Irani ka paralajmëruar vendet e rajonit se do të sulmojë bazat ushtarake amerikane në rast të një sulmi nga SHBA-të, tha një zyrtar i lartë i Teheranit për Reuters, pas kërcënimeve të Donald Trump për të ndërhyrë mes protestave antiqeveritare në të gjithë vendin.
“Teherani ka informuar vendet rajonale, nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe deri në Turqi, se bazat amerikane në këto vende do të sulmohen nëse SHBA-të synojnë Iranin, duke u kërkuar këtyre vendeve të parandalojnë Uashingtonin nga sulmi ndaj Iranit”, tha zyrtari. Ditë më parë, iranianët e kishin paralajmëruar gjithashtu Izraelin me sulme.
Dje, presidenti amerikan, gjatë një fjalimi në Detroit, i dërgoi një mesazh popullit iranian që të vazhdojë të protestojë. “Për të gjithë patriotët iranianë: Vazhdoni të protestoni, pushtoni institucionet tuaja, nëse është e mundur, dhe zbuloni emrat e vrasësve dhe abuzuesve që po ju abuzojnë shumë keq”, tha ai, ndër të tjera, ndërsa më parë kishte thënë se “ndihma (për ju) është në rrugë e sipër”. Në të njëjtën kohë, ai tha se u ka këshilluar aleatëve të SHBA-së të largohen nga Irani: “Mendoj se ata duhet të largohen, nuk është një ide e keqe”.
Komunikimi Teheran-Uashington është ndërprerë, ndërkohë, një zyrtar i lartë iranian zbuloi se komunikimet e drejtpërdrejta midis Ministrit të Jashtëm iranian Abbas Araghchi dhe të dërguarit të posaçëm të SHBA-së Steve Witkoff janë ndërprerë, pas kërcënimeve të Trump.
Zyrtari i lartë shtoi se kërcënimet e SHBA-së po dëmtojnë përpjekjet diplomatike dhe se diskutimet rreth takimeve të mundshme midis Araghchi dhe Witkoff për të gjetur një zgjidhje diplomatike për mosmarrëveshjen bërthamore të të dy vendeve kanë ngecur.
Top Channel
Burimi: top channel


