Mbi 40 kompani po marrin pjesë në Panairin e Punës në Gjakovë, i cili po mbahet për të katërtën herë me radhë. Biznese, shkolla, e organizata janë bërë pjesë e këtij panairi, ku tashmë është bërë shpallja për oferta pune në 800 vende të lira pune. Ky panair po organizohet me qëllim të vendosjes së kontakteve të drejtpërdrejta të punëdhënësve dhe punëkërkuesve.
Në palestrën sportive “Shani Nushi” në Gjakovë janë hapur dyert për organizimin e panairit të punës.
Menaxheri i projektit “Aftësimi për tregun e punës” në GIZ Kosova, Tobias Seilberlich ka thënë se po presin diskutim të frytshëm dhe marrëveshje të mira gjatë këtij panairi.
Seilberlich: Kemi rreth 45 kompani pjesëmarrëse në këtë panair
“Të gjithë së bashku kemi diku 45 kompani dhe partnerë pjesëmarrës në këtë panair. Dhe të gjitha së bashku kanë bërë një shpallje prej më shumë se 800 pozitave të hapura për punësim. Këto janë pozita të cilat përfshijnë në punën e shitjes me pakicë dhe shërbimeve të ndryshme në këto kompani, gastronomia, hotelieri dhe fusha e teknologjisë informative. Në të njëjtën kohë kemi edhe pjesën e ndërtimtarisë dhe thjesht zdrukthëtarisë. Dhe e fundit por jo më pak e rëndësishme, sektori i bujqësisë. Ne këtu në mesin këtu kemi edhe po ashtu zyrën e aftësimit profesional për Gjakovën”, është shprehur ai.
Drejtori i Zhvillimit Ekonomik në Komunën e Gjakovës, Ferdinand Kolaj ka treguar se ky panair shërben si urë lidhëse me qëllim të punësimit të të rinjve.
Kolaj: Mund të jetë urë-lidhëse dhe besoj që ky panair të dal i suksesshëm
“Qëllimi i organizimit të këtij panairi do të thotë prej Komunës së Gjakovës dhe Ministrisë së Punës dhe Agjencisë së Punësimit me mbështetje të GIZ-it është që sot disa kompani kanë ardhur këtu dhe institucionet e ndryshme që e kanë bërë ofertën e vet për ata që kanë nevojë dhe janë të profilizuar për punën që do e gjejnë këtu. Mund të jetë një urë lidhëse dhe mund t’i bashkojë të dyja këto dhe besoj që ky panair do të dal sa më i suksesshëm për ata që kanë nevojë për punë dhe për bizneset që sot janë këtu dhe kanë nevojë për punëtorë”, ka thënë Kolaj.
Në hapjen e këtij panairi, zëvendëskryeshefja ekzekutive në Agjencinë e Punësimit, Jehona Namani tha se roli i tyre është që të bëjnë bashkë punëkërkuesit dhe punëmarrësit me qëllim të ndërmjetësimit në punësim.
Namani: Uroj që të ketë sa më shumë vende të lira të punës
“Uroj që gjatë ditës së sotme të ketë sa më shumë vende të lira të punës, ashtu siç e kam listën që është përgatitur përfaqësuesit të GIZ-it. Uroj që të gjeni punëtorë të kualifikuar për atë që ju po kërkoni. Uroj që punëkërkuesit sot të shpërndajnë sa më shumë CV dhe që të kemi sukses sot në ditën tonë”, u shpreh ajo.
Ali Tafarshiku nga “Medcare Gjakova” tha se në panairin e sotëm janë në kërkim të punëtorëve shëndetësorë dhe atyre socialë.
Taparshiku: Kemi interes të shtuar për punësim
“Përveç faktit që ne si kompani e re në Komunën e Gjakovës, kemi interesim të shtuar për punësim. Ne si kompani shërbyese për moshat e treta, kemi nevojë për punëtorë shëndetësorë, për punëtorë socialë dhe besoj që do të kemi një rast të mirë për identifikimin e personave më konkret që do të shërbejnë në qendrën që do të hapet në Gjakovë”, ka thënë ai.
Ndërkaq, Blerta Rudi Rizvanolli, e cila është udhëheqëse në “Ruddy Company” tha se ky panair ju ndihmon që të vendosin kontakte me punëtorë potencialë.
Rudi Rizvanolli: Na ndihmon shumë që në këtë kohë të gjejmë punëtorë
“Është një kompani që merret me prodhime vendore… Jemi falënderues ndaj Komunës për këtë organizim dhe organizatorëve të tjerë të panairit të punës, ku neve si prodhues vendorë na jep mundësinë të promovohemi karshi tregut të punës… Është një iniciativë shumë e qëlluar se na ndihmon shumë që të gjejmë në këtë kohë numër të madh të punëtorëve”, u shpreh ajo.
Panairi i punës organizohet nga projekti i GIZ-it me Agjencinë e Punësimit dhe Komunën e Gjakovës.