Industria e kriptomonedhave po shton presionin mbi ekipin e presidentit të zgjedhur Amerikan Donald Trump për të mbajtur premtimin e rishikimit të politikave shtetërore ndaj kriptomonedhave kur të marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë muajin e ardhshëm.
Industria pret që Trump të nënshkruajë urdhra ekzekutivë që do të ndihmonin në adoptimin e gjerë të kriptomonedhave.
Trump planifikon të lëshojë disa urdhra ekzekutivë dhe direktiva për emigracionin dhe energjinë në ditën e parë që merr drejtimin më 20 Janar raportoi Reuters.
Gjatë fushatës së tij Trump kishte premtuar të jetë “presidenti kripto” dhe industria kërkon që të mbajë fjalën e dhënë, atë të krijimit të një rezerve shtetërore në Bitcoin, sigurimin e aksesit të industrisë në shërbime bankare dhe krijimin e një këshilli kripto.
Industria po kërkon që urdhrat ekzekutivë të nënshkruhen në 100 ditët e tij të para në drejtim dhe presin të shohin të paktën një urdhër për kriptot më 20 Janar.
Në kontrast presidenti Biden goditi kompanitë kripto ndërsa Trump ka premtuar ndryshim të politikës. Ekipi i tij i politikave të kriptove tashmë po merr formë, me njoftimin këtë muaj të kryetarit të Komisionit të Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve miqësore me kripto, Paul Atkins dhe carit të kriptove të Shtëpisë së Bardhë, David Sacks.
Bitcoin, kriptomonedha më e madhe në botë, arriti një rekord prej 107 mijë dollarësh këtë muaj pasi Trump përsëriti planin për të krijuar një rezervë strategjike në Bitcoin. Aktualisht kriptomonedha ka rënë nën 100 mijë dollarë.
Analistët janë të ndarë nëse Trump mund të përdorë fuqitë ekzekutive për të krijuar rezervën, potencialisht nëpërmjet Departamentit të Thesarit, ose nëse një akt i Kongresit do të ishte i nevojshëm.
Një grup i industrisë, Instituti i Politikave Bitcoin, ka arritur deri në hartimin e një teksti të një urdhri ekzekutiv të mundshëm që Trump mund të përdorë për të krijuar një rezervë të tillë.
Ky draft do të caktonte bitcoin si një rezervë strategjike dhe do t’i kërkonte Sekretarit të Thesarit të shpenzonte 21 miliardë dollarë gjatë një viti për të grumbulluar një rezervë kombëtare Bitcoin, sipas draftit të parë nga Reuters.
Në Korrik Trump ishte shprehur se nuk do të lejonte bankat të bllokonin qasjen e njerëzve në kriptomonedha dhe disa urdhra ekzekutiv do të pengonin “embargon” ndaj firmave kripto në sistemet tradicionale financiare.
/PCWorld Albanian
Burimi: pcworld.al