Një nga valët e të nxehtit më të keq të viteve të fundit duket se do të dominojë Italinë edhe për të paktën 10 ditë të tjera, veçanërisht në zonat qendrore dhe jugore të vendit.
Me anticiklonin afrikan tashmë janë arritur temperaturat 42-44°C në hije në jug dhe në Sardenjë, por termometri do të rritet sërish ndjeshëm dhe në të gjithë Italinë dhe nuk përjashtohen vlera më të larta, me majat deri në 45°C.
Këto janë parashikimet e Mattia Gussoni, meteorolog i faqes www.ilmeteo.it, i cili konfirmon mundësinë që disa rekorde në qershor të thyhen, me kolonën e merkurit që do të rritet deri në 39-40°C në Romë dhe Firence.
“Rreziku më i madh i kësaj vale të nxehti do të jetë kohëzgjatja. Vapa mund të vazhdojë në Itali deri më 4-5 korrik, me disa stuhi të izoluara vetëm në Alpe dhe në veriperëndim. Mesdheu tashmë shënon pesë gradë Celsius më lart se mesatarja. Për të paktën 10 ditë nuk priten reshje të konsiderueshme, ndërkohë që thatësira ekstreme, e pranishme kryesisht në veri, do të përkeqësohet”, deklaroi ai./ATSH