12
Shkup, 11 dhjetor – Insistimi është i vazhdueshëm dhe i pashmangshëm nga ana e kryeministrit të vendit për një garantues që do duhet të garantojë që pas Bullgarisë nuk do të ketë kushte tjera. Aktualisht, Maqedonia e Veriut, ndodhet në një udhëkryq shumë të vështirë me çka duhet të vendosë që nëse vërtetë është e interesuar për anëtarësim në BE domosdo duhet t’i bëj ndryshimet Kushtetuese. Për këto ndryshime qeveria aktuale e ka luksin e numrave por nuk e gjen dot besimin që edhe pas këtyre ndryshimeve nuk do të kërkohet diçka e re, shkruan Zhurnal.
Mickoski: Nuk e di kush është ai, që do të japë garanca se nuk do të ketë bllokada me marrëveshjet bilaterale në Kornizën negociuese –
Nuk ka se çfarë të bëhet më shumë se kjo. Ne si Qeveri më shumë se kaq nuk mund të bëjmë, as nuk do të bëjmë. Kjo është kjo. Kjo është linja jonë e kuqe. Nëse dikush atje në Bruksel ka vendosur të jetë peng i politikanëve të mesjetës, të cilët vijnë nga disa vende anëtare të vetë BE-së, nëse dikush ka vendosur të jetë peng i bilateralizimit, në rregull, e kuptojmë, kjo është kjo. Le të na lënë vetë ta zgjidhim detyrën e shtëpisë, deklaroi sot kryeministri Hristian Mickoski i cili u përgjigj në pyetje të gazetarëve për porositë e fundit të cilat vijnë nga Brukseli për Kornizën negociuese. Ai vërejti se “nuk e din se cili është ai, i cili do të japë garanca se tashmë nuk do të ketë bllokada me marrëveshjet bilaterale në Kornizën negociuese”.
“Nuk e di cili është ai dhe si do t’i japë. Garanca e vetme të cilën ne e dhamë dhe iu prezantua partnerëve tanë startegjik, dhe ky është maksimumi që mund të bëjmë. Ky është maksimumi që mund ta bëjmë në këtë çast, sepse edhe si popull edhe si shtet, bëmë, siç askush më parë nuk ka bërë”, tha Mickoski.
Kryeministri nënvizoi se vendi ynë ka politikë tërësisht të harmonizuar me BE-në, dhe siç tha, “ne nuk paraqesim rrezik, tërësisht do t’i ndjekim, ata le të udhëheqin, ne do t’i ndjekim, nëse ata mendojnë se ne nuk meritojmë sipas parimit të veprave, dhe jo sipas parimit të bilateralizimit dhe çështjeve të mesjetës, të jemi pjesë e familjes evropiane, kjo është e drejta e tyre”.
Ai shtoi se Qeveria është e gatshme të bisedojë e secilin, kurdo qoftë dhe kudo qoftë.
“Nëse ata nuk janë të gatshëm tani, do të presim kur të jenë gati. Ndërkohë le të na lënë vetë t’i zgjidhim detyrat e shtëpisë, të bëjmë projekte të këtilla, të rrisim pensione, të rrisim rroga, të sjellim investues të huaj, të punojmë në reforma, ta sjellim drejtësinë. Kjo është detyra jonë e shtëpisë, të punojmë me nder dhe me përkushtim për qytetarët. Nëse ata janë të vendosur të ndjekin politikanë nga mesjeta të cilët vijnë nga vende anëtare të BE-së, le t’i ndjekin. Ne do t’i ndjekim kërkesat e qytetarëve”, deklaroi Mickoski.
Ai paralajmëroi se të martën, më 3 dhjetor, në Bruksel do të ketë takim bilateral me kryetarin e ri të Këshillit të Evropës.
I të njëjtit mendim e qëndrim është edhe Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi nga Berlini tha se shumica qeveritare është e gatshme menjëherë t’i përfshijë bullgarët në Kushtetutë, por kërkon parashikueshmëri të procesit.
“Nuk kemi kurrfarë problemi me atë që bullgarët të jenë pjesë e Kushtetutës, por presim garanci se menjëherë pastaj nuk do të ketë kusht tjetër”, tha Gashi për Dojçe Vele, duke theksuar se në Qeveri nuk ka dilemë se duhet të vazhdohet rruga evropiane e vendit sa më shpejtë.
Pasi Shqipëria edhe zyrtarisht i filloi negociatat për anëtarësim në BE, Gashi thotë se edhe zyrtarisht Shkupi dëshiron që procesi të vazhdojë sa më shpejtë.
“Ju e dini që bllokada nga Bullgaria i referohet çështjeve historike dhe identitare. Kemi ardhur sot në RF të Gjermanisë pikërisht për këtë temë. Duam që ky proces të zhbllokohet sa më shpejt të jetë e mundur. Ne jemi të gatshëm t’i përfshijmë menjëherë bullgarët në Kushtetutë. Mendoj se kemi një konsensus të plotë ose më konkretisht të madh se nuk kemi asnjë problem që bullgarët të jenë pjesë e Kushtetutës. Por problemi ynë është me parashikueshmërinë e procesit dhe garancitë që menjëherë pas kësaj nuk do të ketë pyetje të radhës apo kusht tjetër që ka të bëjë me çështje historike dhe identitare që mendojmë se janë të vështira për t’u zgjidhur në tavolinat e bisedimeve politike”, tha Gashi.
Pikët politike anash, duhet unitet që Maqedonia e Veriut ta kalojë këtë sfidë –
Në Maqedoninë e Veriut tash ose asnjëherë më vendi dhe qytetarët kanë nevojë për unitet politik përballë kësaj sfide që është vendimtare për vendin dhe shoqërinë. Të gjithë njëzëri duhet të deklarohet dhe në Kuvend të grumbullohen 80 vota deputetësh që ndryshimet e duhura Kushtetuese të bëhen.
Ndryshimet kushtetuese janë vendimtare për ecurinë e vendit, nëse ndodhin vendi vazhdon rrugëtimin evropian, nëse nuk ndodhin vendi izolohet dhe pëson regres dhe sërish ballafaqohet me veton bullgare, pra kemi kthim në pikën zero. Mes tjerash, nga kjo situatë lirshëm mund të thuhet se po që ndryshimet kushtetuese janë orientuese të vendit, pasi Maqedonia e Veriut është e orientuar drejtë Bashkimit Evropian gjegjësisht Perëndimit, nëse nuk ndodhin këto ndryshime atëherë orientimi i vendit vihet në rrezik sepse kjo qartazi është në favor të Rusisë.
Ndryshimet Kushtetuese duhet të ndodhin dhe vendi të vazhdojë me rrugëtimin për anëtarësim të plotë në BE, kjo pastaj sjellë progres të gjithanshëm dhe në gjitha fushat tjera. E për këtë duhet unanimet i plotë që përmes konsensualitet të partive politike të sigurohen votat e nevojshme që këto ndryshime të ndodhin sepse janë në dobi të të gjithë qytetarëve dhe vendit në përgjithësi. E për këtë duhet ta dëshmojnë vetë partitë politike se janë në shërbim të qytetarëve dhe për këtë arsye lënë anash pikët politike por veprojnë në drejtim të ndërtim të një të ardhme më të sigurt e me perspektivë. /Zhurnal.mk
BURIMI: zhurnal.mk