“I futi macen në pantallona!”, “I hodhi thonjtë në fyt!”- Historia e frikshme “Togerit të zi” që zhvishte dhe përdhunonte gratë!

min lexim

Djalli paskej qenë më i zi nga sa dukej. Mizoritë pa fund të një zyrtari sigurimi në mesin e viteve ‘40 kalojnë përtej imagjinatës njerëzore.

I njohur si përbindëshi i tmerrshëm, togeri famëkeq që kishte vrarë, torturuar e përdhunuar me gjakftohtësinë më të madhe, përfundoi në litar me vendimin e një gjykatë ushtarake në vitin 1947. Togeri i zi, sikundër njihej asokohe Hodo Habipi, u bë i njohur për kafshëritë e tij në ushtrimin e profesionit të oficerit të divizionit të mbrojtjes së popullit qysh ditët e para të shërbimit në zonat veriore të vendit.

I lindur në Kuç të Vlorës, pa arsim, me profesion bujk, me origjinë shtresë e varfër, i angazhuar në lëvizjen antifashiste nacionaleçlirimtare që në ditët e para, fillimisht në ilegalitet e mandej partizan në Brigadën e 6-të, ku pati dhe përgjegjësinë komandant kompanie, Hodo Habipi menjëherë pas çlirimit u rreshtua me forcat e Brigadës së 2-të të Mbrojtjes së Popullit në Shkodër, për ndjekjen e kriminelëve dhe bandave në zonën e Koplikut dhe Malësisë së Madhe.

Që me mbërritjen e tij në krahinën e thellë të Vermoshit, e nisi me veprime brutale, duke torturuar burra e gra. Akoma dhe më keq veproi kur u transferua në krahinën e Mirditës. Tashmë Toger Baba, siç kishte qejf ta thërrisnin, u bë më i frikshëm me vrasjet pa gjyq dhe përdhunimet masive të vajzave e grave. Në dokumentet e kohës rezulton se në maj të vitit 1947 ai arrestoi dhe torturoi Pjetër Kolë Mhillin nga Kallmeti. Pas tij arrestoi Kolë Simonin dhe Gjyste Voglin.

Të parin e nisi me një patrullë për në Lezhë dhe rrugës urdhëroi për ta pushkatuar. Të njëjtën gjë bëri dhe me Kol Simonin. Ndërkaq, Gjysten “e privilegjoi” aty për aty dhe e rrëmben forcërisht në banesë, ku e përdhunoi. Të tilla mizori bënte përherë togeri i zi, aq sa një ditë e detyroi dhe komandën e tij ta kryqëzojë. Togeri i zi është akuzuar se i torturonte personat, duke u futur dhe macet ne pantallona, por kete akuze ai e ka mohuar ne gjyq.

Fundi i karrierës dhe zullumeve të togerit të zi daton më 1 qershor 1947, ku i prangosur merret në pyetje nga tre autoritete të larta të Sigurimit të Shtetit. Fadil Kapisyzi, Zoi Themeli e Mustafa Qilimi kanë paracaktuar akuzat e para në adresë të tij.

Mandej çështja përfundoi në Gjykatë. Gazeta “Panorama” ka zbuluar dosjen e plotë të procesit kundër Hodo Habipit dhe publikon sot dëshmitë rrëqethëse të togerit në gjyq, njëherazi me aktakuzën dhe aktgjykimin që procedoi me dënimin e tij me vdekje në litar.

DËSHMITË RRËQETHËSE TË HODO HABIPIT

Kam shkelur urdhrat e komandës dhe kam bërë veprime të dënueshme. Para se të bëja vrasje, kam arrestuar një vajzë në katundin Fishtë, mbasi isha informuar se strehon ilegalë. Mbasi e arrestova, pasi e kërcënova, ua dhashë partizanëve ta shtrëngojnë.

Ata e torturuan. Më pas e thirra në një dhomë dhe detyrova dy gra që ta zhvishnin lakuriq. Por pasi këto nuk e zhveshën dot, pasi vajza nuk deshi dhe qante, e detyrova unë që të zhvishej lakuriq. Kjo, prej frikës sime, u zhvesh siç e ka bërë nëna. Pasi e zhvesha e lashë më se një gjysmë ore të zhveshur dhe pastaj e lashë të vishej. Vajzën e zhveshur e panë veç disa ushtarëve dhe disa nga populli.

