Ish zyrtari i NATO-s: Lufta në Ukrainë, test për sigurinë kolektive, Kosova të përgatitet për NATO

March 1, 2022
min lexim

Lufta nuk është vetëm krizë për Ukrainën; është edhe krizë midis diktatorëve autoritarë – që mendojnë se forca është e drejtë – dhe demokracisë perëndimore. Kështu thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë Jamie Shea, ish-zëvendës i ndihmësit të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s.

Shea thotë se shqetësimi më i madh i NATO-s, për momentin, është të parandalojë përhapjen e konfliktit në territorin e ndonjë vendi anëtar të aleancës.

Sipas tij, presidenti rus, Vladimir Putin, është i vendosur që ta shtypë Ukrainën me çdo çmim. Shea pret që Putin t’i ashpërsojë taktikat e luftës, ndërsa dërgesa e armëve në Ukrainë të bëhet më e vështirë.

Sipas tij, vendosja e forcës bërthamore në gjendje të gatishmërisë është “marifet propagandues” i Putinit. Shea thotë se SHBA-ja dhe NATO-ja kanë mjete për t’i përcjellë lëvizjet e mundshme të armatimit bërthamor.

Shea po ashtu thotë se bota është dashur të mendojë për frenimin e Putinit njëzet vjet më parë. Sanksionet nuk do të bëjnë punë menjëherë, sipas tij.

Ai ndalet edhe te ndikimi i mundshëm i luftës në Ballkanin Perëndimor dhe thotë se komuniteti ndërkombëtar duhet t’i bëjë “presion masiv” Serbisë për t’i çuar përpara bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Rusia do të ndryshojë taktikën

Radio Evropa e Lirë: Zoti Shea, forcat ruse kanë hasur në rezistencë të fortë në Ukrainë. A pritej kjo?

Jamie Shea: Nuk mendoj se [presidenti rus, Vladimir] Putin e ka pritur këtë rezistencë të fortë. Në mediat sociale shohim postimet e disa ushtarëve rusë, të rekrutëve që janë dërguar në Ukrainë dhe ata tregojnë se si gjeneralët e tyre u kanë thënë se kjo do të jetë një detyrë e lehtë, se do të priten si çlirimtarë nga ukrainasit. Natyrisht se nuk ka ndodhur kështu, por kjo tregon pakëz mentalitetin e ushtrisë ruse.

Së dyti, Putin fillimisht ka dërguar pak trupa, rreth 30 për qind nga 200,000 trupat e grumbulluara në kufi, bashkë me pajisje të lehta. Mendoj se ka pritur përparim të shpejtë, por ukrainasit kanë bërë rezistencë të madhe.

Tani, natyrisht se shohim ndryshim të taktikës ruse, duke përdorur artileri, armë termobarike, bomba thërrmuese, gjëra shumë të këqija që i dëmtojnë edhe civilët. Mendoj se kjo është një shenjë e dëshpërimit të tyre, sepse fushata e tyre nuk ka shkuar sipas planit dhe tani u duhet t’i rrisin përpjekjet për ta mposhtur Ukrainën sa më shpejt që është e mundur.

Putin është mësuar me fitore të lehta ushtarake. Unë mendoj se ai e kupton rrezikun për të dhe regjimin e tij, nëse rusët vërtet ngecin në Ukrainë.

Radio Evropa e Lirë: Sa larg mendoni se mund të shkojë Putin?

Jamie Shea: Mendoj se është i përgatitur të shkojë aq larg sa i duhet. Ai e ka nisur këtë dhe është shumë vonë të tërhiqet, sepse rrezikon poshtërimin politik për mospërmbushje të objektivave.

Fakti që tani ka sjellë armët termobarike, që e thithin oksigjenin nga atmosfera dhe mund të vrasin numër të madh njerëzish, fakti që ka sjellë artileri shumë më të madhe, fakti që tani sulmon infrastrukturën e Ukrainës, si për shembull rafineritë e naftës, rrjetet e energjisë etj., tregon se ai nuk brengoset nga reagimi i komunitetit ndërkombëtar. Unë mendoj se ai është i vendosur që ta shtypë Ukrainën me çdo çmim.

Problemi është se, derisa ne brohorisim për trimërinë e ushtarëve ukrainas, që kanë rezistuar shkëlqyeshëm deri tani, Putini do të përpiqet të rrisë presionin sa më shumë që të rezistojnë ata.

