Ndonëse ligji qe i miratuar nga viti 2015, tek sivjet pritet të bëhen realitet hallkat elektronike.
Përmes tyre, dhunuesit do të monitorohen nga policia në mënyrë që mos t’u afrohen viktimave, që në shumicën e rasteve janë vajzat dhe gratë.
Gjatë kësaj jave, Ministra e Drejtësisë ka njoftuar se Ministria e Punëve të Brendshme nënshkruar kontratën me një Operator Ekonomik me qëllim të zbatimit të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike.
Ndonëse televizioni ka pyetur të dyja ministritë lidhur me përzgjedhjen e operatorit dhe kohën e furnizimit me këto hallka, ato nuk kanë kthyer përgjigje.
Aktivistë që mbrojnë të drejtat e grave vlerësojnë se ky veprim tepër i nevojshëm do duhej marrë shumë më herët.
“Mendoj që tash është vonë për rastet që kemi mujt mi parandalu para kësaj të cilët edhe më herët, psh rastin e gruas shtatzënë që u vra para spitalit. Sikur të kishte ekzistu kjo, ndoshta do ishte parandaluar. Mendoj se është vonë se s’kemi mundur t’i parandalojmë këto raste ngase kur zakonisht lirohen në procedurë të rregullt, kanë tendencë me shku me sulmu viktimën”, ka thënë Neri Ferizi, Aktiviste e shoqërisë civile.
Megjithatë, Ferizi shprehet optimiste se hallkat do të tregojnë efekt në rritjen e sigurisë së viktimave.
“Kur flasim për viktimat e dhunës, mendoj që do t’i ndalojë për me e ripërsërit veprën po nuk mendoj se do ndikoj tek personat e tjerë ose dhunuesit e ardhshëm sepse shoqnia po i prodhon. Ajo ndalohet me edukimin por jo me hallkat elektronike”, ka thënë Ferizi.
E të një mendimi janë edhe njohës të çështjeve të sigurisë.
“Po shpresojmë të vihen në zbatim, do e rrisë punën e mekanizmave të shtetit, do t’i kursejë punën burimeve njerëzore e do të rrisë sigurinë për viktimat në rastet e dhunës në familje. Është më se e nevojshme, domosdoshme dhe do ketë impakt pozitiv. Natyrshëm se do jetë sfidë, por sigurinë do ta rritë”, ka thënë Valdet Hoxha, Njohës i çështjeve të sigurisë.
Nisja e përdorimit të hallkave elektronike ishte përmendur shpesh, e më së shumti në rastet e vrasjeve të grave, kur dhunuesit kishin urdhër nga gjykata që mos tu afroheshin viktimave.