Kur duhet edhe një javë që të nisë turneu Masters i Romës në tenis, organizatorët e këtij eventi mund të marrin një vendim për të ndaluar pjesëmarrjen e tenistëve rusë e bjellorusë (si pasojë e pushtimit të Ukrainës).
Një vendim të tillë ka marrë para disa ditësh edhe grand slam i Wimbledon, që zhvillohet në qershor në Londër.
Ai që ka kërkuar marrjen e një mase të tillë ekstreme është presidenti i Komitetit Olimpik Italian (CONI), Giovanni Malago:
“Si president i CONI dhe anëtar i IOC, merrem me politikë sportive. IOC na ka rekomanduar që të mos ftojmë sportistët rusë dhe bjellorusë në evente sportive ndërkombëtare”.
“Wimbledon e mori një vendim të tillë, ndaj duhet ta marrim edhe ne. Gjithsesi, i takon qeverisë të zyrtarizojë gjithçka. Besoj se po studiojnë situatrën dhe vlerësojnë gjërat në mënyrën e duhur. Uroj të merret vendimi i drejtë”, tha Malago. Kundër vendimeve të tilla ekstreme është Federata Ndërkombëtare e Tenisit, që ka kërkuar pjesëmarrjen e tenistëve rusë e bjellorusë si neutralë.