Ish-ambasadori i Holandës, Robert Bosch, ka reaguar ashpër ndaj vizitës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd dhe takimit të tij me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Përmes një postimi në Facebook, Bosch ka kritikuar afrimin e Zelenskyt me Vuçiqin, duke e cilësuar presidentin serb si “mik jodemokratik” të liderit ukrainas. Ai ka ngritur edhe pyetje lidhur me arsyet e kësaj afërsie politike.
“Zelensky në Beograd me mikun e tij jodemokratik Vuçiq. A duket se dëshiron të mësojë se si të eliminojë kundërshtarët politikë lokalë?”, ka shkruar Bosch.
Ai ka theksuar se Vuçiq e ka falënderuar Zelenskyn për qëndrimin e Ukrainës që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, duke shprehur shpresën që Bashkimi Evropian ta bëjë njohjen e Kosovës kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE.
“Vuçiq e falënderon atë që nuk e njeh Kosovën! Shpresoj që BE-ja, ashtu siç ka bërë me vetë Serbinë, ta bëjë këtë njohje kusht për anëtarësimin”, ka shkruar diplomati holandez.
Bosch ka ngritur shqetësime edhe për raportimet se Ukraina dhe Serbia kanë diskutuar mundësinë e prodhimit të përbashkët të dronëve.
“Dhe së fundmi, sipas shtypit, ata diskutuan edhe për prodhimin e përbashkët të dronëve”, ka shkruar ai.
Në fund të reagimit, Bosch ka bërë një deklaratë të fortë, duke pretenduar se Ukraina po shndërrohet në kërcënim për Kosovën dhe Ballkanin.
“Ukraina po fillon të bëhet kërcënim, veçanërisht për Kosovën, por edhe për Ballkanin në përgjithësi. Është koha që EEAS-i ta pyesë Zelenskyn se çfarë po bën!”, ka përfunduar ai.
Burimi: botasot.info


