I prishet aeroplani, ministrja e jashtme gjermane anulon udhëtimin në Paqësor

min lexim

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, është detyruar të anulojë një udhëtim të profilit të lartë në Australi, pasi avioni i saj qeveritar u prish për herë të dytë.

Annalena Baerbock kishte shpresuar të arrinte në Australi në kohë për gjysmëfinalen e Kupës së Botës për femra, por në vend të kësaj mbeti e bllokuar në Abu Dhabi, pas dy përpjekjeve të dështuara për ngritje, raporton “The Telegraph”.

Ajo konfirmoi të martën, se kishte braktisur udhëtimin e saj njëjavor, i cili do të përfshinte ndalesa në Zelandën e Re dhe Fixhi, dhe se po kthehej në Berlin gjë të cilën mediat gjermane e quajtën “debakël”.

“Provuam gjithçka. Fatkeqësisht është e pamundur logjistikisht të vazhdoj udhëtimin tim në Indo-Paqësor pa avionin me defekt. Kjo është më shumë se e bezdisshme”, shkroi Baerbock në Twitter.

Avioni 23-vjeçar A340 kishte bërë një ndalesë karburanti në Abu Dhabi, mëngjesin e së hënës në rrugën e tij për në Australi. Por një problem me njërin krah nënkuptoi se avioni nuk ishte në gjendje të arrinte lartësinë e tij të fluturimit, duke bërë kështu që udhëtimi të ndërpritet vetëm disa minuta pas ngritjes.

Piloti fluturoi në rrathë në gadishullin e Gjirit, duke hedhur 80 ton kerozinë përpara se avioni “Airbus” të mund të ulej sërish në mënyrë të sigurt në Abu Dhabi.

Një fluturim i suksesshëm provë më vonë të hënën la të kuptohej se problemi ishte rregulluar. Por kur Baerbock dhe delegacioni i saj i nëpunësve civilë dhe gazetarëve u ngritën sërish të martën, çështja u përsërit.

Me avionin jashtë shërbimit, Baerbock dhe ekipi i saj anuluan udhëtimin.

Forca ajrore gjermane, ndërkohë tha se do të tërhiqte aeroplanin A340 dhe një tjetër të të njëjtit lloj të rezervuar për ministrat. U tha po ashtu se ky veprim nuk do të ndikojë në misionet e ardhshme diplomatike.

Burimi: GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Pendarovski do t’i mbledhë presidentët rajonalë në Shkup

Story i radhës

Të mërkurën shorti për Superligë

Të fundit nga