Gareth Bale është duke i kaluar muajt e fundit në fanellën e Real Madridit.
Yllit uellsian do t’i skadojë kontrata në qershor të këtij viti dhe palët nuk kanë dhënë shenja se janë të interesuar për ta vazhduar bashkëpunimin.
Ish-futbollisti i Tottenhamit nuk ka dashur të flasë për të ardhmen, por edhe vetë ai është i vendosur të largohet nga “Santiago Bernabeu”.
“Nuk kam menduar për këtë ende. Të mendoj për të ardhmen mund të sjell dyshime, për këtë nuk e kam bërë deri tash”, deklaroi Bale, i cili aktualisht është i grumbulluar me Kombëtaren e Uellsit për ndeshjet e marsit.
Bale pritet të vendosë për të ardhmen për klubin e ri në muajin maj.
Sipas të gjitha gjasave, futbollisti ofanziv do të rikthehet në Premierligë.
Atë e do ish-klubi i tij, Tottenham, por e pëlqejnë edhe Newcastle United dhe Aston Villa.