Janë ngritur shqetësime të reja për ish-yllin e Tottenhamit dhe Anglisë, Dele Alli, pasi raportohet se 29-vjeçari ka humbur afro 150 mijë paund gjatë disa seancave nate pokeri në një kazino luksoze në Londër.
Sipas raportimit, Alli ka marrë pjesë rregullisht në lojëra që zhvillohen rreth orës 02:00 të mëngjesit në Victoria Casino, duke regjistruar humbje që arrijnë deri në 25 mijë paund për natë, në një periudhë kur ai është pa klub pas largimit nga Como raporton Daily Mail.
Një lojtar profesionist pokeri, i cituar nga mediumi britanik, tha se Alli tashmë njihet mes frekuentuesve si një “whale”, term që përdoret për lojtarë që humbin shuma të mëdha: “Sapo ai hyn në kazino, të gjithë marrin njoftim se loja është hapur. Ka gjithmonë interes sepse dihet se ka para të lehta për t’u fituar”, u shpreh burimi anonim. Sipas dëshmive, futbollisti shpesh luan vetëm dhe duket i tërhequr, pavarësisht humbjeve të mëdha.
Situata vjen në një moment të vështirë për Alli, i cili dikur vlerësohej mbi 50 milionë paund dhe ishte titullar i Anglisë në Kupën e Botës 2018. Karriera e tij ka rënë ndjeshëm vitet e fundit, ndërsa vetë lojtari ka folur hapur për trauma të fëmijërisë dhe probleme me varësinë, përfshirë një periudhë rehabilitimi. Aktualisht ai mbetet lojtar i lirë dhe në kërkim të një klubi të ri, mes pikëpyetjeve serioze për të ardhmen e tij personale dhe profesionale.
Burimi: botasot.info


