Guvernatori: Byroja u reformua krejtësisht, pagesat e dëmeve u rritën për 72,6 %

February 9, 2022
min lexim

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, në një intervistë për “iSIGURIME” ka thënë se Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS) është reformuar krejtësisht me ardhjen e menaxhmentit të ri. Sipas tij, dëmet e paguara nga Byroja Kosovare e Sigurimit gjatë vitit 2021 arritën në shumë prej 10.8 milionë euro, e të cilat shënuan rritje prej 72.6 përqind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak 2020, mbi 56 përqind më e lartë se në vitin 2019, si dhe mbi 78 përqind më e lartë se në vitin 2018. Sipas tij, marrëveshja e arritur me Malin e Zi  për njohje të policave pa dyshim se është një arritur e madhe për të cilën BQK-ja ka një vlerësim pozitiv.

Industria e Sigurimeve në vendin tonë gjatë vitit të kaluar ka shënuar një progres të konsiderueshëm në raport me vitin paraprak. Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, në një intervistë për “iSIGURIME” ka thënë se performanca e kompanive të sigurimeve gjatë vitit 2021 ka shënuar përmirësim të ndjeshëm, krahasuar me vitet e kaluara, si në aspektin e performancës financiare, ashtu edhe në kontekst të rritjes. Sipas tij, bazuar në të dhënat e fundit preliminare, të raportuara nga sektori i sigurimeve të datës 31 dhjetor 2021, të hyrat nga primet e shkruara bruto arritën në shumë prej 119.2 milionë euro, ose 17.2 përqind më të larta se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ndërsa, numri i kontratave apo policave të shkruara arriti në rreth 1.2 milionë kontrata, duke shënuar rritje prej 40.1 përqind më shumë se në periudhën e  njëjtë të vitit 2020.

iSIGURIME: Si e vlerësoni performancën e kompanive të sigurimeve gjatë vitit 2021, a mund të bëni krahasime me vitet paraprake? 

Mehmeti: Performanca e kompanive të sigurimeve gjatë vitit 2021 ka shënuar përmirësim të ndjeshëm krahasuar me vitet e kaluara, si në aspektin e performancës financiare, ashtu edhe në kontekst të rritjes. Rritja e performancës së sektorit të sigurimeve është edhe si rezultat i masave dhe reformave të ndërmarra nga ana e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës. Sektori i sigurimeve gjatë vitit 2021, përveç përmirësimit në treguesit financiarë dhe në kapitalizim ka pasur lëvizje pozitive edhe në qeverisjen korporatave në kompanitë e sigurimit.Bazuar në të dhënat e fundit preliminare, të raportuara nga sektori i sigurimeve të datës 31 dhjetor 2021, të hyrat nga primet e shkruara bruto arritën në shumë prej 119.2 milionë euro, ose 17.2 përqind më të larta se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ndërsa, numri i kontratave apo policave të shkruara arriti në rreth 1.2 milionë kontrata, duke shënuar rritje prej 40.1 përqind më shumë se në periudhën e  njëjtë të vitit 2020. Sigurimet e aktivitetit të Jo-Jetë vazhdojnë të kenë pjesëmarrje më të lartë në gjithsej primet e shkruara bruto. Primet e shkruara bruto nga aktiviteti i Jo-Jetë marrin pjesë me rreth 95.9 përqind të vëllimit të përgjithshëm të primeve të shkruara bruto në nivel të sektorit të sigurimeve, ndërsa sigurimet e aktivitetit Jetë kanë pjesëmarrje në gjithsej primet e shkruara bruto të sektorit prej 4.1 përqind. Bazuar në të dhënat e fundit në dispozicion, të datës 30 shtator 2021, sektori i sigurimeve në vend rezultoi me perfomancë financiare pozitive prej 5.9 milionë euro, krahasuar me 3.4 milionë euro sa ishte në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

U paguan 61 milionë euro dëme nga Industria e Sigurimeve

Gjatë këtij viti a ka pasur progres në pagesën e dëmeve nga Industria e Sigurimeve? 

