Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog po zhvillon një vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) për herë të parë pas normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Në një deklaratë me shkrim nga zyra për shtyp e Izraelit thuhet se presidenti izraelit Herzog bashkë me bashkëshorten e tij Michal Herzog u nisën këtë mëngjes për në Abu Dhabi me ftesë të princit të kurorës së EBA-së, Mohammed bin Zayed Al Nahyan.
Herzog, e ka cilësuar vizitën e tij në EBA si një “udhëtim historik”.
“Pas ftesës personale të princit të kurorës së EBA-së, Mohammed bin Zayed Al Nahyan do të vizitoj EBA-në dhe do të takohem me të. I uroj suksese bin Zayed Al Nahyan. I shpreh mirënjohje për guximin dhe udhëheqjen e tij të guximshme në nënshkrimin e marrëveshjes së paqes me Izraelin”, tha ai.
Në deklaratën me shkrim nga zyra për shtyp e Izraelit njoftohet se avioni i Herzog-ut ka përdorur hapësirën ajrore të Arabisë Saudite, transmeton Anadolu Agency.
Gjithashtu në deklaratë janë përmendur edhe fjalët e pilotit i cili ka thënë: “Aktualisht ndodhemi në hapësirën ajrore të Arabisë Saudite. Po bëjmë histori. Së shpejti do të fluturojmë mbi kryeqytetin (Rijad)”.
Pas kësaj Herzog ka kaluar në kabinën e avionit thuhet në deklaratën ku informohet se presidenti izraelit ka thënë: “Padyshim që ky është një moment impresionues”.
Presidenti izraelit, Herzog dhe bashkëshortja e tij Michal u pritën në aeroportin e Abu Dhabit nga ministri i Jashtëm i EBA-së, Abdullah bin Zayed Al-Nayhan.
Para takimit të tij me ministrin Al-Nayhan, presidenti Herzog tha: “Si president i Izraelit po zhvilloj vizitën time të parë në EBA. Jemi shumë të kënaqur dhe të impresionuar thellë nga kjo pritje e ngrohtë e bërë nga ministri i Jashtëm, Al-Nayhan”.
Isaac Herzog, është presidenti i parë izraelit që viziton EBA-në.
Po ashtu edhe kryeministri izraelit Naftali Bennett realizoi vizitën e parë zyrtare në Abu Dhabi më 13 dhjetor 2021 dhe u takua me princin e kurorës së EBA-së, Mohammed bin Zayed Al Nahyan.
Izraeli dhe EBA nënshkruan “marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve” me një ceremoni të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë më 15 shtator 2020.