheut u bë në formë konike, duke hedhur 1,7 m³ dhe në drejtim të frëngjisë, e cila e kufizoi pamjen. Ushtarit iu deshën 9,3 minuta të rivendoste pamjen e sektorit të qitjes, duke vepruar jashtë situatës luftarake. Nëse masa e dheut është e madhe dhe e pamundur  për ta larguar, duke punuar nga brenda, atëherë ai duhej të luftonte duke dalë në transhe, në “mustaqet” e qendrës së zjarrit.

Efekti i presionit të ajrit në çastin e plasjes së predhës, mbi ushtarin brenda në qendrën e zjarrit, rezultoi i papërfillshëm.

Përfundimi i këtij eksperimenti dhe përvoja e veprimeve stërvitore të ushtrisë sonë na bindën se fortifikimi, që u zbatua në vendin tonë, si nga ana teknologjike ndërtimore, ashtu dhe në vendosjen taktike e operative të objekteve, siguronin mbrojtje të qëndrueshme dhe aktive.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

30 ditë kohë për të paguar gjobën, ndryshe bllokohet mjeti

Story i radhës

Funerali i ushtarëve ukrainas në Lviv

Të fundit nga

Conceicao e sheh të ardhmen te Juventusi

E ardhmja e Francisco Conceicao duket se do të jetë te Juventusi. Lojtari i krahut, i ardhur në huazim kësaj vere nga Porto për një shumë totale 7 milionë euro (përfshirë 2
ShkoLartë