Uniteti i Perëndimit e ka zënë Putinin në befasi

Radio Evropa e Lirë: Rusia gjithashtu duket se e ka nënvlerësuar unitetin e Perëndimit me Ukrainën…

Jamie Shea: Unë mendoj se kjo është absolutisht e saktë. Putin gjithmonë ka menduar se Bashkimi Evropian nuk do të dakordohet për sanksione domethënëse. Ajo që Perëndimi ka ndërmarrë kundër Putinit, pasi ai ka aneksuar Krimenë në vitin 2014, ka qenë relativisht e butë, sidomos nëse krahasohet me sanksionet sot. Edhe në atë kohë, sanksionet i kanë shkaktuar dëme ekonomisë ruse, por Putin ka menduar se mund ta menaxhojë, sepse çmimi i aneksimit të Krimesë dhe i inkursionit në Donbas ia ka vlejtur.

Putin ka menduar se Gjermania nuk do t’i rrezikojë kurrë marrëdhëniet financiare dhe biznesore me Rusinë, se italianët nuk do të rrezikojnë kurrë shitjen e mallrave luksoze “Gucci”… Dhe po, mendoj se ai është befasuar vërtet nga uniteti i Perëndimit.

Mendoj se gjëja e fundit që Putin dëshiron janë këto radhë të gjata të rusëve të zakonshëm, që presin jashtë bankave për të tërhequr paratë e tyre, nga frika se ato banka do të shemben. Mendoj se është habitur që sistemi bankar SWIFT është përfshirë në sanksione. Rusët kanë menduar se një gjë e tillë do të shkaktonte dëme edhe te ne në Perëndim dhe ne nuk do ta bëjmë kurrë.

Ai po ashtu është befasuar që asetet e Bankës Qendrore Ruse, me vlerë 620 miliardë dollarë, janë ngrirë. Dhe, të gjitha këto kanë ndodhur shumë shpejt.

Janë edhe gjëra të tjera që mund të jenë simbolike – si për shembull moslejimi i ekipit rus që të konkurrojë në Kupën e Botës në futboll – por që do t’i tregojnë realitetin e izolimit – në mënyrë brutale – një qytetari të zakonshëm rus.

Oligarkët “duhet ta ndiejnë dhimbjen” e sanksioneve

Radio Evropa e Lirë: Po, çfarë nëse sanksionet, sado të rënda dhe të paprecedente të jenë, nuk e ndalojnë atë?

Jamie Shea: Kjo është një pyetje e mirë. Unë jam personi i parë që e pranoj se sanksionet nuk do ta ndalojnë Putinin në ditët apo javët e ardhshme, që të vazhdojë sulmin ushtarak kundër Ukrainës.

Kjo është arsyeja përse Perëndimi duhet të bëjë gjëra të tjera, përveç sanksioneve.

Padyshim, situata humanitare tani po bëhet akute. Mbi gjysmë milioni ukrainas janë larguar nga vendi. Me më shumë taktika brutale të Rusisë, më shumë refugjatë dhe të zhvendosur do të mbërrijnë në Poloni. Pra, është thelbësore që Bashkimi Evropian, jo vetëm Polonia, ose Moldavia, ose Rumania, por e gjithë BE-ja të ketë një plan për krizën humanitare.

Dërgesat e armëve rrezikojnë të shkatërrohen nga Rusia

Gjëja e dytë është dërgimi i armëve në Ukrainë. Nuk do të jetë e lehtë. Ka qenë më e lehtë të dërgohet avioni me armatim në Kiev përpara pushtimit. Tani që Rusia kontrollon pjesën më të madhe të hapësirës ajrore dhe mund t’i shënjestrojë armët që vijnë në Ukrainë, do të jetë më e vështirë, por jemi këtu ku jemi. Së paku, vendet si Gjermania e Holanda, që kanë qenë mjaft të rezervuara në lidhje me furnizimin e Ukrainës me armë, tani kanë vendosur ta bëjnë një gjë të tillë. Madje edhe Bashkimi Evropian, për herë të parë në historinë e tij, po e furnizon [Ukrainën] me armë.

Ajo që na duhet tani është një plan për t’i ndihmuar ukrainasit që t’i fusin ato armë në Ukrainë. Ekspertët ushtarakë mendojnë se deri në 25% e armatimit mund të kapet ose shkatërrohet nga rusët, përpara se të arrijë te ukrainasit. Pra, kjo është thelbësore, të ndihmohet ushtria ukrainase për të rezistuar dhe të rritet çmimi për Putinin.

