“I gjetëm pa organe”, rrëfimi i familjarëve të viktimave në Istog – aktakuza ndaj dy serbëve për krime lufte

min lexim

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj dy serbëve për krime lufte ndaj popullsisë civile. Të njëjtit akuzohen për krimet në familjen Salihaj, Imeraj, Lipa e të tjera në rajonin e Dukagjinit. Familjarë të viktimave i njohin të dy nga afër dhe thonë se të njëjtit u endën të lirë për vite të tëra. Ata shprehen të zhgënjyer me sistemin e drejtësisë e nuk janë optimist për rezultatet që do t’i sjell gjykimi i tyre.

Për t’u përballur me drejtësinë për krimet e luftës ndaj popullatës civile, është ngritur aktakuzë ndaj Momir Pantiq dhe Zharko Zariq.

Në vitin 1999, të dy gëzonin pozita drejtuese në stacionet e milicisë, Zariq shef në atë të Rakoshit e Pantoviq në Istog.

Familja Salihaj të dy i njihte nga afër e kjo ngase problemet me ta i kishin të vazhdueshme. E për më tepër, ishte Pantoviq ai i cili kishte dhënë urdhrin e vrasjes së 9 anëtarëve të familjes Salihaj, nga tri gjeneratat.

“Aty janë ra baba me katër djem e tre nipa. Tri gjenerata. Baba ka qenë më i moshuari e më i riu Hysniu, djali i Shabanit, 16 vjeç. Më e keqja ishte se i kishin pas qel, ua kishin marrë organet, krejt kanë qenë t’qelun pos Shabanit. Baba ishte i vrarë këtu, këtu djali i vëllaut, Shabani u vra tek udha kryesore… Gruan e tij e kishin pas vra, Fatimen. Ia kemi gjet flokët. Se kur e kishin vra e kishin lyp edhe një qebe. E, më pas e kishin zhduk”, ka thënë Sefadin Salihaj, familjar i të vrarëve.

Fatime Salihajt i ishte gjetur vetëm një pjesë e trupit, tre muaj më vonë në malet afër.

E jeta Sefadinin e kishte takuar disa herë me Pantoviqin, për gjykimin e të cilit, ai nuk shprehet aspak optimist.

“Në Istog e kam pa me gruan, bash në qendër. Rrike me shqiptarë, por ky gjithmonë ka thënë se s’ka qenë pjesëmarrës. Faktikisht ka qenë. Është më i madh se pjesëmarrësit. Se ai ka urdhëruar. I ka zbatuar urdhrat e shtetit të vet. E dinë për punëtorët e tij, këtu ka pasur edhe paramilitarë…Për Zharkun kam ba ankesa. E moren do ditë, e lëshun prapë. Tash më thanë që prapë e kanë arrestuar. S’po di sa të jem i gëzuar. Mundet me qenë proces formal. Nashta po gaboj, po nga e kaluara, nuk kam bindje. S’kam bindje se drejtësia po punon mjaftueshëm”, ka thënë ai.

Ndër familjet që pësuan nga urdhrat e dy të pandehurve + është edhe familja Imeraj.

Urdhri i Zhazhit kishte lënë familjen Imeraj pa 19 anëtarë. E, Hyra Imerajn pa burrë e djalë.

“Kemi qenë mrena, dul kojshia e tha janë mbush plot. S’kem ditë gjë veç kanë ardh dy vet e na i gjuajtën dritaret. Unë, me tre fëmijët, plakun e kojshit. Plaku më tha që e njihte se i kishte ruajtur bagëtinë me ta. I tha ‘mos, se i tranove fëmijët’. Ai i tha ‘s’ka ma kojshi’. E shau serbisht dhe e qëlloi sa mundi. Djalin u munojsha me mshef. U tutsha që po ma marrin. Kur e gjuajtën, rashë mbi të dhe kot. Gjuajshin prapë”, ka deklaruar  Hyra Imeraj, nëna e Mohamed Imerajt.

Tanimë prapa grilave, të pandehurit gjenden nën masën e paraburgimit deri në nisjen e gjykimit.

Momir Pantiq dhe Zharko Zariq akuzohen për krimet e kryera në familjet Salihaj, Imeraj, Lipa, Pepaj e të tjera, përfshirë në dy raste sipas Prokurorisë edhe dhunime seksuale ndaj viktimave.

Story i mëparshëm

Despotovski: Investimi gjerman nuk është i asnjë partie, por i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë

Story i radhës

Nuk pati vota të mjaftueshme për interpelancën, Afrim Gashi mbetet kryetar i Kuvendit

Të fundit nga