Parlamenti i Islandës ka votuar të enjten në favor të mbajtjes së një referendumi më 29 gusht për nisjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke mbështetur planin e qeverisë që mund të çojë në anëtarësim në bllokun me 27 shtete.
Reykjaviku kishte ndërprerë negociatat në vitin 2013 pas katër vitesh bisedimesh, kur në pushtet erdhi një qeveri euroskeptike. Megjithatë, rritja e kostos së jetesës dhe lufta në Ukrainë kanë ringjallur interesin për anëtarësim, sipas sondazheve.
Nëse qytetarët votojnë pro rifillimit të negociatave, kushtet përfundimtare të anëtarësimit në BE do të duhet të miratohen në një referendum të dytë, ndërsa një votë “jo” do t’i japë fund përpjekjeve për rifillimin e bisedimeve, ka bërë të ditur qeveria.
Shumë votues janë ende të pasigurt për mbështetjen e anëtarësimit dhe mund ta shohin si të dobishëm procesin me dy faza, tha Olafur Thordur Hardarson, profesor i shkencave politike në Universitetin e Islandës.
“Një pjesë e madhe ende nuk ka vendosur përfundimisht nëse dëshiron të anëtarësohet apo jo, dhe shumë prej tyre duan këtë referendum, sepse duan të shohin kushtet e një marrëveshjeje të mundshme,” tha ai.
Anëtarësimi i vendit me rreth 400 mijë banorë do ta zgjeronte praninë e BE-së në Atlantikun e Veriut, në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump kërkon të ushtrojë kontroll mbi Groenlandën.
Në parlamentin prej 63 ulësesh të Islandës, 34 deputetë votuan pro referendumit, 8 kundër, 14 abstenuan dhe 7 munguan.
Ministrja e Jashtme Þorgerður Katrín Gunnarsdóttir ka deklaruar më herët se është optimiste që Islanda mund t’i bashkohet BE-së deri në vitin 2028, ndërsa çështjet më të vështira pritet të jenë peshkimi dhe bujqësia.
Burimi: botasot.info