Mbas 3-4 ditësh kam arrestuar edhe një burrë në këtë katund dhe e kam zhveshur lakuriq, nga mbrëmja deri në mëngjes. Atëherë e lashë të vishet dhe e lirova. I thashë të më dorëzonte të vëllanë. Këtë e kanë parë edhe disa katundarë.

Po në këtë ditë kam shkuar në katundin Hajmel dhe kam arrestuar Kol Simonin, të cilin e kam pushkatuar. Arrestova dhe kushërirën e tij Gjysten. Këtë e futa në dhomë jo për ta çnderuar, por i kam thënë që do të pushkatojë Kol Simonin, të cilin e mbaja të lidhur para saj.

Në këtë kohë ajo më shau dhe unë e godita me shkelma dhe e futa në nevojtore. Më vonë e lidhëm dhe e morëm edhe atë deri te posta e Dajçit. Këtu e lëshuam Gjysten dhe Kolën e pushkatuam. Këshilltarët e Ajmelit nuk e kishin shtrënguar të tregonte se është reaksionar. Ata më thanë se Kol Simoni është i keq dhe ka lidhje me ilegalët.

Në katundin Mnellë kam shtrënguar dy murgesha që të na tregonin lidhjet që kishin me ilegalët dhe që sabotonin vajtjen e rinisë në hekurudhë. Njërën prej tyre, nga shtrëngimi që i bëra unë, prifti e çoi në shtëpi.

Në katundin Kallmet kam pushkatuar Pjetër Kolë Dushin, para se ta pushkatoja, në aksham thirra vajzën e tij, nuk i bëra gjësendi, e mbajta dy orë, pastaj e lirova. Nuk kam tentuar për ndonjë qëllim të keq ndaj saj. Unë kam zhveshur një grua në katundin Dedaj të Koplikut dhe ashtu zhveshur e kam futur në dëborë. Andej kam rrahur edhe disa njerëz. Mace nuk i kam futur njeriu në pantallona.

Në një takim në katundin Kallmet, një nga këshilltarët, emri tani nuk më kujtohet, në bisedë e sipër shfaqi mejtimin që Pjetër Mëhilli duhej të pushkatohej. Unë sa e dëgjova rashë dakord me propozimin e tij. Me patrullën, e cila do ta përcillte për në Lezhë, e porosita që në rrugë e sipër ta pushkatonin. Patrulla veproi sipas urdhrit tim dhe e zbatoi atë me përpikëri.

Gjatë kontrollit që bëmë në shtëpinë e Gjuash Kolës dhe Kol Simonit, gjetëm aty edhe Gjysten. Diçka foli ajo dhe unë aty për aty i dhashë dy-tre shkelma. Ajo më tha në këtë mënyrë: “Je i pari dhe i fundit njeri i lig që merr guximin dhe lidh Kol Simonin, i cili është i pafajshëm”. Në këtë rast e qëllova prapë me shkelma. E qëlluan dhe ata të këshillit.

Përgjegjësi i terrenit të Hajmelit më tha për Kolën dhe Gjysten se sabotojnë pushtetin popullor në çdo drejtim. I kam raportuar sa herë më tha ai, i kanë arrestuar, por nuk kanë marrë asnjë masë ndaj tyre, ku përsëri i kanë liruar. Rashë dakord t’i pushkatoj. Më vonë u mendova dhe nuk e pashë të arsyeshme t’i pushkatojë të dy. Gjysten e lashë. Patrullës i thashë ta marrë Kolën e të bëjnë siç bëri me të parin. Urdhri as nuk diskutohej. E vranë Kolën, me Gjysten u mora vetë.

AKT-GJYKIMI

Gjykata ushtarake e zonës ushtarake Shkodër, në katundin Hajmel. Në seancën publike më datën 15.05.1947, kjo Gjykatë ka dhënë këtë vendim kundër Hodo Fejzo Habipi, i biri i Fejzos dhe Zylhasë, vjeç 30, lindur në katundin Kuç të Vlorës, i akuzuar me aktakuzën e prokurorit për fajin: Duke qenë me shërbim dhe duke shfrytëzuar postin e tij, duke shkelur urdhrat e Komandës ka ushtruar terror, duke persekutuar njerëz të pafajshëm.

