Ish-kreu i LPK-së, Bedri Islami, tregon cilat ishin dyshimet për vrasjen e Zahir Pajazitit dhe Luan Haradinajt

min lexim

Rënia e Zahir Pajazitit dhe Luan Haradinajt është komentuar shumë herë në opinion publik dhe në diskutime të ndryshme. Shumë versione janë dhënë e shumë dilema janë ngritur. Rreth këtyre dy rasteve është pyetur edhe Bedri Islami, njeriu që ka udhëhequr me Komisionin e formuar brenda UÇK-së, që kishte për qëllim zbulimin dhe studimin e këtyre rasteve.

Ish kreu i LPK-së, Bedri Islami në emisionin “n’Demos” ka folur për Komisionin e ngritur në kuadër të UÇK-së, e që në të janë pyetur, sipas tij, e gjithë udhëheqja e ushtrisë.

“Ky ka qenë për tanat, për rënien e Zahir Pajazitit, për rënien e Luan Haradinajt, për arrestimet që kishin ndodhur në Kosovë. Unë kam qenë drejtues i këtij komisioni, janë pyetur pothuajse të gjithë nga udhëheqësia e organizimit. Është analizu rrjedha e udhëtimit të Zahir Pajazitit e kështu me radhë”, është shprehur Islami.

Ish-kreu i LPK-së thotë se ende nuk mund t’i kuptojë veprimet e Zahir Pajazitit, i cili në kohë lufte dilte pa maskë, duke e ditur rolin që kishte në UÇK.

“Në rastin e Zahir Pajazitit dhe grupit të tij ka pasur shumë enigma. Që në fillim mua më ka shqetësuar se në komunikatën e parë, kur u vra Zahir Pajaziti që dëgjuam lajmin, komunikata e Qeverisë së Serbisë doli me emrin e saktë të Zahir Pajazitit dhe cilësonte edhe aksionet ku ka marrë pjesë pra dinte shumë gjëra që në organizatë nuk diheshin. Zahir Pajaziti në organizatë është njohur me emrin Ismeti, ndërsa Nait Hasani me emrin Abazi. Shqetësimi i parë ka qenë si kanë dalur këto të dhëna, dhe si ra në pritë ky njeri. Ai ka qenë shumë trim por i pakujdesshëm, ka dalur pa maskë në aksione”, ka shtuar ai, transmeton Gazeta Demos.

Islami është shprehur i bindur që në rastin e Luan Haradinajt nuk kishte rrjedhje nga brenda, por që për të gjitha këto raste është hartuar një raport, i cili i është dërguar Shtabit të Përgjithshëm së UÇK-së.

“Përmes komisionit, arrita në një konkluzion që diçka ka rrjedhë jo normalisht. Disa njerëz do duhej të shmangnin për ditë e më tepër. U bë shmangia e tyre, edhe ata kanë jetuar gjatë edhe pas lufte, por në rastin e Luan Haradinajt kishte gabime, por jo rrjedhje nga brenda. U dyshua në njeriun që i kishte prirë në natën e fundit, por nuk kishte pasur tradhti nga brenda”, ka përfunduar Bedri Islami.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Dallku: Ne morëm atë që deshëm

Story i radhës

Ukrainasit e presin me reagime të ndryshme dhënien e çmimit Nobel për Paqen

Të fundit nga