Izraeli rrethon spitalet Al-Rantisi dhe Al-Nasr në Gaza

Ministria e Shëndetësisë në Rripin e Gazës ka njoftuar se ushtria izraelite po rrethon spitalet Al-Rantisi dhe Al-Nasr në qendër të Gazës, transmeton Anadolu.

“Pacientët fëmijë janë në rrezik fatal për shkak të rrethimit ushtarak izraelit të spitaleve”, tha në një deklaratë zëdhënësi i ministrisë, Ashraf al-Qudra.

Ai shtoi se personeli mjekësor dhe personat e zhvendosur në dy spitalet janë nën një rrethim të plotë pa ushqim dhe ujë.

Më herët, ministri palestinez i Shëndetësisë, Mai Alkaila, tha se 18 spitale në Gaza pushuan së funksionuari që nga fillimi i sulmit izraelit në fillim të tetorit.

“Izraeli po ia kthen shpinën komunitetit ndërkombëtar dhe po vazhdon krimet e saj kundër spitaleve, qendrave shëndetësore dhe qendrave të strehimit në të gjithë Rripin e Gazës”, tha Alkaila në një deklaratë të cituar nga agjencia zyrtare e lajmeve Wafa.

Sot herët, ushtria izraelite goditi spitalin kryesor të Gazës Al-Shifa, duke lënë viktima të shumta në mesin e shumë palestinezëve të zhvendosur që ishin strehuar në spital.

Pothuajse të gjitha spitalet në Rripin e Gazës të rrethuar u vunë nën sulme ajrore izraelite në 24 orët e fundit, përfshirë spitalin Al-Shifa, i cili u godit nga të paktën katër raunde të sulmeve ajrore izraelite në të njëjtën periudhë.

Izraeli ka nisur sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës, duke përfshirë spitalet, rezidencat dhe objektet e adhurimit, që nga sulmi ndërkufitar i grupit të rezistencës palestineze Hamas më 7 tetor.

Të paktën 11.078 palestinezë, duke përfshirë 4.506 fëmijë dhe 3.027 gra, janë vrarë që atëherë. Ndërkohë, sipas shifrave zyrtare, numri i të vdekurve në Izrael është gati 1.600.





Story i mëparshëm

Andonovski nga për Raportin e KE-së: “Fjala më e përdorur është se nuk ka përparim”

Story i radhës

“Ka vrarë 2 policë, u dënua 25 vite”, gazetarja: Rexhepi person shumë i rrezikshëm

Të fundit nga