Ibrahim Rugova, midis realitetit dhe ikonës

January 22, 2022
min lexim

I tillë shfaqet edhe Dr. Ibrahim Rugova, lideri i lëvizjes së kundërvënies civile ndër më të mëdhatë dhe ndër më të fuqishmet mbi bazat institucionale dhe më vonë edhe president i parë i Kosovës i dalë nga zgjedhjet e lira të mbajtura në vjeshtën e vitit 2000. Nuk do të arrijë 17 Shkurtin, por askush nuk mund t’ia marrë të drejtën që e ka fituar të zerë vendin që i takon në altarin e të merituarve të pavarësisë së saj.

Por, nëse mund të thuhet se Rugova është pjesë e historisë sonë më të re, ka edhe të tillë që nuk pajtohen me kthesën historike që ka sjellë filozofia politike e lëvizjes që ka bërë shkëputjen me komunizmin dhe ideologjinë totalitare dhe njëherësh ia ka hapur rrugën përkatësisë botës perëndimore dhe civilizimit të saj ku edhe gjendemi.

Zaten, këtu e kanë burimin edhe thyerjet për  dhe kundër Rugovës të cilat mbahen sot e gjithë ditën, që  në të vërtetë duhet kuptuar si ndeshje midis pikëpamjeve të së  djathtës në njërën anë dhe në tjetrën anë të atyre që vijnë nga  bindjet majtiste, ku edhe më tutje manifestohen mbetjet e ngarkesave ideologjike, veçmas  tek ajo pjesë e shoqërisë që ende nuk është liruar nga  mentalitet patriarkale, ku  vetëdija folklorike në masë të madhe ushqen  prirjet totalitare.

Shikuar nga këndvështrimi historik këto mbetje edhe janë të arsyeshme nëse kihet parasysh vendosja e diktaturës komuniste, e cila shqiptarëve në të dy anët e kufirit të dhunshëm do t’u vijë nga Lindja, e cila pas Luftës së Dytë Botërore, fuqinë do ta fitojë nga meritat në luftë kundër fashizmit.

Vendosja e sistemit komunist në Shqipëri dhe në Jugosllavi në të njëjtën kohë do të thotë qërim hesapesh me vetëdijen “borgjeze” dhe antikomuniste, viktimë e së cilës do të jetë shtresa e inteligjencës shqiptare me bindje perëndimore, por viktimë tjetër edhe më e madhe do të jetë Partia Nacional-Demokrate Shqiptare NDSH, me orientim antikomunist, ndaj anëtarësisë  së të cilës do të zhvillohet një terror i madh ku dënimi me vdekje do t’i gjejë drejtuesit e saj.

Natyrisht, se pos pastrimit sistematik nga  vetëdija e NDSH-së, në vitet e para të pasluftës, komunistët jugosllavë  dhe ata shqiptarë bashkarisht do të ndërmarrin fushatën për çrrënjosjen e të gjitha vlerave kulturore të përkatësisë perëndimore të botës shqiptare, që nga heqja dhe ndalimi i veprave të Gjergj Fishtës, Lasgush Poradecit, Koliqit dhe të shkrimtarëve të tjerë në mënyrë që t’i hapej rruga edukimit socialist me anën e metodës së socrealizmit, i cili sistematikisht do të pastrojë trurin shqiptar nga “mbetjet” imperialiste dhe reaksionare për t’ua futur ato të “njeriut të ri” të shpëlarë nga vlerat e së kaluarës. Krahas dhunës ideologjike, shqiptarëve të Kosovës dhe të pjesëve të tjera në Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës, do t’u rëndojë edhe shtypja e egër nacionale e Beogradit, e cila deri në vitet gjashtëdhjetë ishte në përputhje me strategjinë e memorandumeve antishqiptare të akademikëve serbë për shkatërrimin e qenies së tyre etnike.

Edhe përkundër këtyre zhvillimeve me orientime ideologjike, megjithatë nga mesi i viteve gjashtëdhjetë e tutje, në Kosovë, klima liberale politike e cila do të shfaqet pas rrëzimit të Rankiviqit, e cila do të përcillet edhe me ngritjen e autonomisë së Kosovës në shkallën e subjektit të Federatës, do të shfrytëzohet për barazi me të tjerët po edhe për kthimin kah vlerat e civilizimit perëndimor. Ky ndryshim shoqëror do të sjellë edhe një ndryshim tjetër të stereotipit të kërkesave të shqiptarëve nga ai i bashkimit me Shqipërinë dhe çlirimit, qoftë edhe nën ombrellën e shtetit stalinist shqiptar, tek barazia me të tjerët, që do të pasqyrohet me kërkesën për Republikën e Kosovës.

