Me ceremoni hapëse është shënuar fillimi i FIBA Kampionatit Evropian, Divizioni C, për U16 te meshkujt. Ky kampionat po mbahet në Prizren, ku po marrin pjesë tetë kombëtare. Evropiani do të zhvillohet nga sot deri më 17 korrik.
Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu ka thënë se është nder për FBK-në që ky kampionat do të mbahet në qytetin e Prizrenit.
“Faleminderit që keni ardhur në qytetin e bukur dhe historik të Prizrenit.
Është nder që ky Evropian mbahet në këtë qytet historik, ndërsa synimi i FBK-së është që të zgjerojë aktivitetet edhe në qytetet tjera, ndërsa Prizreni e meriton një organizim të tillë. Shpresoj se të gjitha ekipet kombëtare do të kënaqen gjatë qëndrimit në Prizren, që njihet për mikpritje dhe në fund më i miri le të fitojë më i miri”, është shprehur Fetahu në fjalimin e ceremonisë hapëse.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, është shprehur i lumtur që kjo ngjarje organizohet në Prizren. “Jam shumë i lumtur që kjo ngjarje sportive organizohet në qytetin e Prizrenit. Ju uroj fat të gjitha kombëtareve dhe sportistëve në këtë garë shumë të rëndësishme për basketbollin dhe qytetin e Prizrenit”, ka thënë Çeku.
Ndërkohë, kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj theksoi se për të është nder që Evropiani zhvillohet në Prizren. “I përshëndes të gjithë të pranishmit, si tifozët dhe sportistët. Unë jam shumë i lumtur që ky Evropian mbahet në Prizren, si një basketbolldashës dhe shpresoj se do të kënaqemi me lojëra të bukura gjatë këtyre pesë ditëve. Ju uroj qëndrim të këndshëm në Prizren dhe shpresoj se, do të kënaqeni këtu”, nënvizoi Totaj.
Gjatë ditës së martë janë zhvilluar tri takime, ndërsa Kosova po përballet me Maltën.