Mehmeti: Bazuar në të dhënat preliminare të raportuara nga sektori i sigurimeve, të datës 31 dhjetor 2021, është evidentuar progres i theksuar në kompensimin e dëmeve nga ky sektor, kundrejt policëmbajtësve. Dëmet e paguara bruto në sektorin e sigurimeve, deri në fund të vitit 2021, arritën në shumë prej 61milionë euro ose 24.4 përqind më shumë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Derisa dëmet e paguara nga sigurimet e aktivitetit të Jetës shënuan rritje për 20.4 përqind, ndërsa dëmet e paguara të sigurimeve nga aktiviteti Jo-Jetë shënuan rritje prej 24.5 përqind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara nga sigurimet Jo-Jetë i përkasin sigurimeve motorike në shumë prej rreth 44.4 milionë euro apo 74.1 përqind të gjithsej portofolit të dëmeve të paguara bruto.

Si e vlerësoni performancen e Byrosë Kosovare të Sigurimit gjatë vitit 2021? 

Mehmeti: Edhe në Byronë Kosovare të Sigurimit gjatë këtij viti ka pasur lëvizje pozitive, si në aspektin e qeverisjes korporatave, por edhe në përmbushjen e obligimeve lidhur me kompensimin e dëmeve të shkaktuara ndaj palëve të treta.Byroja Kosovare e Sigurimit në vazhdimësi ka qenë në fokus të kritikave, por nga viti i kaluar me ardhjen e menaxhmentit të ri, Byroja Kosovare e Sigurimit është reformuar krejtësisht. Ne e vlerësojmë tej mase faktin se kompanitë e sigurimeve kanë qenë shumë më të përgjegjshme në raport me Fondin e Kompensimit dhe kjo është njëra ndër fushat kryesore në përgjegjësi të BKS-së. Gjithashtu, vërehet ulje e dukshme e shpenzimeve operacionale dhe administrative në buxhetin e Byrosë Kosovare të Sigurimit, derisa në anën tjetër për dallim ka vitet e kaluara, ka rritje të buxhetit për pagesë të dëmeve.  Është e rëndësishme të theksohet fakti se deri më 31 dhjetor 2021 primet e shkruara bruto nga sigurimet kufitare arritën në shumën rreth 7.3 milionë euro duke shënuar rritje prej 72.9 përqind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2020. Gjithashtu, zhvillime pozitive ka pasur edhe në përmbushjen e obligimeve në kompensimin e dëmeve nga ana e këtij institucioni.

Gjatë këtij viti BKS-ja ka arritur rekord në pagesën e dëmeve, a duhet të vazhdoj edhe më tutje me ketë ritëm ? 

Mehmeti: Dëmet e paguara nga Byroja Kosovare e Sigurimit gjatë vitit 2021 arritën në shumë prej 10.8 milionë euro, e të cilat shënuan rritje prej 72.6 përqind. Shuma e paguar gjatë vitit 2021 është 72.6 përqind më e lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak 2020, mbi 56 përqind më e lartë se në vitin 2019, si dhe mbi 78 përqind më e lartë se në vitin 2018. Nga gjithsej shuma e dëmeve të paguara nga Byroja Kosovare e Sigurimit, dëmet e paguara nga MOU në Kosovë shënuan rritje prej 115.4 përqind, dëmet nga MOU jashtë Kosovës shënuan rritje prej 85.3 përqind, dëmet e paguara nga sigurimet kufitare shënuan rritje prej 84.5 përqind, si dhe dëmet e paguara nga Fondi i Kompensimit shënuan rritje prej 60.2 përqind më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Trendi i pagesës së dëmeve nga Byroja Kosovare e Sigurimit duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen, gjithmonë duke pasur parasysh obligimin e trajtimit dhe pagesës së dëmeve sipas kërkesave ligjore në fuqi, në mënyrë që qytetarët dhe policëmbajtësit të kenë trajtim korrekt.