Rugova mund të merret ekzemplari tipik i gjeneratës së intelektualëve shqiptarë, të cilët në saje të arsimimit dhe të ngritjes, kanë shënuar kapërcimin nga lirimi i kornizave ideologjike të sistemit kah vlerat e shoqërisë së lirë perëndimore në qendër të të cilave është liria, barazia dhe demokracia perëndimore ku janë parë rrënjët e përbashkëta dhe gjithë ajo që një popull e qet me kujtesë të formuar historike dhe ndërlidhja me të paraqet ardhmëri. Andaj, edhe kërkesa për barazi, siç ishte ajo e ngritjes së Kosovës në Republikë, e artikuluar në demonstrat e vitit 1968 dhe ato të vitit 1981, e parë në kontekstet e zhvillimeve progresive të shoqërisë dhe të institucioneve të saj, nuk shfaqej si çështje formale, por si pjesë e hapësirës së lirisë dhe të barazisë me të tjerët, ku kornizat ekzistuese të autonomisë, duheshin hapur sa më parë, ngaqë ato tashmë ishin bërë të ngushta dhe mund të kalonin edhe në ngulfatje madje. Por, meqë për këtë mungonte vullneti i klasës politike shqiptare, do t’u hapet udha kërkesave institucionale dhe jashtinstitucionale, që ishin të drejta dhe në përputhje me përcaktimet civilizuese dhe postulate e saj që ngriheshin mbi barazinë dhe lirinë.

Kur do të shfaqen shenjat e para të krizës Jugosllave dhe do të shihet se klasa politike e Kosovës, nga kompromiset e shumta që kishte bërë nga viti 1981 e tutje për të ruajtur atë që ishte fituar me kushtetutën e vitit 1974 e që realisht nuk mund të mbrohej, nuk do të jetë në gjendje të marrë përsipër fatet e popullit, para intelektualëve të këtij orientimi, që edhe ashtu viteve të fundit kishin bartur gjithë barrën e kundërvënies projektit hegjemonist të intelektualëve serbë që do të dalë në shesh me Memorandumin e Akademisë serbe të vitit 1986, do të shtrohet domosdoja e marrjes me politikë si një  përgjegjësi historike, e cila do të mbështetej mbi koncepte dhe ide të qarta, që nuk mund të ishin të tjera pos në frymën e civilizimit perëndimor dhe të pluralizmit politik.

Dhe marrja me politikë duhej të kishte një  koordinatë të dyfishtë:  lirimin nga dhuna e ideologjisë  totalitare dhe kërkesën e barazisë, me emërues të përbashkët  demokracinë. Këto ishin prioritete, po që e para – lirimi nga dhuna ideologjike, shfaqej si parësore, ngaqë  për ata që e dinin se çfarë fatkeqësie i kishte sjellë botës shqiptare ideologjia komuniste dhe përkatësia e dhunshme asaj nga Lufta e Dytë Botërore e tutje, lirimi nga kthetrat e dhunës totalitare dhe të sistemit mbi të cilin qëndronte, paraqiste parakushtin e parë  të kapërcimit tonë nga Lindja tek Perëndimi, që të bëhemi pjesë dhe interes perëndimor, e ku pastaj, me postulatet civilizuese mund të arrihej edhe barazia e edhe liria.

Sigurisht, këtij përcaktimi që do të paraqesë pikënisjen e filozofisë politike të programit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të lëvizjes së cilës do t’i prijë ajo, do t’i vinë në ndihmë zhvillimet pozitive në skenën politike botërore që do të shfaqen pas rrënimit të Murit të Berlinit  kur pas bashkimit gjerman do të fillojë të bie perdja e hekurt, pastaj edhe imperia e kuqe sovjetike e bashkë me të edhe bipolariteti blokist dhe konfrontimet ideologjike që për gjysmë shekulli botën e kishin mbajtur në ethet e luftës  së ftohtë.

Në këto rrethana, lëvizja shqiptare do të zhvillohej në dy binarë paralelë: fillimisht të shkëputjes nga Serbia me anën e arritjes së plotë të subjektit federativ, me çka do të fitohej edhe e drejta për vetëvendosje deri te shkëputja nga Jugosllavia, dhe në atë të shkëputjes me ideologjinë komuniste.

