11
Siguria rrugore pranë shkollave është një ndër prioritetet e Ministrisë së Brendshme.
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ndau sot pamje, ku punonjës të Policisë Rrugore po ndihmojnë fëmijët të kalojnë rrugën, kur ata i drejtohen shkollës, apo edhe pas përfundimit të procesit mësimor.
Garantimi i sigurisë publike, ruajtja e rendit dhe qetësisë, parandalimi i fenomeneve negative në shkolla, si dhe rritja e sigurisë për nxënësit dhe personelin mësimor, si në mjediset e shkollave ashtu edhe në rrugë, janë në fokus të planit të sigurisë në shkolla, prezantuar nga qeveria në nisje të vitit të ri shkollor.
Për të siguruar zhvillimin normal të procesit mësimor dhe sigurinë e nxënësve në ambientet e jashtme dhe në afërsi të shkollave, Policia e Shtetit ka angazhuar Ndihmës Specialistët e Policisë në zona, punonjësit e Policimit në Komunitet, shërbimet e Patrullave të Përgjithshme, Forcën e Posaçme “Shqiponja”, Policinë Rrugore dhe Policinë Kriminale.
Përpara fillimit të vitit shkollor është bërë një vlerësim i situatës kriminale në të gjitha qarqet. Bazuar në këtë vlerësim, strukturat vendore të policisë kanë hartuar plane masash me detyra të qarta për kontrollin e territorit, ruajtjen e rendit dhe angazhimin e policisë kriminale dhe rrugore.
BURIMI: zhurnal.mk