Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka reaguar lidhur me raportin e Komisionit Hetimor për inceneratorët.
Kryemadhi akuzon Bashën se për 5 muaj ka konfuzuar SPAK, që të mos merrej me hetimin.
Po ashtu, ajo bën thirrje që të anulohet koncensioni i inceneratorit të Tiranës, ndërsa kërkon që me këto para të rimbursohen qytetarët shqiptarë, të cilët vuajnë pasojat e rritjes së çmimeve.
Postimi:
Konfuzoi SPAK-un 5 muaj, që të mos merrej me hetimin e inceneratorëve, e tani vjen tek fjalët tona që kemi 5 muaj që i themi. Vijojmë t’i bëjmë thirrje SPAK, që të refuzojë me forcë bërjen pis nga lojërat politike të çiftit të 17 Majit, por ta çojë hetimin deri në fund. Pa frikë, deri tek nivelet më të larta të mazhorancës qeverisëse! Të anulojë koncesionin e inceneratorit 30 vjeçar të Tiranës; duhet ta kishte bërë këtë me kohë, por edhe sot nuk është vonë, e ato para le t’i përdorë qeveria për të rimbursuar qytetarët për rritjen e çmimeve.
Estrada e Bravës nuk ka të mbaruar, se edhe raportin e “komisionit hetimor”, me 100 faqe, e ka dorëzuar vetëm dje në darkë kryetarja e komisionit, për ta “miratuar” sot Kuvendi. Hipokrizi! Kaq peng janë, sa edhe pasi u bënë qesharak në sytë e të gjithë shqiptarëve, vijojnë me devotshmëri të shërbejnë si patericë për mbajtjen në pushtet të Edi Ramës.