Më 6 shtator të këtij viti, qeveria shqiptare ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin. Vendimi erdhi pasi gjatë këtij viti, vendi u godit nga tre sulme kibernetike nga grupe iraniane hackerimi.
Hetimet, në bashkëpunim me SHBA-në, arritën në përfundimin se bëhet fjalë për grupe iraniane, të lidhur me strukturat shtetërore. Irani e quajti këtë vendim të pamenduar dhe të pabazuar në fakte.
Profesori i kriminalistikës, Ervin Karamuço u shpreh se qëllimi i këtij sulmi është të shkaktojë terror, kaos dhe destabilizim. Ai theksoi se përveç Iranit është edhe Rusia që na ka sulmuar online. Sulmet të tilla, sipas Karamuços janë akte terroriste.
Përveç Iranit, Karamuço ka theksuar se pas sulmeve qëndron edhe Rusia. Ai ka theksuar se sulmet po vijojnë në të gjithë rajonin, madje ai e lidh vizitën e kryeministrit Albin Kurti në Tiranë pikërisht me sulmet që janë zhvilluar në Kosovë.
“Duhet thënë se nga të gjitha sistemet kemi vetëm E-Albania, por të gjitha sistemet e tjera online, të bankës apo të mbrojtjes nuk janë prekur. Është një hartë shumë më e gjerë sulmesh dhe është për të gjithë rajonin. Është një sulm i mirëfilltë terrorist. Ka qëllim të destabilizojë rajonin., Nuk është vetëm Irani. Ka ardhur me shpejtësi. Edhe Kurti ka ardhur me shpejtësi në Tiranë,” tha Karamuço.
“Është edhe Irani edhe Rusia. Nuk janë lajme të rastësishme këto. Kaos, panik, destabilizim, terror i përgjithshëm, rënie qeverie. Dhe në vende pro perëndimore” tha Karamuco në Abc.
Gjithashtu, eksperti i kriminalistikës, shtoi se ka 4 muaj më parë që sulmi i hakerave vijon, ndërsa ka theksuar se priten arrestime dhe urdhër ndalime.