Si do të shihet ecja nëpër këta binarë paralelë nuk do të jetë aspak e lehtë, ngaqë hapte konfrontimin dykrahësh me Serbinë, e cila ishte në vlugun e unitarizmit dhe shumëkush në Jugosllavi priste që nga konflikti serbo-shqiptar të përfitohej që sa më lehtë të liroheshin  nga Beogradi, ndërkohë që shqiptarët ishin të vetëdijshëm se ky zhvillim duhej të shkonte kahut të kundërt në drejtim të Kroacisë dhe të Sllovenisë, ku do të prekeshin sferat perëndimore dhe kjo doemos do ta shtynte Perëndimin që të ndërmerreshin masa që Beogradit  t’i shkëputej çfarëdo mundësie që si faktor i ri force në Ballkan të rikthente ndikimin rus, pikërisht atë që Moska e kishte humbur në saje të shtrirjes ideologjike.

Por, lëvizja shqiptare, e vetëdijshme se ishte pikërisht kursi antikomunist  ai që asaj do t’ia hapte perspektivën  historike dhe njëherësh Beogradit do t’ia  hiqte çfarëdo mundësie që “stazhin” e dhunshëm komunist të shqiptarëve ta shfrytëzonte për qëllimet e veta,  do të përqendrohet tek shkëputja me komunizmin dhe si do të shihet për më pak se tre muaj do të arrijë që në Kosovë komunistët të pësojë disfatën më të madhe, me ç’rast shqiptarët do të dëshmojnë se asnjëherë nuk kanë pas bindje komuniste, por që në atë fatkeqësi  kanë qenë të përfshirë dhunshëm, dhe njëherësh do të bëjnë me dije se përcaktimi i tyre është perëndimor pa kurrfarë dilemash dhe hipotekash me të cilat propaganda hegjemoniste serbe ç’prej kohesh ishte munduar ta  ngarkojë dhe ta anatemojë herë si “filialë staliniste e Tiranës” e herë  si “mbetje e rrezikshme e fundamentalizmit islamik” dhe të ngjashme.

Dhe natyrisht se përcaktimi perëndimor, nënkuptonte edhe sjelljen perëndimore, në përputhje me vlerat civilizuese, ku kërkesa për barazi, liri dhe demokraci shfaqen si të pakapërcyeshme.

Andaj, ishte e pritshme që edhe lëvizja e shqiptarëve për pavarësi të fillonte dhe të mbështetej mbi postulatet e barazisë dhe të demokracisë.

Vënia e Rugovës në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës si lëvizje gjithëpopullore, konceptin  programor të mbështetur mbi trekëndëshin strategjik: barazi, demokraci dhe përkatësi perëndimore, do ta kthejë në një  filozofi politike, atë të kundërvënies civile, që do të njihet herë si rezistencë paqësore, e herë si pushtet paralel e të ndryshme, por që në të vërtetë ka paraqitur dëshmitë më të mëdha civilizuese shetformuese, me anën e të cilave prania serbe në Kosovë do të reduktohej në atë të pushtuesit ushtarak, ndërkohë që do të ndikohet që agresioni serb dhe lufta që kishte nxitur të anashkalonte sa më shumë që të ishte e mundur Kosovën, edhe pse dihej që ajo një ditë do ta gjente, por që edhe kur kjo të ndodhte atëherë, Serbia të mos ishte ajo e vitit 1990 me miq dhe përkrahës të shumtë, por një monstrum i shkallmuar me hipotekat e xhandarit të Ballkanit dhe aleatit të vetëm të Rusisë, ndaj të cilit pastaj bota do të reagonte për të mbrojtur një popull dhe një lëvizje civilizuese vendi i së cilës ishte në Europë.

Por, ishte koha dhe ishin koniukturat ndërkombëtare ato që Rugovës dhe kursit të kundërvënies civile po i qitnin telashe, meqë lëvizja shqiptare fillimisht ishte e mbikëqyrur nga amerikanët dhe disa nga vendet perëndimore në krye me Gjermaninë, dhe ajo ndiqte me dëgjueshmëri të madhe që të gjitha “këshillat” që i vinin nga Uashingtoni dhe Boni apo edhe Brukseli, të cilat rëndom kërkonin që të evitohej lufta, të evitoheshin konfliktet dhe të pritej.