Por, t’iu kthehem sanksioneve, ju keni të drejtë. Të gjithë e dimë se sanksionet, edhe aq drakoniane sa janë për momentin, kërkojnë kohë për të qenë efektive. Oligarkët duhet ta ndiejnë dhimbjen dhe të distancohen nga Putini, rusët e zakonshëm duhet të shohin se lufta në Ukrainë ul standardet e jetesës, duke e çuar vendin në kohërat sovjetike.

Nëse kjo është politika që ka adoptuar Perëndimi: sanksione, sanksione, sanksione, atëherë ne duhet t’i bëjmë ato të funksionojnë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Uniteti dhe natyra vërtet e thellë e sanksioneve janë të papara në jetën time. Kjo më jep pak shpresë, sepse këtë herë janë të koordinuara, pak a shumë e nxjerrin Rusinë jashtë sistemit global financiar. Nëse këto nuk funksionojnë, atëherë asnjë palë sanksione nuk do të funksionojnë ndonjëherë në të ardhmen.

“Është dashur të mendojmë 20 vjet më parë” se si ta pengojmë Putinin

Radio Evropa e Lirë: A e ka nënvlerësuar Perëndimi kërcënimin rus? A ka qenë kjo luftë e evitueshme?

Jamie Shea: Edhe kjo është një pyetje e mirë. Ne gjithmonë e kemi ditur se Putin është i vendosur ta shtypë pavarësinë e Ukrainës.

Unë kam qenë në një takim me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s në Bukuresht, në vitin 2008 – ka qenë një samit i NATO-s. Unë kam qenë në dhomë, kur Putin na ka thënë se për sa i përket atij, Ukraina nuk është shtet, është një krijesë artificiale që, në fakt, është pjesë e Rusisë. Kjo ka ndodhur në vitin 2008, kur Putin vinte në samite të NATO-s dhe ne kishim marrëdhënie relativisht bashkëpunuese me Rusinë, si për shembull në Afganistan, në luftën kundër terrorizmit.

Kështu që, unë mendoj se ai e ka bërë gjithmonë të qartë armiqësinë e tij ndaj Ukrainës. Mendoj se likuidimi i pavarësisë së Ukrainës, për të rivendosur perandorinë cariste, ka qenë gjithmonë pjesë e master-planit të Putinit.

A kemi mundur ta ndalim atë? Ndoshta ta kishim pranuar Ukrainën në NATO menjëherë pas vitit 2008, ose t’ia kishim ofruar perspektivën e anëtarësimit në BE. Por, nuk është e sigurt se një gjë e tillë do të kishte funksionuar; mund ta kishte provokuar Putinin që ta sulmonte Ukrainën edhe më herët.

Sipas mendimit tim – duke e ditur kërcënimin rus – është dashur të nisim shumë më herët trajnimin dhe pajisjen e ushtrisë ukrainase. Së dyti, është dashur të miratojmë një strategji më herët, për t’i privuar forcat e armatosura ruse nga teknologjia e avancuar.

Duke i ditur ambiciet e Putinit, është dashur të mendojmë 20 vjet më parë se çfarë mund të bëjmë për t’ia vështirësuar Putinit sigurimin e teknologjisë moderne ushtarake. Sepse, pjesa më e madhe e teknologjisë vjen nga Shtetet e Bashkuara, nga Evropa.

Mund të kishim miratuar një sistem, sikurse atë që kemi pasur gjatë Luftës së Ftohtë dhe që e ka privuar Bashkimin Sovjetik nga teknologjia e avancuar raketore, kompjuterike… Është dashur të kemi diçka të ngjashme për Rusinë.

Radio Evropa e Lirë: Si mund të përfshihet Perëndimi në këtë luftë?

Jamie Shea: Amerikanët, presidenti amerikan, Joe Biden, ka qenë i qartë se trupat amerikane nuk do të shkojnë në luftë. Amerikanët e kanë refuzuar propozimin e Ukrainës për zonë të ndalim-fluturimit, sepse e dinë se kjo do të nënkuptonte që pilotët amerikanë t’i rrëzojnë avionët rusë… dhe, padyshim, një konflikt i drejtpërdrejtë. Putin tashmë ka përmendur opsionin bërthamor, edhe pse unë mendoj se kjo është më tepër retorikë për të na trembur. Ekspertët thonë se, së paku në aspektin praktik, rusët nuk kanë lëvizur asnjë armë bërthamore ose nuk kanë bërë asgjë fizikisht, për të rritur gatishmërinë, për të lëshuar armë bërthamore. Megjithatë, është shqetësuese që Putin nxjerr gjithmonë në pah opsionin bërthamor.