Marrëveshja me Malin e Zi një e arritur e madhe

Gjatë vitit 2021, menaxhmenti i ri i BKS-së ka nënshkruar edhe Marrëveshjen me Malin e Zi, si e vlerësoni ketë, cili ka qenë efekti i saj ? 

Mehmeti: Sikurse jeni në dijeni, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës e ka mirëpritur lajmin për nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit mes Byrosë Kosovare të Sigurimit dhe Byrosë Nacionale të Siguruesve në Malin e Zi. Me rastin e nënshkrimit të këtij Memorandumi, i cili është mbështetur edhe nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, është bërë njohja reciproke e sigurimit për mbulimin e përgjegjësisë ndaj palëve të treta në territorin e Republikës së Kosovës dhe atë të Malit të Zi, si dhe ka lehtësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve, duke mundësuar rritjen e qarkullimit të mallrave dhe shërbimeve, si dhe duke rritur potencialin për zhvillim ekonomik të të dyja vendeve. Marrëveshja e arritur me Malin e Zi pa dyshim se është një arritur e madhe për të cilën BQK-ja ka një vlerësim pozitiv. Megjithëse nga zbatimi i saj Byroja Kosovare e Sigurimit ka më pak të hyra prej rreth 800 mijë euro në vit, si e tillë ajo lehtëson qarkullimin, por edhe ulë shpenzimet e qytetarëve të këtyre dy shteteve. Megjithatë, duhet të punojmë për një qasje që zgjidh problemin në mënyrë permanente, që nënkupton anëtarësimin në kartonin e gjelbër.

Kjo i hap rrugë Kosovës për anëtarësim në Byronë e Kartonit të Gjelbër ? 

Mehmeti: Duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj çështje dhe me qëllimin më të mirë për anëtarësim në këtë institucion, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës së bashku me Byronë Kosovare të Sigurimeve dhe institucione tjera relevante, kanë ndërmarrë veprime me kohë në funksion të plotësimit të kushteve dhe kritereve të përcaktuara nga Këshilli i Byrove për anëtarësimin e Byrosë Kosovare të Sigurimeve në këtë organizatë ndërkombëtare. Pas plotësimit të kritereve të kërkuara, si: aprovimin e Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm të Autopërgjegjësisë; themelimin e Byrosë Kosovare të Sigurimit dhe Qendrës Informative të Sigurimeve; si dhe themelimit të Fondit Garantues prej 4 milionë eurosh, Byroja Kosovare e Sigurimit ka plotësuar dhe dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në këtë Këshill. Pas dorëzimit të aplikacionit përfaqësuesit e Këshillit të Byrove kanë deklaruar se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Byrove në Bruksel, tani për tani nuk mund të ndodhë, për arsye të klauzolës në Kushtetutën e saj që Kosova duhet të jetë anëtare e Kombeve të Bashkuara. Përveç kësaj, krahas çështjes së anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, edhe numri i madh i automjeteve të pasiguruara është çështje që e vështirëson anëtarësimin në Këshillin e Byrove, e cila çështje është duke u trajtuar me kujdes të shtuar me qëllim të uljes së numrit të automjeteve të paregjistruara dhe të pasiguruara. Siç ju kemi informuar edhe më herët, nga mos regjistrimi dhe mos sigurimi i këtyre automjeteve, përveç dëmeve të shkaktuara ndaj sektorit të sigurimeve për shkak të mos inkasimit të primit dhe për shkak të pagesës së dëmeve të shkaktuara nga këto automjete të pasiguruara, dëmtohet buxheti i shtetit për shkak të mospagesës së taksave të ndryshme.  Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është e angazhuar dhe pret progres në trajtimin e kësaj çështjeje dhe vlerëson se në të ardhmen e afërt do të ketë progres edhe në zgjidhjen e çështjes në fjalë.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Gjërat për të cilat ia vlen të shpenzoni

Story i radhës

Bashkimi Evropian zbulon planin për të prodhuar çipet në Evropë

Të fundit nga

ShkoLartë