Slogani dhe më vonë refreni “durim, durim”, që Rugova e përsëriste çdo të premte në konferencat për shtyp, po edhe kudo, njëherësh ishte edhe refren amerikan dhe refren perëndimor që u drejtohej shqiptarëve, që dikur më vonë kishte filluar të keqpërdorej edhe nga Beogradi, i cili “qetësinë” e Kosovës mundohej t’ia atribuonte gjoja lojalitetit ndaj Beogradit, i cili mund të prishej vetëm nga ndonjë kryeneçësi separatiste dhe terrorizëm me prapaskenë fundamentaliste!

Pa hyrë te vlerësimi i sjelljes  politike të Rugovës, ku ka se çfarë thuhet, por  ato duhet të shikohen nga distanca e duhur kohore dhe në përputhje me dokumentet e shumta arkivore kur shumë prej tyre t’u hiqet embargo, megjithatë duhet ruajtur nga ngatërrim i konceptit të filozofisë politike, çfarë ishte ai i lëvizjes gjithëpopullore të dalë nga programi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga  sjellja politike, e cila ishte në përputhje të plot me ato që asaj iu imponuan nga jashtë gjatë gjithë kohës sa ajo ishte e mbikëqyrur deri në hollësi, së cilës Rugova iu nënshtrua për vite të tëra, çka nuk ia ul vlerën atij, por përkundrazi e shfaq si politikan i cili e ka ditur fare mirë  se çfarë mundet dhe çfarë nuk mundet, se çfarë guxon dhe çfarë nuk guxon, dhe e ka ditur se ana e zgjedhur, ajo e Perëndimit ishte e vetmja që mund të sjellë shpëtim dhe asaj duhej përmbajtur, meqë alternativa tjetër ishte gjenocidi serb.

Këtu, në të vërtetë del në pah se Rugova nuk ka pasur probleme me zbatimin e konceptit të  kundërvënies civile me pushtetin paralel dhe institucionet e saj, dhe nuk ka pasur probleme as me blanko besimin ndaj aleatëve perëndimorë në krye me SHBA-të dhe rolin e tyre të madh në këtë zhvillim, por probleme i kanë dalë  dhe vazhdojnë t’i dalin me sjelljen  ndaj filozofisë politike të tij  nga ana e një pjese të mirë të atyre që dikur i kishin takuar, e kishin mbështetur, por që  pasi ai të ketë luajtur misionin historik siç ishte shkëputjes nga komunizmi dhe dhënia e dëshmive e përkatësisë civilizimit perëndimor dhe kundërvënia civile me pushtetin paralel, në një kohë kur tashmë ishin përmbushur  rrethanat që të kalohej nga kundërvënia civile dhe gjendja e statusquos në atë të rezistencës së armatosur bartës i së cilës do të shfaqet Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kishin filluar ta anatemonin lëvizjen së cilës i kishin takuar për vite të tëra, anatemë kjo që më pak qet në pah qëndrimin ndaj një individi, qoftë ai i një rëndësie si të Rugovës, e më shumë flet  për  problemet që ka një shoqëri me vetveten  nga shkaku i konvertimeve me anën e të cilave ngatërrohet kompasi i orientimit historik që botës sonë i ka kushtuar aq shumë dhe mund t’i kushtojë edhe me shumë në një të ardhme nëse përkatësinë  perëndimore e ngatërron me atë lindore dhe nëse përcaktimin antikomunist e  ngatërron me atë ideologjik…

Dhe për fund, për ta ilustruar frikën e reinkarnimit të  disa proceseve, gjithsesi se nga kujtesa ime do të thërras në ndihmesë dy shembuj të dy bisedave të bëra me Ibrahim Rugovën në Bon, në Dhjetorin e vitit 1995 dhe atë në Maj të vitit 1999, të cilat janë domethënëse për të kuptuar pse Rugova nuk mund të mbetet “i qetë” si pjesë e historisë, ku e ka vendin dhe pa marrë parasysh ato që i përplasen ai mbetet në histori dhe në një farë mënyre konfrontimi me të paraqet  mospajtim me ato zhvillime historike dhe proceset nëpër të cilat është kaluar, ku dëshira për t’i rikthyer ato është e dukshme madje.