Unë nuk pres që NATO-ja apo Shtetet e Bashkuara të përfshihen drejtpërdrejt në Ukrainë. Mendoj se do të vazhdojnë me sanksionet dhe ndihmën për Ukrainën, për të izoluar regjimin e Putinit.

Shqetësimi më i madh i NATO-s, për momentin, është të parandalojë përhapjen e konfliktit në territorin e një anëtari të NATO-s. Për shembull, në shtetet baltike janë parë disa softuerë të dëmshëm në sistemet e tyre kompjuterike, që Rusia i ka përdorur kundër Ukrainës.

Cilido qoftë rezultati i konfliktit në Ukrainë, trupat ruse, trupat bjelloruse do të jenë më afër NATO-s përgjithmonë – në numër më të madh dhe me një qëndrim më armiqësor. Prania e NATO-s në Evropën Lindore ka qenë gjithmonë e lehtë dhe tani ajo duhet të përforcohet.

NATO-ja e ka bërë të qartë se nëse ka inkursione në territorin e saj, NATO do të luftojë me të gjithë, bazuar në Nenin 5 të Traktatit të NATO-s [i cili thotë se sulmi ndaj një shteti anëtar, është sulm kundër gjithë aleancës]. Pastaj, sigurisht se do të kishim një lojë krejt ndryshe.

Sinjali bërthamor, “marifet propagandues”

Radio Evropa e Lirë: Më lejoni t’u kthehem kërcënimeve bërthamore. Sa serioze janë ato?

Jamie Shea: Nuk besoj. Përdorimi i armëve bërthamore do të kalonte një prag masiv. Armët bërthamore nuk janë përdorur që nga viti 1945. Përdorimi i tyre do ta zgjeronte konfliktin në një mënyrë të paparashikueshme, të cilën as vetë Putin nuk do të ishte në gjendje ta kontrollonte. Aleatët e NATO-s kanë kapacitete të konsiderueshme bërthamore.

Putin ka fajësuar “retorikën agresive” të Perëndimit, por të gjithë e kanë bërë të qartë, NATO-ja, presidenti Biden, se nuk do ta përshkallëzojnë situatën, ata kanë reaguar qetësisht. NATO-ja po punon jashtë orarit për të demonstruar se nuk po bën asgjë agresive, thjesht po mbrohet.

Fakti që Putin i ka përmendur armët bërthamore në fjalim televiziv, më bën të mendoj se ky është një marifet propagandues dhe jo diçka që ai po e mendon seriozisht për momentin. Por, sërish, është një tjetër rritje e tensioneve, që do të thotë se NATO-ja duhet të sigurohet se parandalimi i saj është pa të meta.

Radio Evropa e Lirë: Shumë gjëra që po ndodhin tani, kanë qenë të paparashikuara më parë. A është në gjendje Perëndimi, NATO-ja t’i monitorojë lëvizjet e Rusisë në aspektin e armëve bërthamore?

Jamie Shea: Po. Amerikanët e bëjnë këtë që 70 vjet, që nga Lufta e Ftohtë. Kemi kapacitete shumë të mira satelitore, kemi kapacitete të inteligjencës. Mos harroni se Marrëveshja START [traktat dypalësh midis SHBA-së dhe Rusisë për reduktimin dhe kufizimin e armëve sulmuese strategjike] është rinovuar nga presidenti Putin dhe presidenti Biden edhe për pesë vjet të tjerë. Ajo përmban 19 sisteme të ndryshme verifikimi. Monitorimet nga SHBA-ja dhe Rusia vazhdojnë dhe kjo u jep amerikanëve informacione të besueshme të inteligjencës. Amerikanët, në veçanti, i kanë mënyrat e tyre për të ditur për lëvizjet që bëhen.

Ukraina e quan taktikë urdhrin e Putinit për forcat bërthamore

Disa ekspertë gjithashtu e interpretojnë sinjalin e Putinit për armët bërthamore, jo si përgatitje për të sulmuar Ukrainën ose Perëndimin, por si sigurim që armët e tij bërthamore janë të mbrojtura – edhe pse SHBA-ja nuk ka reaguar duke i vendosur forcat e veta bërthamore në gjendje gatishmërie.

