Biznesmeni strategjik i qeverisë Rama, Pëllumb Gjoka, ka depoizituar një padi në Gjykatën Kushtetuese për përgjimet e SKY ESCC.
Ai kërkon pavlefshmërinë e këtyre hetimeve dhe biseda nga dosja e SPAK.
Prej korrikut të vitit të kaluar, Gjoka mbahet në paraburgim për disa akuza të rënda penale, në kuadër të operacionit “Metamorfoza”.
Gjoka, i njohur edhe si investitor strategjik, u arrestua pas zbardhjes së komunikimeve në aplikacionin e enkriptuar Sky ECC, ku në pranga përfunduan efektivë policie, prokurorë e ish prokurorë.
Emri i biznesmenit Gjoka, është lakuar shpesh në mjediset politike, pasi opozita e ka akuzuar atësi një person të përfshirë në blerje votash në favor të partisë socialiste.
Gjoka u arrestua falë informacioneve që Prokuroria e Posaçme mori nga agjenci europiane të cilat kanë mundur të deshifrojnë komunikmet përmes telefonave të koduar të përdorur kryesisht nga personazhe të botës së krimit, mes të cilëve dhe emra jo të pakët shqiptarësh.
I pandehuri Pëllumb Gjoka, akuzohet nga SPAK për:
“Vrasja me paramendim”, në dëm të viktimës Gjin Ndoj (Boriçi), finalizuar në datën 09.08.2020, në qytetin e Shkodrës, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 78/2, 28/4, 333/a/1 dhe 334, të Kodit Penal.
“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Kleant Musabelliu, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 80, 28/4, 333/a/1 dhe 334, të Kodit Penal.
“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasve Dorian Duli dhe Ibrahim Lici, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 80, 28/4, 333/a/2 dhe 334, të Kodit Penal.
“Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319 dhe 25, të Kodit Penal.
“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 278/1, 28/4, 333/a dhe 334, të Kodit Penal.