SÜHA GÜR
Presidenti i Klubit të Garave të Jahteve në Det të Hapur të Istanbulit, Ekrem Yemlihaoğlu tha se janë duke u përgatitur për Garat Presidenciale Ndërkombëtare të Jahteve që do të zhvillohen midis 25 korrik dhe 30 tetor në Istanbul.
Në një prononcim për Anadolu, Yemlihaoğlu para aktivitetit tradicional tha se datat e garave tashmë janë afruar dhe se këtë vit garat do të mbahen në 2 etapa.
“Etapa e parë e garave në Muğla do të mbahet midis 25-30 korrik mes Bodrum-it dhe Marmaris-it. Ndërkaq, etapa e dytë si çdo herë do të mbahet më 29 tetor në Ngushticën e Istanbulit”, tha ai duke shtuar se me kalimin e viteve organizimi është shndërruar në një aktivitet tradicional dhe të zhvilluar.
Ai theksoi se pjesëmarrja në gara çdo vit gjithnjë e më shumë shënon rritje, ku këtë vit në etapën Muğla do të garojnë 50 ekipe me mbi 400 sportistë, të cilët vijnë nga 12 deri 14 vende. “Do të jetë një etapë tejet e vështirë”, tha Yemlihaoğlu duke u uruar suksese sportistëve që do të garojnë në një mot të nxehtë.
Yemlihaoğlu tha se organizimet që bëjnë kanë dhënë kontribut të madh në sportin e lundrimit në Türkiye.
“Ne kontribuojmë në zhvillimin e lundrimit në kuptimin sportiv duke zënë vend në agjendën e shtypit sportiv dhe përpiqemi të kryejmë një detyrë vërtet të madhe për promovimin e atdheut tonë parajsor. Përveç kësaj, ne jemi vendosur në një pozicion shumë të respektuar dhe prestigjioz në aspektin ndërkombëtar. Jemi krenarë, po është e lodhshme, por rezultatet janë shumë pozitive”, tha Yemlihaoğlu
“Ne jemi gati për të arritur me vendet të nivelit evropian ose amerikan”
Yemlihaoğlu tha se Türkiye është gati të arrijë vendet më të mira në lundrim. Duke iu referuar faktit se Türkiye ka ekipe shumë serioze që konkurrojnë jashtë vendit, Yemlihaoğlu tha: “Këto janë sporte që bëhen sigurisht me kosto të mëdha, por ka ekipe që kanë arritur suksese të mëdha. Sportistët e Federatës sonë të Lundrimit dhe atletët e klubeve arrijnë suksese të mëdha në përgatitjet dhe audicionet e tyre olimpike në mosha më të reja”.
“Mendoj se do të arrijmë vendet në nivel evropian apo amerikan për sa i përket cilësisë së sportistëve në Türkiye. Atletët me atë cilësi të fuqisë luftarake dhe disiplinës po shtohen dita-ditës. Jemi shumë krenarë për vëllezërit tanë. Ne po bëjmë çmos që t’i mbajmë në agjendë sa të mundemi, t’u japim forcë dhe mbështetje”, tha ai.
Duke shpjeguar se kapaciteti i tyre organizativ është rritur ndjeshëm dhe kanë marrë oferta të rëndësishme bashkëpunimi nga jashtë, Yemlihaoğlu tha: “Sinqerisht, ka shumë oferta nga jashtë për të bashkëpunuar në këtë garë. Ka vende të rëndësishme që duan t’i organizojmë këto gara së bashku me 2 shtete. Ne jemi të detyruar të kryejmë çdo udhëzim që presidenti ynë jep në këtë drejtim, por ka shumë vende dhe klube ndërkombëtare që duan të marrin pjesë në këtë garë si partner dhe bashkëpunëtor”.
“Ata që vijnë në vendin tonë janë të befasuar”
Yemlihaoğlu tha se mysafirët e tij që erdhën në Türkiye për lundrim ishin të befasuar nga standardet e vendit. Ai tha se sporti i lundrimit prek edhe fusha si marinat, jahtet dhe prodhimin e anijeve.
“Mysafirët tanë nga jashtë janë vërtet të befasuar nga bukuritë e Türkiye-s dhe kapaciteti i saj për këtë biznes. Me kapacitet nënkuptoj marinat, komitetet e arbitrave dhe aftësitë e klubit. Sportistët e lundrimit dhe lundrimi me jaht janë një fushë ku më parë ne ishim të përfaqësuar me më pak mundësi në Evropë dhe në botë”, tha Yemlihaoğlu duke shtuar:
“Ata janë të befasuar që ne kemi kapacitete kaq të larta teknike në natyrën tonë të mrekullueshme. Standardet tona janë të sigurta mbi shumë vende të botës. Ky sport prek edhe marina, jahti, prodhimi dhe mirëmbajtja e varkave dhe ne jemi më lart se shumë vende në këto fusha. Jemi shumë të lumtur që kjo rezultoi. Ata që vijnë befasohen në këtë fushë”.