Deri më tash, në bazë të asaj që kam dëgjuar, askush nuk ka zbuluar ndonjë aktivitet të pazakontë rreth infrastrukturës bërthamore ruse. Por, padyshim, pas asaj që ka deklaruar Putin, monitorimi, mbledhja e inteligjencës, verifikimi do të rriten.

Radio Evropa e Lirë: Po, bisedimet midis Rusisë dhe Ukrainës? A i shihni si të frytshme?

Jamie Shea: Nëse bisedimet përqendrohen në atë që thotë [presidenti i Ukrainës, Volodymyr] Zekensky: dorëzohuni, hiqni dorë nga regjimi juaj… atëherë nuk i shoh si të suksesshme. Të hënën [28 shkurt], ata kanë biseduar për pesë orë dhe nuk kanë mundur të pajtohen për armëpushim. Putin, për momentin, nuk duket shumë i interesuar në armëpushim.

Dhe, nëse bisedimet janë një diktat, ku të fuqishmit i detyrojnë më të dobëtit të dorëzohen, ukrainasit nuk janë ende gati ta bëjnë këtë… Rezistenca funksionon, ndihma ndërkombëtare u shkon dhe ata janë të vendosur të vazhdojnë. Ata kanë thënë se do të kenë një rund tjetër bisedimesh brenda disa ditëve dhe të shohim se ku do të shkojnë.

Edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka biseduar të hënën me Putinin 90 minuta dhe i ka bërë thirrje të pranojë armëpushimin, por Putin e ka refuzuar. Pra, nuk shoh që këto bisedime do të nxjerrin – tash për tash – ndonjë përfundim. Rusët, padyshim, duan të kenë një fushatë më të suksesshme ushtarake, përpara se të bien dakord për armëpushim. Ukrainasit duan t’i shkaktojnë më shumë dëme Rusisë, përpara se të bien dakord për armëpushim. Unë mendoj se ata do ta mbajnë të hapur kanalin e komunikimit, por ende nuk do dalë ndonjë gjë nga kjo, e as nga diplomacia ndërkombëtare. Nuk është koha ende për këtë.

Lufta mund t’i tundojë regjimet tjera

Radio Evropa e Lirë: Si do ta kërcënojë ky pushtim rendin gjeopolitik?

Radio Evropa e Lirë: Për fat të keq, në një mënyrë të keqe. Është sikur në vitet 1930, edhe pse historia nuk po përsëritet saktësisht. Por, është shqetësuese, jo vetëm sa i përket Rusisë, por edhe sinjaleve që mund t’i dërgojë te Kina apo te kushdo tjetër që mund të tundohet dhe të mendojë: ‘tani është koha të përdoret opsioni ushtarak’. Sidomos, nëse vlerësohet se Perëndimi është i përqendruar në Ukrainë dhe se ne nuk do të kemi aftësi për të menaxhuar një konflikt të dytë. Pra, është një test i vërtetë për atë që ne e quajmë siguri kolektive.

Deri më tani, të paktën, ne po reagojmë në një mënyrë që Lidhja e Kombeve nuk ka reaguar në vitet 1930. Shohim unitet midis amerikanëve dhe evropianëve, që nuk e kemi pasur në vitet 1930. Amerika nuk ka hyrë në Luftën e Dytë Botërore deri në vitin 1941. Tani jemi duke parë ndihmë të vërtetë për viktimën. Sepse, kjo nuk është vetëm krizë për Ukrainën. Mendoj që secili e ka kuptuar se kjo është një krizë midis diktatorëve autoritarë që mendojnë se forca është e drejtë dhe demokracisë perëndimore dhe rregullave të bazuara në rendin ndërkombëtar.

Unë nuk mund të them me siguri se rregullat e bazuara në rendin ndërkombëtar do të fitojnë. Por, Perëndimi, siç e thashë edhe më herët, është më i bashkuar, është duke marrë masa më drakoniane seç ka marrë së paku në vitet 1930 dhe më herët.

Ta them kështu: demokracia është duke i dhënë vetes një shans më të madh tani dhe shpresojmë të funksionojë.

Radio Evropa e Lirë: Një rajon i brishtë në Evropë është Ballkani Perëndimor. Kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, ka paralajmëruar tashmë se pushtimi rus i Ukrainës mund të ketë ndikim në Ballkanin Perëndimor. Ju, si mendoni?

