Davide Pecorelli, biznesmeni italian që inskenoi vrasjen në Shqipëri është shpallur në kërkim nga prokuroria e Pukës.
Në përfundim të hetimeve, ndaj tij janë ngritur katër akuza, ndërkohë që në hetim janë edhe dy bashkëpunëtorët që e kanë ndihmuar në sajimin e ngjarjes.
Mësohet se prokuroria u ka dërguar një letër porsi me qëllim lokalizimin dhe arrestimin e italianit, i cili në janar 2021 u raportua në Shqipëri si i vdekur, por 9 muaj më vonë, në 18 shtator 2021 u gjet i gjallë në ishullin Elba në Toskana.
Hetimet po zhvillohen për akuzën e “Shkatërrimit të pronës me zjarr”, “Kallëzimit të rremë”, “Kalimit të paligjshëm të kufirit Shqiptar” dhe “Ushtrimi i veprimtarisë tregtare pa licensë”.
HISTORIA
Davide Pecorelli, ishte nisur nga Italia drejt Shqipërisë, më datë 3 janar 2021 nga aeroporti “Fiumicino” i Romës.
Ai ka mbërritur në Shqipëri për biznesin e produkteve kozmetike që kishte në pronësi, ku ka qëndruar një ditë në Vlorë dhe më pas është kthyer në Rinas.
Pikërisht në këtë zonë ka marrë me qira një automjet tip “Skoda”, duke udhëtuar në drejtim të Pukës.
Në këtë qytet ka qëndruar në hotel dhe teksa është larguar, makina e tij është gjendur tërësisht e djegur në datën 6 janar 2021.
Që prej kësaj date, e deri në 18 shtator 2021, për 9 muaj me radhë policia dhe prokuroritë e dy shteteve Itali dhe Shqipëri, nuk kishin asnjë gjurmë të Pecorellit.
Dyshimi paraprak i hetuesve, se Pecorelli mund të ishte vrarë, u krijua për shkak se në makinën e djegur u gjendën disa eshtra kockore, që pas kryerjes së analizave rezultuan se i përkisnin një qeni.