Në procesin e zhvilluar në faqe të të pandehurit, prokurori ushtarak kërkoi që i pandehuri të cilësohet fajtor sipas ligjeve në fuqi, të dënohet me vdekje duke u ekzekutuar me varje në litar dhe degradim nga radhët e ushtrisë. I pandehuri në fjalën e fundit nuk pati gjë për të thënë. Gjykata, pasi shqyrtoi aktet dhe bisedoi çështjen, observon se: I pandehuri Hodo Habibi duke qenë i ngarkuar me detyra dhe shërbim në ndjekje të kriminelëve dhe grupeve ilegale në zonën e Vaut të Dejës për një kohë të gjatë ka abuzuar me detyrën duke vepruar në kundërshtim flagrant me ligjet e shtetit.

I pandehuri sikur e pohoi dhe vetë ka urdhëruar vrasjen e Pjetër Kol Mëhillit dhe të Kol Simonit, duke shkelur kështu ligjet e qeverisë pa u bërë më parë gjyqin të akuzuarve, megjithëse ata ishin fajtorë, duhej të dënoheshin nga drejtësia. I pandehuri, siç e pohoi dhe vetë, ka torturuar njerëz në mënyra të ndryshme, duke përdorur shumë të zeza. Ka torturuar të mëdhenj, gra e fëmijë, ka çnderuar femra me forcë, vepra këto në kundërshtim flagrant me ligjet në fuqi dhe moralin e ushtrisë tonë kombëtare, por edhe në kundërshtim të madh me zakonet e popullit, sidomos të malësorëve.

Gjyqi, duke parë që veprat e tij janë shumë të dëmshme, gjykoi me votë të përbashkët, duke pëlqyer dhe mejtimin e prokurorit, të pandehurin e cilësoi fajtor për fajet e mësipërme dhe në bazë të ligjës mbi dispozitat e përgjithshme penale, e dënon me vdekje tue e ekzekutu në litar. Të pandehurit i ngarkohen 18 franga për shpenzimet e gjyqit.

Vajza te Tuk Jakova: Ja si më ka bërë togeri i sigurimit

Marrëzitë e toger Hodos në Zadrimë janë të pafundme. Qysh ditën e parë që mbërriti në Hajmel, i ra në sy një vajzë e bukur. E quanin Luçia. Për ta shtirë në kthetrat e tij shtazarake, i arrestoi të vëllain me pretekstin se përkrahte elementët kriminalë në zonë. E torturoi të gjorin deri në pikën e fundit. Pastaj arrestoi prenë e tij, Luçien. E tërhoqi zvarrë për ta çuar te krevati.

Ajo e kundërshtoi me forcë, por togeri iu vërsul si egërsirë për ta përdhunuar. Luçia bëri të pamundurën të shpëtojë prej tij. I hodhi thonjtë në fyt dhe e gërvishti me sa kishte fuqi. Një çast në përleshje e sipër i shpëtoi nga duart dhe iku me vrap. U fsheh në një shtëpi në fshat. Qëndroi aty deri sa u zbardh dhe u nis në Shkodër. Sakaq, togeri kishte ngritur në alarm tërë zonën dhe kërkonte gjallë a vdekur vajzën që “kishte lidhje me diversantët”. Sa kishte mbërritur në qytet, Luçia shkoi direkt te shtëpia e Tuk Jakovës, asokohe një nga funksionarët e lartë të Partisë Komuniste.

Një miqësi e hershme e familjes së saj me të i dha shkas t’i kërkonte ndihmë për këtë çmenduri të paparë e të padëgjuar më parë. Tuku, duke e ndjekur me vëmendje e duke parë me keqardhje rrobat e grisura dhe shenjat e gjakut në fytyrë e mbi bluzë, i dha një letër dhe e këshilloi të shkonte në Tiranë për t’ia dhënë Koci Xoxes, atëherë ministër i Brendshëm.

Të nesërmen, Luçia mbërriti në zyrën e tij dhe i tregoi një për një atë që kishte përjetuar nga kafshëria e toger Babës, por edhe çfarë kishte parë e dëgjuar për bëmat e tij në zonë. Thonë se Koçi Xoxe fillimisht nuk e besoi, por aty për aty ndërroi mendje dhe nisi një grup për ta verifikuar. Që këtej nisi tatëpjeta dhe venitja e yllit të toger Babës…

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Çmimet e naftës rrezikojnë bujqit e Kosovës

Story i radhës

Reperi “Cllevio” tregon si e pritën të burgosurit në Fier, mes tyre edhe Saimir Tahiri

Të fundit nga

Tërmet në Strumicë

  Një tërmet është ndjerë rreth orës 21:45 të mbrëmjes së sotme në afërsi të Strumicës,