Jamie Shea: Rusët, padyshim, po përpiqen t’iu kundërvihen përpjekjeve perëndimore në Ballkan. E dini, ata kanë punuar shumë për Serbinë. Kreu i Këshillit të Sigurimit të Federatës Ruse, Nikolai Patrushev, ka planifikuar të vizitojë Serbinë, disa ditë më parë, për të biseduar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Rusia i ka shitur shumë armë Serbisë, i ka shitur avionë ushtarakë – shumë më tepër sesa i nevojiten, marrë parasysh nivelin shumë të ulët të kërcënimeve.

Rusët i kanë siguruar edhe Millorad Dodikut në Republikën Sërpska pajisje ushtarake. Ka pasur shumë lojëra nga kompanitë ruse të gazit, Gazprom, Rosneft, që të investojnë në Ballkan, në përpjekje për të fituar kontrollin e rrjeteve të tyre për shpërndarjen e energjisë.

Dhe, është shumë interesante se si presidenti Vuçiq – edhe pse Serbia është vend kandidat për anëtarësim në BE – nuk i ka ndjekur sanksionet e BE-së kundër Rusisë, sikurse që nuk i ka ndjekur as pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, në vitin 2014. Qasja e Serbisë është: unë dua të jem vend i BE-së në të ardhmen, por refuzoj të veproj si vend i BE-së. Rusia ka bërë përpjekje të ndërhyjë edhe në zgjedhjet në Maqedoni të Veriut.

Për fat të mirë, [në Ballkan] nuk është situata sikurse në Ukrainë. Nuk janë 150,000 trupa ruse të grumbulluara në kufi të Serbisë, apo Kosovës, apo Shqipërisë. BE-ja dhe amerikanët janë në një pozicion më të mirë për të ndaluar destabilizimin e Ballkanit nga Rusia.

Kosova të përgatitet për NATO

Radio Evropa e Lirë: Në Kosovë, tensionet janë pak më të larta rreth asaj që mund të nënkuptojë pushtimi rus i Ukrainës. Arsye për këtë janë mosmarrëveshjet me Serbinë, aleaten e Rusisë. Çfarë efekti mund të ketë në Kosovë lufta në Ukrainë?

Jamie Shea: Kosovarët, para së gjithash, kanë treguar solidaritet. Kam dëgjuar se si presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova do të pranonte refugjatë nga Ukraina, sepse ata vetë kanë qenë refugjatë në vitin 1999 dhe e kuptojnë se çfarë do të thotë të dëbohesh nga një agresor.

Natyrisht, mendoj se përpjekjet ruse janë një tjetër pretekst për Bashkimin Evropian, për të dërguarin e tij të posaçëm, Mirosllav Lajçak, për t’i shtyrë përpara bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë, në përpjekje për t’i zgjidhur disa nga çështjet e mbetura.

Bashkimi Evropian duhet t’i bëjë presion masiv Serbisë, duke i treguar se nuk mund të jetë në kampin demokratik dhe në kampin autoritar në të njëjtën kohë dhe duke i treguar se njohja e Kosovës është thelbësore nëse dëshiron që një ditë të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.

Radio Evropa e Lirë: Sa është e rëndësishme për Kosovën që të anëtarësohet në NATO?

Jamie Shea: Kosovarët janë shumë entuziastë për NATO-n. NATO ka ende mbi 3,000 trupa në Kosovë që e mbrojnë çdo ditë. Deri diku, Kosova është një lloj anëtareje de facto e NATO-s, sepse mbrohet nga trupat e NATO-s. Por, për t’u anëtarësuar, duhet të zgjidhet çështja e shteteve mosnjohëse, që janë anëtare të NATO-s. Vendet si Spanja dhe Sllovakia, për arsye të veta historike, nuk e njohin Kosovën. Ky është problem edhe në Bashkimin Evropian dhe është një pengesë e madhe.

Për momentin, shpresoj që NATO-ja do të rrisë bashkëpunimin me Kosovën, në Partneritetin për Paqe, dhe së paku të fillojmë ta përgatisim Kosovën në përputhje me standardet e NATO-s, që të jetë si anëtare e NATO-s, në mënyrë që kur të hiqen pengesat politike, ajo të jetë në përputhje me standardet e NATO-s dhe të anëtarësohet shpejt në Aleancë.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

PD padi Sakos së Durrësit, refuzoi dëshminë, pjesë e grupit kriminal të inceneratorëve

Story i radhës

Video/ “Fashistë! Pse doni të na qëlloni, ne nuk kemi armë”/ Ukrainasit i dalin para autokolonës ruse

Të fundit nga

ShkoLartë