Institucionet më të larta sportive në Republikën e Kosovës, nuk guxojnë të heshtin apo mos të merren me disa çudi në sportin e Kosovës!
Heshtja e tyre është pajtim me realitetin në terren.
Institucionet më të larta sportive, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe e Sportit të Kosovës, Departamenti i Sportit të Kosovës dhe Komiteti Olimpik i Kosovës, urgjentisht duhet të mblidhen para se të licencohen federatat sportive, të trajtojë disa gjëra dhe t’i eliminojë disa dukuri negative!
Ibër Alaj – drejtor i DSK-së, Ismet Krasniqi – kryetar i KOK-ut, Afërdita Fazlija – zëvendësdrejtoreshë e DSK-së dhe Besim Aliti – sekretar i përgjithshëm i KOK-ut, e kanë obligim moral e kombëtar, që ta sqarojnë opinionin për disa gjëra që ndodhin nëpër disa federata.
Para se të bëhet licencimi i federatave sportive, institucionet më të larta sportive, të tregojnë hapur, a ka të drejtë një zyrtar i federatës të jetë edhe trajner në klub? A ka drejtë një kryetar i federatës të jetë trajner apo kryetar i një klubit?
A ka drejtë një sekretar i përgjithshëm të jetë trajner në klub? A ka drejtë një anëtar i bordit të jetë trajner në klub?
A ka drejtë një zyrtar i federatës të jetë edhe gjyqtar? A ka drejtë një drejtor i drejtorisë së sporteve të jetë trajner i një klubi? A ka drejtë një përgjegjës për sport në iks komune të jetë trajner i një klubit? A ka drejtë një zyrtar t’i ketë 2, 3 apo 4 poste?
A është konflikti interesi? Heshtja e juaj është në dëm të sportit të Kosovës.
Ju jeni ata që duhet ta trajtoni këtë çështje, ta rrihni tavolinën dhe ta luftoni të keqen në bashkëpunim me komunat.
A lejohet një person t’i ketë 2-3 apo 4 klube? A e dini si funksionojnë klubet nëpër komuna dhe si janë të regjistruar? A kemi klube fiktive dhe vetëm me një zyrtar apo me 4 e pesë persona dhe përfitojnë nëpër komuna të ndryshme? A është parimore kjo punë?
Ibër Alaj – drejtor i DSK-së, Ismet Krasniqi – kryetar i KOK-ut, Afërdita Fazlija – zëvendësdrejtoreshë e DSK-së dhe Besim Aliti – sekretar i përgjithshëm i KOK-ut, ju nuk mund t’i shmangeni këtij fenomeni, ju jeni në pozita më të larta! Ju duhet të uleni kokë me kokë dhe të kërkoni zgjidhjen më të mirë.
Ose thuani botërisht, ka të drejtë një kryetar federate të jetë trajner në klub dhe për të gjitha të lartpërmendurat.
A lejohet një selektor t’i udhëheq dy kombëtare? Luftoni për të drejtën sportive, luftoni për të mirën e sportit, luftoni që gjërat të vijnë në vend të vetin. Bëhuni luftëtarë të së drejtës, mos hezitoni Ibër Alaj – drejtor i DSK-së, Ismet Krasniqi – kryetar i KOK-ut, Afërdita Fazlija – zëvendësdrejtoreshë e DSK-së dhe Besim Aliti – sekretar i përgjithshëm i KOK-ut.
Ju jeni në vijën e parë, paguheni dhe nuk jeni në baza vulnetare, ju jeni ata që duhet t’i thoni boll më disa federatave që nuk e dijnë kur bëhet boll! Është komisioni pranë ministrisë që po punon për licencim e federatave sportive.
Pastroni listat e secilës federatë, fundja edhe suspendoni. Mos lejoni zyrtar me dy-tre pozita!
Stop një herë e përgjithmonë! Le të zgjedhin të gjithë ata ku duan të janë, në federatë, në klube apo ku dojnë! Nuk ka edhe në federatë edhe në klub edhe shef i veterinarisë edhe shef i kozmetikës! Boll më!
Kosova është shtet demokratik dhe askush nuk mund të funksionojë me ligjin e xhunglës!