​Iu dha lamtumira e fundit ish-komandantit Deli Lekaj

min lexim

Me nderime të larta iu dha lamtumira e fundit ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Deli Lekaj, për të cilin u tha se nuk kishte asnjë betejë në rrafshin e Dukagjinit që nuk mori pjesë.

Në fshatin Lumbardh të Deçanit u mblodhën familjarë, shok e bashkëluftarë të tij, të cilën bën homazhe dhe vlerësuan lartë kontributin e tij gjatë luftës, si dhe pas saj.

Myrteza Lekaj, vëllai i ish-komandantit, e ka kujtuar atë si luftëtar të kalitur dhe të betuar në çdo situatë për ta mbrojë vendin. Ai tha se Deliu ishte i gjithë Kosovës.

Lekaj: Deliu nuk ishte vetëm i yni por i mbarë Kosovës

“Ai e deshi Kosovën dhe për të nuk e ka kursyer as vetën, sa herë që atdheu e thirri, Deliu ishte ndër të parët që iu bashkua luftës për liri pranë UÇK-së, në Zonën Operative të Dukagjinit. Ishte themelues dhe komandant i shtabit lokal të UÇK-së në Lumbardh. Luftëtar i kalitur, i betuar që në çdo kohë dhe situatë të mbrojë çdo pëllëmbë të Kosovës që shumë e deshi…Ai besonte në synimet që i kishte venë vetes për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës…Në 54-vite jetë që kishte, sfidat i kishte të shumta, por sfidave iu bëri ballë gjithmonë, ashtu siç iu bëjnë ballë komandantët e lirisë. Ai ishte shembull për të gjithë ne, humbja e tij e hershme është plagë e hapur për të gjithë, sepse Deliu nuk ishte vetëm i yni por i mbarë Kosovës. Veprimtaria që la ai pas vetës nuk do të vdesë asnjëherë, ai do të kujtohet gjithmonë si pishtar lirie e flakadanë shprese”, tha ai.

Ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit dhe tash kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kujtuar ish-komandantin Lekaj si një njëri me shumë guxim, derisa ka shtuar se shembulli i tij do të jetojë gjithmonë.

Haradinaj: Shembulli, vepra, lufta e Deli Lekaj do të jetojnë me ne

“Jam bë këtë vend që janë krijuar njësitë e para të UÇK-së, njësi të cilave iu ka prirë me nderë, krenari po edhe me shumë guxim miku im personal, bashkëluftuar i im, Deli Lekaj. Jam i bindur që sot kur e përcëllim Delin, ne e dimë se nuk përfundon këtu Delia, ai nuk është me ne më, por shembulli, vepra, lufta e tij do të jetojnë me ne”, tha Haradinaj.

Bashkëluftëtari Adem Grabovci, është shprehur krenar për veprat që ka lënë pas ish-komandanti Deli Lekaj. Ai tha se sakrifica e tij i tejkalon përmasat e fshatit dhe komunës.

Grabovci: Deliu vlerë gjithë kombëtare

“Deliu iu takon juve vetëm për aq sa e rritet e edukuar. Deliu me veprën, sakrificën, angazhimet dhe përkushtimet i tejkalon përmasat e fshatit dhe komunës tuaj, është një vlerë gjithë kombëtare. Prandaj kjo dhembje, njerëzit e tillë, të këtij niveli kur ndahen, vërtetë lënë një boshëllëk por edhe shkaktojnë një dhimbje, por njëkohësisht është nder dhe krenari edhe për familjen, fshatin dhe komunën që kemi pas fatin dhe nderim që në mesin tonë ta kem një njeri si Deliu. Ne të gjallëve na takon që të zotohemi edhe sot në lamtumirën e fundit që ja dhamë Deliut se kurrë nuk do të ndalemi për të punuar për arritjen e qëllimit tonë final”, tha ai.

Rasim Agushi, komandant dhe njëherit bashkëluftuar, është shprehur i mërzitur për vdekjen e ish-komandantit. Ai e ka vlerësuar figurën e tij si ndër figurat më të shkëlqyeshme.

Agushi: Deliu ka marrë pjesë në gjitha betejat e zhvilluara në Dukagjin

“Ka qenë një ndër themeluesit e parë në shtabin lokal në Lumbardh dhe ka marrë pjesë në gjitha frontet dhe betejat ku është zhvilluar në Dukagjin…Ka qenë figurë e shkëlqyeshme dhe shembullore…Ka kryer detyrat si më së miri me graden kapiten dhe shef i operatives në sektorin më të ndjeshëm në Trupat Mbrojtës të Kosovës”, tha ai.

Bekë Berisha, bashkëluftuar i ish-komandantit dhe njëherit deputet nga AAK, tha se Deli Lekaj mbetet inspirim për çdo brez. Derisa ka shtuar se humbja e tij është humbje e madhe për gjithë kombin shqiptar.

Berisha: Deli Lekaj ishte dhe mbetet inspirim për brezat

“Deli Lekaj ishte dhe mbetet inspirim për brezat se si duhet të mbrohet atdheu, si duhet të luftohet dhe sakrifikohet për atdhe. Delia ka qenë një person që ka dhënë shume për Kosovën, ka qenë njeri ndër luftërat më të mirë që ka pasur jo vetëm rrafshi Dukagjinit por tërë Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe sot humbja e tij është humbje e madhe, jo vetëm për familjen, shoqërinë por për gjithë kombin shqiptar”, tha Berisha.

Deli Lekaj ishte nder pjesëtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare, i cili u plagos rëndë në vijat e frontit të hapur. Pas përfundimit të luftës, kontributin e tij për shtetndërtim e vazhdoi në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, ku shërbeu si shef i operatives në zonën 3-të TMK-së, me gradën e kapitenit, të cilën detyrë e vazhdoi deri në transformimin e Trupave Mbrojtëse të Kosovës në Forcën e Sigurisë së Kosovës, ku u bë edhe pjesë e saj, por për shkak të plagëve të luftës u pensionua para kohës.

Deliu ishte invalid i luftës së UÇK-së.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Të dyshuar si vrasës me pagesë, Gjykata e Durrësit lë në burg vëllezërit Beqiraj

Story i radhës

Kështu duket tabela në Grupin e Ballkanit

Të fundit nga