Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha deklaroi se Shqipëria ka një objektiv ambicioz, por realist, për të mbyllur të gjithë kapitujt e negociatave me Bashkimin Europian brenda vitit të ardhshëm.
Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët nga vendet e Bashkimit Evropian, Hoxha theksoi se edhe arritjet e deritanishme në procesin e integrimit europian janë konsideruar ambicioze, duke kujtuar se vetëm pak vite më parë ishte e vështirë të besohej se vendi do të arrinte të hapte të gjithë grupkapitujt e negociatave brenda 11 muajsh.
“Përmbushja e pikateve të ndërmjetme është kyç për çeljen e fazës tjetër, pa përmbushjen e tyre nuk do të kishim pasur mundësi që të vijonim me fazën tjetër me mbylljen e kapitujve dhe kjo ndodhi më 26 maj. Nuk ishte një proces i zakonshëm ishte fruti i një punë të jashtëzakonshme. Mund t’ju them se ky ka qenë prodhimi i parë fare në këtë proces dhe jemi shumë të lumtur që ndodhi. Ka treguar së pari nivelin e gatishmërisë.
Kemi një ambicie që t’i mbyllim të gjithë kapitujt vitin tjetër. Kjo është një ambicie që për ne është realiste. Çdo gjë që kemi bërë deri tani ka qenë ambicioze. 3-4 vjet më parë nuk do të gjenit dikë që do të besonte se do të çelnim të gjithë grup kapitujt për 11 muaj.
Nuk është rastësi. Nuk ishte thjesht ëndërr apo dëshirë por mbështetur në themelin e punës sonë, qartësia e objektivave, angazhimi dhe vendosmëria e hekurt, konsensusi mbarëkombëtar, përgatitja e vendit dhe ekipi ynë që punon“, u shpreh Hoxha.
Burimi: botasot.info


