Hapja e negociatave/ Spaho: Sfidat janë të mëdha! Rama na humbi 10 vite me komisionerët e qarkut të Fierit

July 19, 2022
min lexim

Deputeti i partisë Demokratike, Edmond Spaho e ka konsideruar një ditë të gëzueshme këtë të martë pas hapjes së negociatave të BE-së me Shqipërinë.

Por, Spaho thotë se tashmë sfidat janë më të mëdha dhe se qeveria shqiptare do të ketë më shumë mbikëqyrje nga Bashkimi Europian.

Në një intervistë për Neës24, Spaho tha se kryeministri Edi Rama ka zvarritur me 10 vite procesin e integrimit.

Këtu, deputeti demokrat sjell në vëmendje kohën kur Rama nuk pranonte të votonte 3 ligjet e kërkuara nga Keshilli i Europes, me pretekstin e zhbllokimit të çështjes së mandatateve në qarkun e Fierit.

Spaho: Sot duhet pranuar që është një ditë e gëzueshme. Sigurisht prej këtu deri te anëtarësimi do të kemi një rrugë të gjatë për të qenë të sinqertë. Do të duhen shumë reforma për t’u kryer dhe një transformim i vendit për t’u pranuar realisht. Besoj se sot fati i shampanjës nuk do të jetë si në 2018 por megjithatë dua të them se kemi humbur shumë kohë për të arritur në një stad që mund të kishim arritur që në 2013 por edhe më herët në 2012.

Pyetje: I referoheni çështjes së komisonerëve të Fierit?

Spaho: Po të kujtosh se për çfarë janë bllokuar negociatat për komisionerët e qarkut të Fierit dhe që fajtor për këtë është Edi Rama është se kemi humbur 10 vite dhe kjo është humbje e madhe. Do të kishim progresuar kushdo që të ishte në pushtet dhe do të ishim më afër BE-së. Lufta në Ukrainë e ka përshpejtuar këtë proces dhe ka qenë në favor të Shqipërisë por duhet thënë se ka shumë fusha ku detyrat që kemi për të kryer janë të mëdha. Janë kritere që kanë të bëjnë me zgjedhjet, lufta ndaj medias, lufta ndaj krimit të organizuar, administrata publike, korrupsioni. Janë një sërë problemesh që edhe sot disa vende të Bashkimit Europian kanë rezerva.

Pyetje: Si e patë qëndrimin e Ramës krahasuar me 4 apo 5 javë më parë ku Shqipëria mori përgjigje negative ndryshe nga kjo?

Spaho: Është në stilin e Edi Ramës që tenton që çdo gjë ta marrë si arritje të tijën. Ai mendon se bota fillon me Edi Ramën. Është në kundërshtim me atë që ka thënë Edi Rama në vitin 2012 ku thoshte populli shqiptar dhe Shqipëria s’kanë nevojë për reforma evropiane por për një qeveri të mirë këtu. Por ne si opozitë e kemi mbështetur çeljen e negociatave. Për dy arsye. E para nuk kemi dashur të penalizohet populli shqiptar, pavarësisht qeverisë dhe kryeministrit që kemi. Dhe në sytë e opozitës, hapja e negociatave është pozitive sepse do të shtohet kontrolli mbikëqyrja nga BE për reformat.

Pyetje: Sa realisht e do politika shqiptare integrimin në BE. A është gati të dorëzojë një analizë të gjithë qeverisjes, se do ndryshojë standardi i politik bërjes për t’u bërë si vendet e Bashkimit Europian?

Spaho: Varet sesi e shikon qeverisjen e vendit. Nëse e sheh si mjet për t’u pasuruar me grupin e njerëzve që ke përreth normalisht që nuk e do anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ata politikanë që janë rritur me një prirje të tillë nuk e duan. Por një politikan i përgjegjshëm i kujtdo krahu qoftë i PD apo PS do t’i përkushtohej integrimit në BE he të mirës së vendit. Dua të kujtoj që kur është pranuar vendi anëtar i  NATO-s qeveri e asaj kohe ka thirrur përfaqësues të opozitës së Edi Ramës dhe kanë qenë krah për krah në Bruksel.

Pyetje: A do të ketë pushime në gusht apo do të respektoni kërkesat e Berishës për të qenë në punë?

Spaho: Opozita qëllim kryesor ka çinstalimin e regjimit të Edi Ramës. E kemi konstatuar se Shqipëria është në rrezik dhe për këtë kemi thirrur një front. S’do të ngelemi vetëm te protesta por edhe beteja në parlament do të ketë rolin e saj.

Pyetje: A do të bashkëpunoni me zotin Meta tani që largohet nga Presidenca?

Spaho: Patjetër bashkëpunimi do të jetë i fortë dhe i ngushtë. Me atë forcë politike, LSI kemi bashkëpunuar edhe më parë. Meta njihet si aktor i fortë politik që i vendos objektiva vetes dhe i arrin. Ashtu si edhe zoti Berisha. Për rrjedhojë do të shikoni një opozitë tërësisht efektive për të arritur me çdo mjek demokratik rrëzimin e Edi Ramës.

Pyetje: Për amnistinë fiskale që qeveria po e bën gati si ligj. Qeveria thotë se do të formalizohet ekonomia, ju si mendoni?

Spaho: Këto janë demagogjitë e Edi Ramës që do t’i japë fund informalitetit. Një shtet që nuk ka një administratë tatimore dhe doganore nuk mund t’i japë fund kësaj. Dhe Shqipëria e ka skandaloze, në ditën më të zezë të saj administratën tatimore. Synimi është t’i krijojë shtrat krimit të organizuar dhe grupeve kriminale që të pastrojnë paratë këtu. Ai që ka punuar me djersë i ka paratë në bankë, nuk i mban në thes, se s’ka sesi t’i mbajë. Ai që ka punuar me djersë nga 1991 me një pagë mesatare do të shihni që as 500 mijë euro nuk do t’i ketë mbledhur dot, se janë edhe kostot e familjes së tij. Ndaj komiteti ndërkombëtar i ka dalë kundër se nuk mund të amnistosh para që vijën nga burimet të krimit të organizuar. Se ky i jep mesazh krimit që bëni ça keni për të bërë në Europë dhe pastaj na i sillni ato para t’i lajmë këtu.

Pyetje: Cili do të jetë qëndrimi juaj në Parlament?

Spaho: Natyrisht që do të jetë kundër. A keni parë ndonjë ju që e ka pranuar përveç ministrave dhe deputetëve të Edi Ramës. Të jeni të sigurt që do të tërhiqet se nuk do t’i hapen negociatat. Po vazhdoi me legalizimin e kanabisit dhe amnistinë fiskale e ka të mbyllur derën e Europës. Ne sot vazhdojmë të jemi po aq problematik në fushën e drogave. Nuk ka javë që kalon që në Durrës të mos kapet ndonjë maune me kokainë. Ju e patë sesi ata që paguhen për ta kapur, u arrestuan të gjithë se kishin nxjerrë 60 arka me kokainë nga porti.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Moti gjatë dy ditëve të ardhshme, temperaturat deri në 35 gradë Celsius

Story i radhës

Ukrainë: Ofrohen 100 dollarë në këmbim të informacionit për bashkëpunëtorët e Rusisë

Të fundit nga

Tesla dëshiron të dyfishojë prodhimin në Gjermani

Nga fabrika e prodhuesit amerikan të veturave elektrike Tesla në Grünheide të Gjermanisë, jo shumë larg Berlinit, thanë se janë optimistë për të ardhmen pavarësisht rënies së tregut gjerman. Drejtori i fabrikës
ShkoLartë