Ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në një lidhje direkte në “Frontal” të T7 ka folur për draft marrëveshjen për asociacionin që u publikua sot në media.
Ai tha se e ka parë draftin, mirëpo nuk është i sigurt nëse është i vërtetë.
“E kam parë draft-marrëveshjen, nuk jam i sigurt a është ai draft i vërtetë apo diçka tjetër, por ia kam vënë një sy. Unë mendoj se elementet themelore janë ato që kanë qenë në marrëveshjen e vitit 2013, por ka edhe elemente të ngjashme ose përafërsisht të ngjashme me dokumentin e vitit 2015”, tha ai.
Ai tha se ndryshimi është te Kurti e Osmani, e jo te marrëveshja.
“Unë pajtohem se ndryshimi është te Kurti e zonja Osmani, por tani do të shohim se çka do të bëjnë”, tha ai.
“Nuk mund të flasë për produktivitetin e marrëveshjes, sepse mund të mos jetë krejt e njëjta, të jetë më ndryshe. Mirëpo kërkesë e komunitetit ndërkombëtar është që të arrihet një marrëveshje që zbatohet në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe ligjet në fuqi. Kurti mund të mos e nënshkruajë, sepse është kryeministër, i ka marrë votat, por Kosova e ka obligim ligjor zbatimin e saj.”
Ai e komentoi edhe videon ku shihet ai duke u gjuajtur me ve në kohën kur tregonte para opozitës procedurat e nënshkrimit të marrëveshjes.
“LDK duhet të sillet në mënyrë të dinjitetshme ashtu siç po sillet, të mos përdoret me metoda të dhunës. Për fat të keq këta kanë ardhë në pushtet mbi bazën e dhunës të dhunës, mashtrimeve e gënjeshtrave. Nëse Kurti e nënshkruan do të ketë reagim nga subjektet tjera, sepse nuk do të lejohet ratifikimi i një marrëveshje të dëmshme”, ka thënë ai në “Frontal”.
Mustafa tha se Kurti duhet të bëjë marrëveshjen ose të lëshojë rrugë.
“Z. Kurti duhet ta bëjë marrëveshjen ose të lëshojë rrugë, sepse nuk ka shumë alternativa. Tash marrëveshja nuk është vetëm çështje e brendshme e Kosovës, por edhe çështje e stabilitetit në rajon sepse kemi një vend që është sulmuar nga Ukraina, një luftë që po zhvillohet në Evropë”, tha ai.
Sipas tij, kjo “nënkupton njohjen reciproke”.
“Nuk është fjala vetëm te interesi jonë, por kërkohet bashkëpunim me vendet mike të Bashkimit Evropian dhe SHBA-të, që të bëhet një zgjidhje që të evitohet një situatë e acaruar”.
Ai tha se pajtohet me qëndrimin e LDK-së për takimin e ftuar nga Kurti.
“Unë pajtohem me qëndrimin e LDK-se që Kurti të shkojë në kuvend dhe ta njoftojë kuvendin, nuk mund t’i japë këshilla Abdixhikut se a të shkojë apo jo në takim”, deklaroi ai.
Ai foli edhe për videot e publikuara nga VV, ku sulmohet edhe vetë ai. Mustafa tha se VV po bëjnë propagandë, derisa i kritikoi për mospunë.
“Këta po bëjnë propagandë të madhe, me akuza, video, shantazhe, po mendojnë që na frikësojnë indi dhe si shoqëri, por mendoj që e kanë gabim, nuk po e di pse po i bëjnë këto gabime, ndodhta për shkak që s’kanë çka flasin për punën e tyre”.
“Në mënyrë absolute asgjë, në politikën e jashtme kanë ndodh gabime fatale, nuk na ka njohut asnjë shtet. Nuk e di ku janë sukseset e kësaj qeverie. I vetmi sukses është propaganda”.