Irani do të përdorë të gjitha mjetet që ka në dispozicion për t’iu kundërvënë bllokadës detare amerikane, ka deklaruar të hënën zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, në konferencën e përjavshme për media.
Bllokada amerikane ndaj eksporteve të naftës iraniane është vendosur më 13 prill, është hequr në qershor, pasi Uashingtoni arriti një marrëveshje paraprake me Teheranin zyrtar, dhe është rikthyer më 14 korrik, pasi marrëveshja dështoi.
“Ne sigurisht që nuk do ta tolerojmë atë (bllokadën) dhe do t’i përdorim të gjitha mjetet tona për t’iu kundërvënë këtij agresioni amerikan”, ka thënë Baghaei.
“Bllokada detare konsiderohet agresion ushtarak. Irani ka të drejtë të përdorë çdo mjet në dispozicion për t’u mbrojtur në këtë drejtim”, ka shtuar ai.
Javën e kaluar, faqja “TankerTrackers.com” ka raportuar se një cisternë po ngarkonte naftë bruto iraniane në Gjirin Persik përmes transferimit të naftës nga një anije në tjetrën dhe se mund të bëhej anija e parë që arrin të eksportojë naftë bruto iraniane që nga rikthimi i bllokadës amerikane në korrik.
Të hënën, Baghaei ka thënë se raportimet për anijet iraniane që po ngarkojnë naftë janë “spekulime”.
Eksportet e dukshme të naftës bruto iraniane kanë rënë në nivele pothuajse zero gjatë muajve të fundit për shkak të bllokadës. Irani thotë se kontrollon kalimin përmes Ngushticës strategjike të Hormuzit dhe se do ta rihapë atë vetëm kur Uashingtoni zyrtar të përmbushë kushtet e tij, përfshirë ndalimin e armiqësive, heqjen e bllokadës dhe anulimin e sanksioneve.
“Nëse pala tjetër (SHBA-ja) i përmbush kushtet përkatëse, ne do të jemi në gjendje t’i zbatojmë angazhimet tona në kohën më të shkurtër të mundshme”, ka thënë Baghaei, duke iu referuar rihapjes së Ngushticës së Hormuzit.
Burimi:TV21


