Hong Kongu fsheh edhe një memorial për protestat e Tiananmenit

Në Hong Kong është fshehur një nga memorialët e fundit publikë për ata që janë vrarë në protestat e Tiannamenit.

Kaligrafia – e pikturuar mbi një urë – ka nderuar protestuesit pro-demokracisë, të cilët janë vrarë nga autoritetet kineze në Pekin më 1989.

Ky memorial është fshehur me metal të shtunën nga Universiteti i Hong Kongut, i cili e ka konsideruar punën si mirëmbajtje rutinore.

Mirëpo fshehja e memorialit vjen në kohën kur Pekini ka rritur shtypjen ndaj disidentëve politikë në Hong Kong.

Hong Kongu ka qenë një prej vendeve të pakta në Kinë, në të cilin janë lejuar nderimet publike për protestuesit e Tiannamenit.

Masakra në Sheshin Tiananmen ka ndodhur pas protestave masive, në të cilat është bërë thirrje për më shumë liri politike.

Mijëra persona kanë protestuar me javë në shesh, mirëpo në qershor të vitit 1989, ushtria ka ndërhyrë me armë zjarri.

Qeveria kineze ka thënë se 200 civilë dhe disa zyrtarë të sigurisë kanë vdekur, mirëpo të dhënat tjerat tregojnë për qindra e deri në 10,000 viktima.

Prej kur Kina ka rikthyer Hong Kongun, ajo ka hequr të gjitha elementet që shprehin kritika ndaj Partisë Komuniste në këtë qytet.

Muajin e kaluar është hequr edhe një statujë e famshme në Universitetin e Hong Kongut – Shtylla e Turpit.

Më herët gjatë këtij muaji, një aktivist pro-demokracisë në Hong Kong është burgosur për organizim të një takimi për të përkujtuar shtypjen në Sheshin Tiananmen.

Autoritetet e Hong Kongut kanë ndaluar organizime të tilla në dy vjetët e fundit, duke cituar kufizimet për luftim të pandemisë së koronavirusit – ndonëse aktivistët kanë akuzuar autoritetet lokale se i janë nënshtruar presionit të Pekinit.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Humb jetën në aksident aktori i njohur

Story i radhës

Drekat e darkat e pasura që konsumonte ish-kryetari i Shkupit, zbulohen fatura (FOTO)

Të fundit nga