Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, ka thënë se janë të pakënaqur me projektligjin për paga, duke shtuar se nuk e pranojnë atë.
Sipas Hykollit, me këtë Ligj për Paga është diskriminuar një pjesë e punëtorisë së Kosovës.
“Edhe ne po besojmë dhe shpresojmë që ky ligj nuk është përfundimtar, përndryshe jemi zotuar që ta përmbyllim këtë proces drejt dhe do të jemi shumë besnikë ndaj anëtarësisë sonë, domethënë për punë të njëjtë do të ketë pagë të njëjtë. Me Ligjin e Pagave është diskriminuar një pjesë e punëtorisë së Kosovës”, ka thënë ai.
Hykolli tha se Bashkimi i Sindikatave të Pavarura është zotuar të përkujdeset që projektligji për pagat të përgatitet asisoj që kjo fushë të rregullohet njëherë e përgjithmonë.
“Ne kemi dëshirë që ky ligj të ketë qëndrueshmëri juridike dhe të jetë i kuptueshëm nga ana gjyqësore. Ne kemi paraqitur në takimin e parë vërejtjet paraprake, juridike dhe gjuhësore në tekstin fillestar të projektligjit. Ne jemi shumë të interesuar që ky ligj të ecë përpara, shumë të interesuar të përgatitet mirë dhe të shkojë në kuvend për miratim”, ka vazhduar ai.