Marina e Estonisë ka bërë të ditur se anija ruse e mallrave, Sparta II, nuk rrezikon të fundoset, pavarësisht se është goditur në një incident pranë ujërave finlandeze, përcjell Bota sot.
Komandanti i Marinës së Estonisë, Ivo Vark, tha se anija nuk është në gjendje t’i përdorë motorët, por ekuipazhi ndodhet ende në bord dhe operacioni i shpëtimit po menaxhohet nga autoritetet finlandeze.
Ai bëri të ditur se në afërsi ndodhen disa anije, përfshirë një mjet të marinës finlandeze. Ndërkohë, edhe një anije estoneze është dërguar në zonë, në rast se nevojitet mbështetje për operacionet e kërkim-shpëtimit.
Sa i përket shkakut të incidentit, Vark tha se, sipas Forcave Ajrore të Estonisë, dronët ka shumë gjasa të kenë ardhur nga Ukraina.
Ai shtoi se në momentin e sulmit, anija ndodhej në zonën ekskluzive ekonomike të Estonisë, por më pas kishte lëvizur drejt zonës ekskluzive ekonomike dhe ujërave territoriale të Finlandës.
Burimi: botasot.info


