Një gjykatë në Sarajevë ka dënuar Amir Zukiqin, ish-zyrtar i lartë i partisë në pushtet, me tri vjet burgim për korrupsion.
Zukiq, ish-deputet i shtetit dhe sekretar i përgjithshëm i Partisë për Veprim Demokratik (SDA), parti e cila është aktualisht në pushtet, u shpall fajtor për ryshfet dhe përdorim të lidhjeve politike për t’u dhënë punë disa njerëzve në institucionet shtetërore në vitin 2016.
Departamenti amerikan i Shtetit në vitin 2020 ia ndaloi Zukiqit hyrjen në Shtetet e Bashkuara për, siç thuhet, përfshirje në korrupsion të rëndë.
Gjykata e Sarajevës dënoi më 29 korrik edhe katër persona të tjerë me burgim deri në gjashtë, ndërsa liroi të tjerë.
Safet Bibiq u dënua me gjashtë vjet burgim, Senad Trako me një vit e gjysmë, Ramiz Karavdiq me dy vjet dhe Esad Xhananoviq me tri vjet.
Ndërsa Nexhad Trako dhe Asim Sarajliq, i cili gjithashtu është në listën e SHBA-së për korrupsion, u liruan nga akuzat.
Vendimet e gjykatës mund të apelohen.
Gjyqimi ishte pjesë e përpjekjeve të mbështetura nga Perëndimi për të frenuar korrupsionin në këtë vend ballkanik, i cili po përpiqet të rimëkëmbet ekonomikisht nga një luftë etnike shkatërruese e viteve 1990.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj perëndimorë kanë vendosur sanksione ndaj individëve që konsiderohen se minojnë sundimin e ligjit dhe stabilitetin në Ballkan.