Hapet sot bajpasi i Vlorës, zona kthehet në superdestinacion turistik
Bajpasi i Vlorës, aksi i ri panoramik që lehtëson qarkullimin e automjeteve gjatë pikut të sezonit, do të hapet përfundimisht sot. Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë një interpelance në Kuvend.
Ministrja Balluku gjatë inspektimeve të kësaj vepre ka bërë të ditur se bajpasi i Vlorës është ndërtuar me standardet më të mira dhe parametrat më të lartë të sigurisë. Rruga lidh autostradën Levan-Vlorë me rrugën nacionale bregdetare Vlorë-Sarandë, duke ndikuar edhe në lehtësimin e fermerëve, për daljen më shpejt në tregje, të prodhimit bujqësor dhe nxitjen e agroturizmit.
Rruga e re me gjatësi 29 km vlerësohet një ndër segmentet me ndikimin më të lartë turistik që do të ndikojë ndjeshëm në lehtësimin e trafikut në qytetin e Vlorës. Bajpasi nis nga rrethrrotullimi në fund të autostradës Levan-Vlorë. Rruga anashkalon Kaninën në pjesën perëndimore mbi Vlorë, në një nivel rreth 300 m nën kështjellë, nga ku ofron pamje spektakolare përgjatë gjirit të Vlorës.
Në çdo 1.5 kilometër të kësaj rruge është parashikuar vendpushimi për automjetet. Me përfundimin e disa projekteve të rëndësishme infrastrukturore, e gjithë zona do të kthehet në një superdestinacion turistik, me infrastrukturë të nivelit evropian.