Në prag të 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në Shkup janë nderuar mësimdhënësit që ndër vite kanë dhënë kontribut në zhvillimin dhe ruajtjen e arsimit në gjuhën shqipe.
Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, bëri të ditur se në këtë aktivitet janë ndarë mirënjohje për mësimdhënësit në pension dhe ata që vazhdojnë të jenë aktivë në procesin edukativo-arsimor, duke vlerësuar përkushtimin e tyre në edukimin e brezave të rinj.
Mexhiti theksoi se pas Kongresit të Manastirit, i cili i dha gjuhës shqipe një alfabet të përbashkët, ishin pikërisht mësuesit ata që e përcollën atë brez pas brezi.
“Shumë prej atyre që nderuam sot kanë dhënë mësim në kohë kur edhe sigurimi i një teksti shkollor në shqip apo hapja e një paraleleje kërkonte përpjekje të mëdha. Disa nga nxënësit e tyre sot janë vetë mësimdhënës”, u shpreh Mexhiti.
Ai nënvizoi se institucionet kanë përgjegjësi të dëgjojnë zërin e mësimdhënësve dhe të angazhohen për përmirësimin e kushteve në arsim.
“Si institucione, kemi përgjegjësi ta dëgjojmë fjalën e tyre dhe të punojmë për tekste cilësore në shqip, kushte të denja në shkolla dhe mbështetje në punën e përditshme”, deklaroi Mexhiti.
Në fund, ai shprehu mirënjohje për të gjithë mësimdhënësit që ndër vite ia kanë kushtuar jetën mësimit në gjuhën shqipe, duke uruar Ditën e Alfabetit Shqip.
Burimi: alfax.mk


