Me rritjen e numrit të rasteve me COVID-19, është hapur edhe një qendër e re për testim në Komunën e Prishtinës. Sipas drejtori të Shëndetësisë, Izet Sadiku kjo qendër e re është hapur pas interesimit të një numri të madh të qytetarëve për testim.
Ndërsa me rritjen e numrit të infektuarve, është rritur edhe stafi punonjës për shërbime me COVID-19. Sipas drejtorit të shëndetësisë, interesimi për dozën e katërt është më i madh, krahasuar me dozat e tjera.
Ai thotë se duhet të ketë më shumë fushata sensibilizuese për t’u vaksinuar nga institucionet qendrore.
Sadiku: Ka interesim mjaftë të madh të qytetareve për testim në qendrën që është hap
“Kam vizituar Qendrën e Mjekësisë Familjare në “Xhemail Ibish”, ku është hap dhe sot kemi filluar nga ora 8:00, është qendra e dytë për testim në Komunë të Prishtinës. Kishte interesim të qytetarëve, kjo ka qenë arsyeja edhe pse ne e kemi hap edhe një qendër të dytë, duke pas parasysh se ditëve të fundit kemi pas mesatarisht mbi 300 qytetarët që kanë bërë testime në qendrën për testim në ambulancën e mjekësisë familjare në qendrën e studenteve. Kemi vendos që të krijohet një mundësi më e madhe, duke pas parasysh edhe shtrirjen e gjerë që ka qyteti, të krijohet edhe një mundësi që një pjesë e qytetarëve të jenë më afër”, tha ai.
Sipas tij, me rritjen e numrit të të infektuarve, është rritur edhe volumi i punës. Ndërsa momentalisht nga 63 punonjës shëndetësor, 27 kanë rezultuar pozitiv, të cilët janë në izolim.
Sadiku: Për arsye të volumit të punës është rritur numri i punonjësve
“Sigurisht se po… Është larguar ai stafi qe ka qenë përkrahës për vaksinim dhe COVID, dhe ne tash me rritjen e numrit është dashur që një pjesë të stafit ta dërgojmë për shërbime për COVID, përveç vaksinimit që bëhet, pastaj edhe testimit tash që e kemi rrit stafin që bënë testime. Ne kemi edhe mjekë tanë, infermieret që janë të angazhuar në Qendrën e Mjekësisë Familjare, janë të ngarkuar tashmë, përveç vizitave rutinë, kanë një numër të pacienteve për 20 apo 30 % të pacientëve që bëjnë vizita janë tash persona të dyshimtë ose me COVID-19. Kjo e ka rritur volumin e punëve të punëtoreve shëndetësor, realisht kur kësaj i shtohet periudha që ne jemi në një periudhe të verës, ku njerëzit detyrohen t’i përfundojnë pushimet sepse që dy vite punëtorët shëndetësor kanë qenë pa pushime. Është edhe një numër i stafit, i cili është i infektuar dhe janë të izoluar, momentalisht kemi 27 punëtor shëndetësor që janë në izolim për shkak se kanë rezultuar pozitiv me COVID-19, nga 63 sa kemi pas gjatë muajve të fundit. Dhe të gjitha këto e vështirësojnë punën në dhënien e shërbimeve duke pas parasysh që ne vazhdojmë të japim edhe shërbime tjera, të cilat i japin Qendrat e Mjekësisë Familjare në Prishtinë”, tha ai.
Ai tha se interesimi për dozën e katërt është më i madh, krahasuar me dozat e tjera, mirëpo i ulët në krahasim me popullsinë në vend.
Sadiku: Interesimi për dozën e katërt është më shumë se për dozat e tjera
“Interesimi për dozën e katërt është më shumë se për dozat e tjera, por prapë është i vogël. Ne mesatarisht për javën e fundit kemi pas rreth 30 doza në ditë që merren në Prishtine dhe ky është numër shumë i vogël, duke pas parasysh që 45 % e popullsisë janë të vaksinuar”, tha ai.
Më tej, Sadiku shtoi se vaksinimi është forma më e mirë për parandalim apo futjen në kontroll të pandemisë COVID-19, ndërsa kërkon nga institucionet qendrore që të bëjnë më shumë fushata sensibilizuese për t’i bindur qytetarët të vaksinohen.
Sadiku: Duhet të ketë më shumë fushata sensibilizuese
“Do duhej që qytetaret të vaksinohen për arsyeje se vaksinimi e ka ndryshuar situatën me COVID-19…3:53 E vetmja masë për me fut në kontroll pandeminë COVID-19, do të ishte vaksinimi i qytetareve, prandaj mendoj që duhet bërë apel njerëzve dhe më pas fushata sensibilizuese, të cilat i ftojnë dhe i bindin qytetarët që të vaksinohen”, tha ai.