Me këtë rast duhet përkujtuar se nga largimi im si pjesëmarrës aktiv në polikë, por assesi si pjesë e koncepteve kreative të filozofisë së saj  – dhe kjo do të ndodhë pas mbajtjes së Kuvendit të parë të LDK-së në maj të vitit 1991, pra atëherë  kur do të arrihet shkëputja historike  me komunizmin dhe pas 2 Korrikut dhe 7 Shtatorit të vitit 1990 në Kaçanik do të aprovohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës me çka  u krijuan kushtet për shkëputje edhe nga Jugosllavia, e me këtë do të jetë  mbyllur faza më e rëndësishme e konstituimit   të Lëvizjes sonë shtetformuese si subjekt i pakapërcyeshëm – me Ibrahim Rugovën do të kem vetëm një takim, kur ai do të marrë pjesë në promovimin e  pjesës së dytë të romanit tim “Prapë vdekja” dhe aty do të ndërrojmë disa fjalë për krijimtarinë.

Si herën e parë, dhe si herën e dytë, Rugova do të ketë shqetësimin se lëvizja shtetformuese mund të mos rrumbullakohet në përputhje me filozofinë politike dhe konceptet mbi të cilat është vendosur nga shkaku i dy arsyeve: i koniukturave ndërkombëtare dhe lojërave të tyre në njërën anë dhe në tjetër anë nga mosgatishmëria e shqiptarëve që këtyre proceseve historike – shkëputjes nga komunizmi dhe përkatësisë Perëndimit – t’u përkushtohen sa duhet.

Rreth kësaj të dytës, madje, kishte dyshime se prapambetjet e vetëdijes totalitare dhe humbja e kompasit midis Lindjes dhe Perëndimit në dobi të ngatërrimit të së parës, mund të jenë tepër të rrezikshme sa të vihet në sprovë gjithë koncepti  i fitores historike të kohës sonë, që për pasojë do të kishte kthimin e saj pikërisht aty ku ishte që nga Kriza Lindore e tutje, për t’u parë në dritën e faktorit negativ të Ballkanit dhe të stabilitetit të saj, pikërisht ashtu siç e kishte dëshiruar Beogradi, i cili aq shumë kishte investuar në të.

Por, t’i kthehem takimit të parë, atij të dhjetorit të vitit 1995 në Petersberg te Bonit, ku pas katër vitesh do të mbahen takimet e Grupit të Kontaktit për Kosovën dhe do t’u jepen edhe parafet e fundit marrëveshjeve së Kumanovës, me anën e të cilave do të bëhet tërheqja e forcave jugosllave nga Kosova, me çka do të krijohen kushtet për futjen e forcave ndërkombëtare të kryesuara nga ato amerikane në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së.

Ditë më parë Rugova kishte ardhur në një vizitë në Gjermani dhe si rëndom, ishte “në kompetencë” të mbikëqyrjes së degës së LDK-së në këtë vend, edhe pse në Bon Qeveria e Kosovës në ekzil kishte “selinë”, por nga disa mospajtime flitej se raportet midis presidentit dhe kryeministrit nuk ishin të mira. Meqë, i rrija larg asaj që quhej skenë politike e Kosovës dhe ngatërresave të saj, dhe për vizitat e liderëve shqiptarë në Gjermani, informoja vetëm kur ata priteshin zyrtarisht nga institucionet dhe politika gjermane, nuk kisha ndonjë interes që të sillesha ndryshe as këtë herë, sado që ndjeja nevojë për ndonjë muhabet intelektual me Rugovën.

Por, ditën që do të përfundojnë marrëveshjet e Dejtonit dhe isha si shumë i përqendruar të dija sa më shumë për to, meqë ishte më se e qartë se pas tyre do t’i vinte radha edhe Kosovës, me anën e një telefonate nga Ministria e Jashtme Gjermane, ftohesha nga Drejtori për Çështje të Ballkanit, zoti Hase për një bisedë të shkurtër. Zoti Hase, me të cilin njiheshim prej më shumë se dy vitesh, do të më njoftojë se Rugova ishte pritur në Ministrinë e Jashtme zyrtarisht nga ministri Kinkel dhe, nga ai çast, si tha, për dy ditë lideri i shqiptarëve të Kosovës do të jetë mysafir i qeverisë gjermane dhe do të vendoset në rezidencën qeveritare në Petersberg të Bonit. Marrja e Rugovës në mbikëqyrje nga qeveria gjermane, pamëdyshje se paraqiste një shkallë tjetër të trajtimit politik të Rugovës nga ana e gjermanëve krahasuar me sjelljen e deriatëhershme që ishte përherë “jozyrtare”. Pasi ma dha kumtesën për shtyp rreth pritjes së liderit shqiptar nga ana e Kinkelit, e cila përfshinte disa rreshta, më ftoi në darkën e përbashkët me Rugovën në Petersberg, që shtronte Ministria e Jashtme.

