Hong Kongu refuzon sanksionet amerikane ndaj superjahtit rus

min lexim

Pasi një megajaht u shfaq në ujërat territoriale pranë Hong Kongut javën e kaluar, mediat lokale raportuan se ai është në pronësi të oligarkut rus Alexey Mordashov. Kina nuk i është bashkuar sanksioneve ndërkombëtare ndaj Rusisë dhe shefi ekzekutiv i Hong Kongut tha se nuk do të ndërmerret asnjë masë ndëshkimore ndaj jahtit rus.

Pas shfaqjes në ujërat territoriale të një superjahti rus, Hong Kongu njoftoi se do të ndjekë vetëm sanksionet e OKB-së.

“Për sa i përket jahtit rus të ankoruar në Hong Kong, ne duhet t’u përmbahemi ligjeve të Hong Kongut. Sanksionet e OKB-së do të zbatohen nga Hong Kongu, pasi ato kanë baza ligjore. Çdo veprim duhet të mbështetet nga ligji. Ne kemi shtetin ligjor në Hong Kong; duhet të veprojmë në përputhje me shtetin ligjor. Kur bëhet fjalë për disa lloje aktivitetesh, apo pasurish, ato do të trajtohen sipas ligjeve të Hong Kongut”, tha John Lee, shefi ekzekutiv i Hong Kongut.

Anija gjigande me fjalën “Nord” të shkruar mbi të u shfaq pranë bregut javën e kaluar. Mediat lokale raportuan se i përket miliarderit rus Alexey Mordashov, kreu i kompanisë më të madhe ruse të çelikut dhe minierave, “Severstal”.

Disa vende janë munduar të ushtrojnë presion ndaj Rusisë pas fillimit të sulmit në Ukrainë, nëpërmjet bllokimit të superjahteve të rusëve të pasur që mendohen se janë bashkëpunëtorë të afërt të Presidentit rus Vladimir Putin.

Por, Kina nuk i është bashkuar trysnisë ndërkombëtare ndaj Rusisë dhe nuk e ka kritikuar për viktimat dhe shkatërrimin në Ukrainë. Shefi ekzekutiv i Hong Kongut i quajti madje “barbare” sanksionet që Shtetet e Bashkuara kanë vendosur edhe ndaj vetë atij.

“E dyta, për sa i përket të ashtuquajturave sanksione të pabaza ndaj personave në Hong Kong, ky është një akt shumë barbar, dhe unë nuk do të komentoj për efektet e një akti të tillë barbar, pasi zyrtarët në Hong Kong bëjnë gjënë e duhur për të mbrojtur interesat e vendit dhe të Hong Kongut. Prandaj do t’i kalojmë me një të qeshur të ashtuquajturat sanksionet”, tha zoti Lee.

Pararendësja e tij, ish-shefja ekzekutive Carrie Lam, i pati thënë mediave se iu desh ta mbante rrogën në para të thata në shtëpi, për shkak të problemeve me qasjen në banka kur u vendosën sanksionet. Zoti Lee refuzoi të thotë nëse ai po vepron po kështu.

Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj shefave ekzekutivë dhe zyrtarëve të tjerë të Hong Kongut në vitin 2020. Departamenti amerikan i Thesarit deklaroi se sanksionet u vendosën për “dëmtimin e autonomisë së Hong Kongut dhe kufizimin e lirisë së shprehjes dhe organizimit të shtetasve të Hong Kongut”./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Artan Hoxha zbardh detaje nga masakra e Fushë Krujës: Autorë me uniforma speciale kontrollonin trafikun!

Story i radhës

Princi Harry tregon problemet mendore që kaloi pas vdekjes së Princeshë Dianës

Të fundit nga