HRW kërkon hetime të pavarura për protestat në Kazakistan

min lexim

Organizata ndërkombëtare, Human Rights Watch (HRW), u ka bërë thirrje autoriteteve kazake që të ftojnë ekspertë ndërkombëtarë në hetimet e brendshme për shkeljet serioze të të drejtave të njeriut gjatë trazirave vdekjeprurëse në këtë shet të Azisë Qendrore, një muaj më parë.

Në një deklaratë të lëshuar më 9 shkurt, kjo organizatë ka thënë se duhet të ketë hetim të pavarur “për t’u siguruar se rezultatet janë të besueshme”.

Deklarata është publikuar pas bisedimeve mes shefit të HRW-së, Kenneth Roth dhe ministrit të Jashtëm kazak, Mukhtar Tileuberdi.

“Kazakistani ka njoftuar se do të ketë hetime dhe komisione për të analizuar ngjarjet e janarit, mirëpo Qeveria ka histori të gjatë që përpjekjet e tilla kanë dështuar të rezultojnë me llogaridhënie apo drejtësi”, ka thënë Roth.

“Hetimet hibride me ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë ofrojnë mundësinë më të mirë që këto hetime të jenë të suksesshme”, ka shtuar ai.

Protestat paqësore në Kazakistan, të cilat kanë nisur më 2 janar për shkak të rritjes së çmimeve të karburanteve, janë shndërruar shpejt në organizime masive kundër Qeverisë.

Nëpër protesta është raportuar për dhunë dhe të shtëna me armë zjarri.

Atë periudhë, autoritetet kazake kanë ndalur internetin dhe kanë kufizuar operacionet telefonike për pesë ditë.

Presidenti kazak, Qasym-Zhomart Toqaev, ka fajësuar aktivistët dhe gazetarët e pavarur për “nxitje” të protestave, deklarata që kanë rezultuar me arrestimin e disa gazetarëve në qytete dhe qyteza të këtij shteti.

Toqaev ka thënë se “20,000 ekstremistë të përgatitur nga kampet e huaja terroriste”, kanë sulmuar qytetin Alamati, mirëpo nuk ka ofruar të dhëna për të mbështetur këtë pretendim.

Ai më pas pati kërkuar edhe ndihmën e Organizatës së Traktatit për Siguri Kolektive, e udhëhequr nga Rusia, për të menaxhuar situatën.

Toqaev po ashtu pati thënë publikisht se u ka dhënë urdhër forcave të sigurisë “të vrasin pa paralajmërim”.

Autoritetet kazake kanë thënë se 227 persona janë vrarë, përfshirë 19 zyrtarë për zbatim të ligjit.

Grupet për të drejta të njeriut besojnë se numri i viktimave mund të jetë më i lartë./REL

 

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Verifikimi me 2-faktorë ka reduktuar thyerjet e sigurisë me 50% thotë Google

Story i radhës

Një person me integritet dallohet nga këto 8 shenja

Të fundit nga