Sinqerisht i gëzohesha takimit me Rugovën, jo pse nuk e kisha takuar prej më shumë se dy vitesh, pra kur isha larguar dhe personalisht ia kisha shpjeguar arsyet, paralajmërimet e të cilave nga ana ime i kishte pasur që më parë por mendonte se do ta ndërroj mendjen, po pse ndjeja nevojë për një shfrim intelektual të tillë, që aty më mungonte në ato rrethana shtresimi të madh profesional. Urova që aty të ketë më shumë atmosferë intelektuale nga ajo e pritshmja politike. Në mbrëmje, në orën 20 do të ngjitem në majën e Petersbergut, dhe në verandën e madhe të kthyer me shikim nga Rajna dhe Bad Godesbergu, do ta takoj Rugovën, të qetë dhe të mendueshëm, siç e kisha lënë në zyrën e tymosur të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Nuk patëm mundësi të çmalleshim gjithaq meqë pas pak do të vijë nikoqiri, Hase me një bashkëpunëtor dhe do të vijë edhe Bujar Bukoshi, me të cilin Rugova do të përshëndetet ftohtas pa luajtur nga vendi fare. Ishte e qartë se takimi i tyre thuajse i detyrueshëm ishte bërë nga Ministria e Jashtme gjermane, dhe ata kishin pasur arsye për një gjë të tillë.

Darka do të kalojë në një atmosferë të ftohtë, me ndonjë ndërhyrje të lehtë të zyrtarit të lartë gjerman rreth shijes së verës, apo panoramës së Rajnës e mbërthyer nga dritat që e përshkonin, e cila nga ajo pikë dukej impozante, ndërkohë që Rugova ia kthente me ndonjë përshtypje nga panoramat e Senës së Parisit natën. Herë pas herë Rugova ma shtronte ndonjë pyetje rreth krijimtarisë letrare, që thoshte se duhej ta vazhdoja, duke e ndërlidhur shkëputshëm me ndonjë përshtypje nga romani im “Prapë vdekja”, që thoshte se pjesa e dytë dhe e tretë i kishte lënë përshtypje dhe fliste se një ditë, kur të gjente kohë, do të shkruante një studim pak më të gjerë, siç kishte vepruar edhe me romanin “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”.

Pas nja dy orësh darka kishte kaluar dhe në ishim ndarë ftohtas me përshtypjen e ndërsjellë se ajo ndoshta as që ia kishte vlejtur, sepse kishte shpërfillur përfytyrimin e atyre që midis nesh, qoftë si kujtime duhej të ruheshin të paprekura. Por, diku nga mesnata do të bjerë telefoni dhe nga ana tjetër e kufjes do të dëgjoj zërin e Rugovës. Më tha se po të kisha mundësi do ta vazhdonim takimin.

“Ka edhe pak verë të mirë këtu që nuk ka mbaruar”, foli si me mahi.

Pas gjysmë ore takova Rugovën që po më priste në verandën e madhe ku darkuam. Tha se mirë ishte të kalonim në pjesën tjetër, por pas pak ndërroi mendjen dhe u vendosëm aty ku ishim. Me të shpejtë hetova një njeri tjetër. Të tillë siç e mbaja mend nga bisedat që herë pas herë bënim te “Eni” i Neshetit kur ai mbyllte lokalin në orët e vona të natës dhe ne mbeteshim vetëm aty deri në orët e hershme të mëngjesit.

