Helmimi i Abramovichit dhe lojërat e pista të shërbimeve sekrete

March 29, 2022
min lexim

Një oligark rus Roman Abramovich, u helmua më 3 mars teksa merrte pjesë në një takim për negociatat e paqes me Rusinë në emër të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. Abramovich, një mik i madh i Vladimir Putinit, ishte së bashku me një tjetër oligark rus dhe deputetin ukrainas Rustem Umerov: të tre shfaqën simptoma si skuqje të syve, lotim të vazhdueshëm, kruarje të lëkurës në fytyrë dhe duar. Abramovich humbi shikimin për disa orë dhe më pas u trajtua në një spital turk. Ekspertët perëndimorë që kanë ekzaminuar rastin nuk kanë dyshime: ishte ose helmim, ose ekspozim ndaj substancave radioaktive. Por qëllimi nuk ishte të eliminohej oligarku: thjesht duhej trembur.

NDËRMJETËSIMI

Abramovich dhe dy negociatorët e tjerë tani janë mirë dhe kanë rifilluar ndërmjetësimin për paqen me guxim dhe këmbëngulje. Oligarku u takua me Putinin të mërkurën e kaluar, në një takim që përfundoi keq dhe që shkaktoi një reagim të furishëm nga kreu i Kremlinit. Pyetjes se kush ishte ai që donte të trembte ndërmjetësuesit, i jepet kjo përgjigje: me siguri elementet ruse të cilat duan të vazhdojë konflikti: jo domosdoshmërisht Putini, i cili, edhe pa e deklaruar, po përpiqet të dalë nga rrëmuja në të cilën është zhytur.

SIMPTOMAT

Tre negociatorët ndjenë simptomat e para të helmimit teksa ndodheshin në një apartament privat në Kiev, të angazhuar në një takim që zgjati disa orë. Megjithatë, nuk dihet nëse helmimi ka ndodhur në atë vend, gjë që duket mjaft e pamundur. Ata sapo ishin kthyer nga bisedimet që u zhvilluan përtej kufirit, në Bjellorusi, ose ndoshta në Moskë. Për javë të tëra Abramovich ka qenë duke udhëtuar mes Stambollit, Kievit dhe kryeqytetit rus. Ai nuk vepron vetëm për arsye humanitare dhe sentimentale (nëna e tij ka lindur në Ukrainë), por edhe me shpresën se do të hiqen sanksionet ndaj tij nga Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian. Zelensky i ka kërkuar tashmë presidentit amerikan Joe Biden, në njohje të përkushtimit të oligarkut për paqen, t’i japë atij trajtim të privilegjuar krahasuar me miqtë e tjerë të Putinit.

DETAJE TE REJA

Gazeta Wall Street Journal dha lajmin për helmimin së bashku me uebsajtin Bellingcat, i cili ndjek tragjedinë në Ukrainë me kujdes dhe ekspertizë. Një zëdhënës i Abramovichit e konfirmoi këtë dhe dolën detaje të reja. Simptomat u shfaqën pas një takimi në Kiev që zgjati deri në orën 22:00 dhe nuk i atribuohen helmimit nga ushqimi: të tre, në orët e mëparshme kishin konsumuar vetëm çokollatë dhe ujë. Një anëtar i katërt i grupit që hëngri të njëjtin ushqim dhe pinte të njëjtin ujë, nuk pati probleme.  Të nesërmen, më 4 mars, Abramovich, Umerov dhe negociatori tjetër u nisën me makinë nga Kievi në Lviv, vazhduan në Poloni dhe më pas në Stamboll. Simptomat u zhdukën plotësisht pas një jave.

Helmimi ka qenë për shumë vite një nga armët e preferuara të shërbimeve ruse të ngarkuara me frikësimin ose eliminimin e kundërshtarëve, siç ndodhi në rastet Litvinenko, Skripal, Jushçenko dhe Navalny.

ME AVION PRIVAT

Nga Stambolli, qyteti në qendër të përpjekjeve të shumta për ndërmjetësim diplomatik midis Rusisë dhe Ukrainës, Abramovich rifilloi negociatat e tij. Të mërkurën, ai u largua nga aeroporti Ataturk me një avion privat Hawker 800 XP. Sapo kaloi kufirin midis Ukrainës dhe Rusisë, mbi qytetin Mineral’nye Vody, piloti i avionit shkëputi transponderin, duke e penguar që të lokalizohej. Avioni u rishfaq në radar vetëm të nesërmen, menjëherë pas ngritjes nga aeroporti Vnukovo i Moskës.

MISIONI SEKRET

Abramovich kishte një mision të rëndësishëm dhe sekret për të përmbushur në Kremlin. Në dosjen e tij ai mbante disa letra të shkruara personalisht nga Zelensky, të cilat i shpjegonin Putinit kushtet e tij për paqe. Duke pasur parasysh urrejtjen që ai ka për Zelenskyn, çfarëdo që ishte shkruar në ato letra, sipas asaj që raportoi Times, presidenti rus shpërtheu në një tërbim të pakontrolluar: “Thuaju që do t’i zhduk”, i bërtiti Abramovichit.

PALËT MË PRANË

Oligarku u kthye në Stamboll, ku takohet pothuajse çdo ditë me Umerov dhe Ibrahim Kalin, zëdhënësi i presidentit turk Erdogan. Fundjavën e kaluar Kalin tha se palët “janë afër një marrëveshjeje” për NATO-n, për çmilitarizimin e Ukrainës dhe për mbrojtjen e gjuhës ruse dhe atyre që e flasin atë. Nëse paqja është më afër, ata që duan ta helmojnë veprojnë në hije dhe duhet bërë shumë kujdes. / Il Messaggero – Bota.al

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

E keni ditur, pse e nxjerrim gjuhën jashtë kur përqendrohemi?

Story i radhës

“Rusët e vegjël” dhe pretendimet hegjemoniste në Ballkan

Të fundit nga

​Shpërthim i fuqishëm në Zubin Potok

Një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar para pak minutash në fshatin Varagë të Zubin Potokut, me ç’rast është dëmtuar kanali i ujit të Ibër-Lepencit. Lajmin e ka konfirmuar për media zëvendës drejtori
ShkoLartë