Aksionarët e “Makedonija Turist”, në mbledhjen e 22 majit, vendosën të shesin rreth dhjetë objekte që i përkisnin shoqërisë, mes tyre edhe simbolin e njohur të Shkupit, hotelin “Jadran”.
Objekti, të cilin shumëkush e njeh edhe si Shtëpia Arabe, është ndërtuar mes viteve 1936 dhe 1938, në stilin e arkitekturës arabo-maure. Pikërisht për shkak të stilit të tij autentik, ai është nën mbrojtje të përgjithshme, ndërsa është në procedurë që të shpallet edhe ndërtesë-monument.
Por, para se të shpallet për shitje, pronarët fillimisht duhet t’ia ofrojnë shtetit, përkatësisht të dorëzojnë ofertë në Drejtorinë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.
Ligji për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore parashikon edhe sanksione nëse nuk respektohet ky detyrim. Konkretisht, nëse “Makedonija Turist” e shet pa ia ofruar shtetit ose ia shet një blerësi tjetër me çmim më të ulët nga ai që ia kanë ofruar shtetit, shitja mund të anulohet, ndërsa pronari dhe blerësi mund të përballen me padi.
Padia mund të ngrihet brenda afatit “prej pesë vitesh nga dita e lidhjes së kontratës për shitje”.
Përveç hotelit “Jadran”, shumica e aksionarëve në shoqëri vendosën ta shesin edhe hotelin “Bristol”, një tjetër simbol të Shkupit, i cili ende nuk është nën mbrojtje.
Në listën për shitje janë edhe birraria e njohur në sheshin përballë hotelit “Marriott” dhe një ndërtesë trekatëshe përballë ish-ZOIL-it, po ashtu në qendër të Shkupit.
Njëri nga aksionarët më të mëdhenj në “Macedonia Turist”, biznesmeni i njohur Fatmir Etemi, për BIRN së fundmi deklaroi se plani është që paratë nga shitja të përdoren për financimin e renovimit, zgjerimit dhe ndërtimit të kapaciteteve të reja turistike.
“Macedonia Turist” posedon edhe hotelet “Belvi”, “Best Western”, “Hotel Karposh” dhe “Holiday Inn”, të cilat, ndryshe nga këto që po shiten, janë aktive dhe funksionojnë.
Nga vitet 1990 deri në vitin 2024, aksionarët kryesorë në shoqërinë hotelierike ishin menaxherët afatgjatë të kompanisë, Done Tanevski dhe Sonja Bibanovska.
Më shumë se një vit më parë, struktura aksionare e “Macedonia Turist” pësoi ndryshime serioze. Përveç “Tregu i Shkupit”, ku aksionarë shumicë janë Fatmir Etemi dhe Aco Dudlovski, në shoqëri hynë edhe MGF Investment e Zoran Antiq dhe Klinika “Promedika”.
Burimi: prizma.mk
Burimi: lajmpress.org