Nisi të fliste me shqetësim dhe ndrojtje rreth Dejtonit. Duket se këtë e kishte edhe nga biseda që kishte pasur  atë ditë  me Kinkelin  në Ministrinë e Jashtme dhe kisha informata se si Ministri i Jashtëm gjerman i kishte thënë se edhe më tutje duhej të vazhdonte kursin e rezistencës civile, por që ia kishte bërë me dije se duhej të  ishte i gatshëm për biseda të drejtpërdrejta me Beogradin rreth zgjidhjes së problemeve që kishin, por  Rugova ia kishte kthyer se nuk mund të kishte biseda për çështje problemesh, por rreth  ndarjes përfundimtare nga Serbia në përputhje me vullnetin politik të shprehur të popullit të Kosovës që nga 2 Korriku, kushtetuta e Kaçanikut, referendumin për pavarësi dhe të tjerat. Madje, Rugova i kishte thënë Ministrit gjerman se edhe po qe se do të detyrohej të hynte në bisedime me Beogradin, do të bisedohej për statusin, ku garant do të ishte faktori ndërkombëtar e assesi ndryshe. Meqë Kinkeli i kishte thënë se vullneti i shprehur i shqiptarëve ishte një dhe koniukturat ndërkombëtare diç tjetër, që kurrë s’u dihet, por aty është fjala e fundit, shihej qartë se Rugova edhe më tutje nuk ishte liruar nga trysnia e atyre që kishte dëgjuar nga Ministri i Jashtëm gjerman. Haptas tha se druante se mund të mbeteshim viktima të disa koniukturave nga shkaku se Perëndimi edhe më tutje dëshironte ta mbante Serbinë partner të rëndësishëm rajonal. Brengosej pra se premtimet që i ishin dhënë popullit të Kosovës se kishim amerikanët me vete dhe Perëndimin, mund të dukeshin vetëm premtime.

Nuk dija se çfarë t’i thosha tjetër pos t’ia bëja me dije se përkundër asaj që ishte arritur në Dejton, megjithatë nuk kishte përfunduar drama e Ballkanit. Sepse, edhe më parë kishte pasur marrëveshje, por ato shpejt kishin rënë në ujë.

“Nuk ma thotë mendja se amerikanët mbesin në gjysmë të rrugës. Ata kanë interesa gjeopolitike dhe gjeostrategjike në Ballkan, ku faktori shqiptar luan rol”.

Ia përkujtova ato që senatori Robert Dol na i kishte thënë në Prillin e vitit 1990 në Uashington kur na kishte ulur bashkarisht me Qosiqin dhe ai thuajse i mahnitur kishte zënë ngojë  kunjat e mëdhenj që  lëviznin botën…

Edhe pse Rugova i dinte këto dhe ishte shumë mirë i informuar nga të gjitha anët, megjithatë ishte njëfarë rënie depresive e çastit që e kishte mbërthyer aty ku njeriu duket si pikë e vogël uji në detin e madh. Pas pak kjo edhe do të hetohej, kur sërish do t’i kthehet disponimi dhe do të thotë se ia kishim dalë të bëhemi interes i Perëndimit dhe kjo do të kishte rëndësi që të mos kthehemi më në tutelën e Beogradit. Më përcolli me fjalët, që mezi i thoshte:

“Nuk ka kthim prapa, por ne edhe më tutje do të mbesim peng i sferave të interesit. Sikur i kemi fat?… Megjithatë, duhet bërë çmos që të mbesim në Perëndim dhe jo në Lindje”.

Edhe takimi i dytë dhe i fundit që do ta kemi, në Maj të vitit 1999 në Bon, do të fillojë ftohtas në një pasdite kur do t’i drejtohem hotelit “Kënigshof” skaj Rajnës, ku ishte vendosur pas largimit nga Roma, për të vazhduar pas gjysmës së natës, kur do të më drejtohej me telefon që të bisedonim paksa, siç kishte kërkuar para katër vitesh kur ndodhej në rezidencën e qeverisë në Petersberg skaj Bonit dhe kokën e kishte me brengat e të panjohurave të  Dejtonit.

Në të vërtetë, gjatë takimit të pasdites, ne kishim pirë kafe në taracën e rrethuar me xhama skaj Rajnës dhe ai kishte bërë përpjekje që disi t’i ikte tollovisë që e ndiqte  nga prania e madhe e atyre që kishte me vete, por edhe e vizitorëve të shumtë që pareshtur vinin nga të gjitha anët e Gjermanisë, po edhe nga vendet përreth dhe dëshironin ta takonin. Dhe kjo si duket e kishte lodhur po edhe bezdisur si shumë. Këtë ma tha sapo u takuam pas gjysmës së natës dhe vazhduam të bisedonim nga pjesa e djathtë e barit që shikonte pjesën e Rajnës në drejtim të Bad Godesbergut, ku pirgu i ndriçuar i kullës së kështjellës, dukej si mrekullitë e Babilonit.

Ky takim, megjithatë, ishte tjetër fare nga ai i Petersbergut, ngaqë Rugova kishte kaluar nëpër shumë sfida, ndër të cilat më e vështira pa mëdyshje ishte ajo e Beogradit, kur për disa javë ishte mbajtur peng i Millosheviqit, dhe ai ishte munduar ta shfrytëzonte për qëllime të caktuara politike. Mendja ma merrte se Rugova kishte këtë gur në zemër dhe barrën e tij, që mund ta ngarkonte përjetshëm. Andaj, prisja që nga ai paksa të zbrazej. Por, për habi, preokupim nuk e kishte kohën e Beogradit. Si edhe me rastin e takimit në Petersberg kur më kishte folur për dilemën e sferave të interesit dhe pengun e tyre me preokupimin jetik që të mbeteshim në atë të Perëndimit dhe jo në të Lindjes, këtë herë më foli për frikën nga ringjallja ideologjike e vetëdijes totalitare.

Kisha përshtypjen se nga ai po fliste një frikë e madhe, e brendshme dhe tejet e thellë, e cila nuk shfaqej vetëm si dyshim, por si ndjekje, që nganjëherë i përngjan paranojës.

“I druaj hakmarrjes komuniste”, do të më thotë një çast me aso shqetësimi, sa më shkoi mendja se mund të ndodhej para ndonjë thyerje të rëndë psikike dhe mendja më shkoi tek pasojat e Beogradit.

“Nuk mund të çrrënjosen bindjet totalitare. Ato preokupojnë shpirtin dhe mendjen njësoj…”

Çfarë t’i thosha kur e dija se kishte të drejtë, por nuk ma merrte mendja se ai tashmë ishte mbërthyer i tëri nga ajo druajtje.

Prapë përmendi hakmarrjen komuniste, dhe si për çudit, kaloi te Xhojsi dhe Uliksi i famshëm, i cili shumë herë na kishte ardhur në ndihmë gjatë bisedave me diplomatët e huaj. Mendja ma tha se ky do të ishte një shkas të ndërronim temën e rëndë, po ai prapë e ktheu tek hakmarrja dhe frika prej saj. Më pyeti se a e dija pse Xhojsi nuk kishte dashur të vdiste në Dublin?

Edhe pse e dija se ishte njëfarë paranoje së cilës ai kohëve të fundit i ishte nënshtruar kur kishte vendosur që të mbetej në Paris dhe aty të vdesë, përgjigjes i bishtnova me atë që thashë se Parisi mund ta kishte mahnitur siç ka mahnitur gjithë botën.

“Ku ka më mirë se të vdesësh në Paris”, fola pak si me shaka.

“Ka!” m’u drejtua me një zë tejet tingëllues. “Vdekja më e mirë është në Dublin!”

Pas pak midis nesh mbërtheu një heshtje shurdhe. Hetova se ishte në një gjendje të rëndë, por që kishte nevojë prej saj disi të lirohej. Kishte nevojë të fliste me dike nga shpirti. I thashë se mund të vdesësh edhe në Dublin. Pse jo?…

“Në Dublin është madhështi të vdesësh, por është mallkim të vritesh… Nuk e dua vrasjen në Dublin… Nuk e dua…”

“Kush do ta donte…?” – ia ktheva pasi më drejtohej që t’i thosha diç.

Pak më vonë, tha se Xhojsi ka pasur parandjenjën se mund ta vrasin në Dublin dhe kjo do të jetë vrasje shpirti, që nuk do të mund ta duronte, ngaqë ajo vrasje do ta ngarkonte me mallkim të përhershëm çdo irlandez dhe vetë Irlandën.

“Xhojsi kishte hallin e mallkimit irlandez. Kësaj i frikësohej… Kishte mallkimin e shpirtit…”

Kur po largohesha, më dukej se fjalët për mallkimin e shpirtit dhe atë të hakmarrjes komuniste, nga ajo e sojit stalinist, më ishin vënë pas dhe po më ndiqnin nga të gjitha anët…

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Ja si mund të shkohet në Kosovë me rregullat e reja anti Kovid

Story i radhës

‘Do të të vras’: Sulmi ndaj një mjeku pro vaksinimit në Bullgari

Të fundit nga

Pas sulmit në Magdeburg seancë e posaçme në Bundestag

Bundestagu dëshiron të trajtojë në një seancë të posaçme sulmin në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg këtë vit. Sipas informacioneve të studios së ARD në Berlin, Komisioni i Brendshëm i Bundestagut dhe Bordi i Kontrollit
ShkoLartë